Në një realitet ku sfidat mjedisore, sociale dhe ekonomike janë gjithnjë e më të ndërlidhura, qëndrueshmëria nuk është më një opsion, por një domosdoshmëri strategjike për bizneset. Presioni nga tregjet ndërkombëtare, investitorët, rregullatorët dhe konsumatorët po rritet, duke e kthyer raportimin mbi qëndrueshmërinë (ESG) në një element kyç për akses në financime, partneritete dhe konkurrueshmëri afatgjatë. Edhe pse në Shqipëri ky proces është ende në zhvillim, integrimi me standardet dhe direktiven e Bashkimit Europian po nxit një transformim të qëndrueshëm në mënyrën se si shoqëritë operojnë, masin dhe komunikojnë ndikimet e tyre. Për të kuptuar më shumë, kemi zhvilluar një intervistë me ekspertin e Qëndrueshmërisë së Biznesit pranë Deloitte, z.Gjergji Çako.
A është raporti i qëndrueshmërisë një kërkesë ligjore në Shqipëri?
Aktualisht, Shqipëria e ka të përfshirë raportimin mbi qëndrueshmërinë në mënyrë indirekte te Ligji për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare, neni 18, i cili parashikon raportimin e informacionit jofinanciar. Ky nen kërkon që shoqëritë të raportojnë informacion mbi ndikimin që ato kanë në tre shtyllat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm: mjedisi, shoqëria dhe punësimi/burimeve njerëzore.
Në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, Shqipëria po bën përpjekje konkrete për përafrimin e legjislacionit me direktivat e BE-së. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është bërë në dhjetor të vitit 2024, me ndryshimet në Ligjin për Auditimin Ligjor, ku është përfshirë koncepti i raportimit të qëndrueshëm dhe është përcaktuar që audituesit ligjorë do të kenë përgjegjësinë për dhënien e sigurisë mbi këto raporte, njësoj siç ndodh me pasqyrat financiare.
Pra, aktualisht janë dy ligje që krijojnë një bazë ligjore për raportimin mbi qëndrueshmërinë në Shqipëri:
- Ligji për Kontabilitetin, për përgatitje dhe përmbajtjen e raportit të qëndrueshmërisë
- Ligji për Auditimin Ligjor, për aspektin e dhënjes së sigurise të informacionit të raportit të qëndrueshmërisë
Sidoqoftë, nevojiten ende ndryshime të mëtejshme në kuadër të harmonizimit të plotë me kërkesat e BE-së, përfshirë saktësime të mëtejshme mbi grupin e shoqërive që do jenë të detyruara të raportojnë, si dhe për standardet që do të përdoren për përgatitjet e këtyre raporteve.
Në ligjin aktual, raportimi është i detyrueshëm për shoqëritë me interes publik që kanë më shumë se 500 punonjës. Por ky përcaktim ka ende nevojë për përmirësim të mëtejshëm në përputhje me kërkesat më të fundit në BE.
Lexo edhe: Future2Tech 2025, mbi 5000 vizitorë dhe mbështetje për startup-et dhe bizneset
Cilat janë standardet kryesore të raportimit mbi Qëndrueshmërinë?
Në praktikë, shoqëritë në tregun ndërkombëtar dhe europian po përdorin disa standarde kryesore për raportimin mbi mjedisin, shoqërinë dhe qeverisjen (ESG):
- GRI Standards (Global Reporting Initiative) – janë standarde ndërkombëtare të përdorura gjerësisht dhe aplikohen në mënyrë vullnetare, përveç në disa juridiksione ku janë të detyrueshme.
- ESRS (European Sustainability Reporting Standards) – të zhvilluara nga EFRAG (Grupi Këshillues Europian për Raportimin Financiar), janë të detyrueshme sipas Direktivës Europiane CSRD për shoqëritë që plotësojnë kriteret e përcaktuara.
- IFRS Sustainability Disclosure Standards – të miratuara nga ISSB (Bordi Ndërkombëtar i Standardeve të Qëndrueshmerisë), me dy standardet kryesore S1 dhe S2, të cilat janë më të fokusuara te informacionin financiar të lidhur me qëndrueshmërinë.
Sa të përgatitura janë shoqëritë shqiptare për të zbatuar kërkesat për Raportim mbi Qëndrueshmërinë?
Shoqëritë shqiptare ndodhen në nivele të ndryshme të gatishmërisë dhe njohurive për ESG Shoqëritë më të mëdha me aktivitet ndërkombëtar ose me kapital të huaj mund të jenë më të avancuara, për shkak të përvojës që mund të vijë nga shoqëria mëmë. Ndërsa bizneset me kapital shqiptar ose më të vogla, mund të kërkojnë më shumë kohë dhe mbështetje në këtë drejtim. Disa nga pikat që do veçoja në implementimin e raportimit të qëndrueshmërisë janë:
- Legjislacioni: Siç u përmend më lart, ligjet janë në proces përditesimi. Përveç raportimit, është e nevojshme të përshtaten dhe rregullohen ligje teknike që ndikojnë në ESG, si menaxhimi i mbetjeve, riciklimi, certifikimi i origjinës së energjisë elektrike, etj. Këto ligje janë kyçe për matjen reale të ndikimit të bizneseve dhe për ndërtimin e strategjive të qëndrueshme.
- Ndërtimi i kapaciteteve: Shoqëritë do të duhet të ndërtojnë kapacitete të reja, të trajnojnë personelin dhe të integrojnë sisteme të reja për të matur, menaxhuar dhe raportuar performancën mbi Qëndrueshmërinë.
- Financimi: Bankat dhe institucionet financiare kanë një rol thelbësor. Në vitet e fundit, financimi i gjelbër dhe kriteret ESG po kthehen në standarde për dhënien e kredive dhe produkteve të tjera financiare. Për fat të keq bizneset nuk jane akoma gati te thithin keto fonde, por njëkohësisht dhe institucionet financiare do duhet te rrisin incentivat për bizneset për keto fonde.
Cilat janë përfitimet e dhënjes së sigurisë mbi raportin e qëndrueshmërisë?
Dhënia e sigurisë (ose auditimi) i raportit të qëndrueshmërisë sjell përfitime të rëndësishme për palët e interesuara por dhe vet biznesin. Investitorët, institucionet financiare, bordet drejtues, agjencitë e vlerësimit, punonjësit, konsumatorët dhe qeveria kërkojnë informacion të besueshëm, të standardizuar dhe të krahasueshëm për performancën e Qëndrueshmërisë.
Ndërsa kostot fillestare janë të larta (trajnime, përmirësim sistemesh, raportim dhe auditim), në planin afatgjatë përfitimet janë më të mëdha dhe ndikojnë pozitivisht në:
- vlerësimin e shoqërisë nga investitorët,
- aksesin në financime të favorshme,
- përputhshmërinë me legjislacionin dhe,
- konkurrueshmërinë në treg.
Një studim i Coller Capital’s Winter Barometer 2022 tregon se 56% e investitorëve europianë refuzuan të investojnë në kompani me performancë të dobët ESG – një rritje domethënëse krahasuar me 33% në vitin 2016. Kjo tregon qartë se ESG po kthehet në një faktor vendimtar në vendimmarrjen investuese.
Qëndrueshmëria nuk është vetëm një kërkesë ligjore, është një domosdoshmëri e tregut
Raportimi mbi qëndrueshmërinë nuk duhet parë thjesht si një kërkesë ligjore. Është një kërkesë reale nga tregu dhe nga palët e interesuara. Edhe nëse një shoqëri nuk është aktualisht e përfshirë te grupi i subjekteve që e kanë detyrim ligjor, në praktikë, do të përballet me kërkesa për raportim nga palët e interesuara të saj (si, për shembull, klientët ose partnerët), veçanërisht në zinxhirin e furnizimit.
Gjergji Çako është menaxher i lartë pranë Deloitte Audit Albania, përgjegjës për ofrimin e shërbimeve të sigurimit dhe raportimit të qëndrueshmërisë. Ai ka kryer studimet e larta në Universitetin e Ekonomisë dhe Biznesit të Athinës, në degën e Shkencave Ekonomike, me profilizim në Ekonomi Biznesi. Ai është ekspert i certifikuar mbi qëndrueshmërinë nga Bordi i Iniciativës Globale për Raportimin e Qëndrueshmërisë (GRI).
Email kontakti: gcako@deloittece.com
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.