Helsinki përdor dronë inteligjentë për menaxhimin e trafikut - Business Magazine Albania

Helsinki përdor dronë inteligjentë për menaxhimin e trafikut

Kryeqyteti i Finlandës, Helsinki, po eksperimenton me dronë dhe inteligjencë artificiale (AI) për të zgjidhur një nga sfidat më të mëdha urbane: menaxhimin e trafikut në mënyrë efikase dhe të qëndrueshme.

Porti Perëndimor i Helsinkit është i dyti më i ngarkuar në Evropë, duke përpunuar rreth 6 milionë pasagjerë tragetesh çdo vit. Që prej vitit 2023, mbi këtë qendër të madhe transporti janë ngritur dronë që mbledhin të dhëna mbi lëvizjen e automjeteve, tramvajeve, biçikletave, skuterëve elektrikë dhe këmbësorëve. Qëllimi është të kuptohet më mirë formimi i bllokimeve dhe të përmirësohen lidhjet mes mënyrave të ndryshme të transportit.Sipas kompanisë së inovacionit Forum Virium Helsinki, e cila po udhëheq projektin, qëllimi është “të përmirësohet rrjedhja e trafikut përmes zgjidhjeve me AI dhe të krijohet një bazë për lëvizshmëri më të qëndrueshme urbane”.

Dronët, sytë e rinj të qytetit

Çdo mision përfshin nga tre deri në gjashtë dronë që filmojnë nga lart gjatë periudhave me ngarkesë më të madhe, zakonisht kur mbërrijnë ose nisen anijet turistike. Dronët ofrojnë një pamje të gjerë për inxhinierët dhe planifikuesit e qytetit, duke ndihmuar në krijimin e simulimeve të trafikut në kohë reale.

Të dhënat përpunohen nga startup-i zviceran Mobilysis, që përdor AI për të identifikuar dhe klasifikuar automjete, për të gjurmuar shpejtësinë dhe drejtimin e tyre, si dhe për të analizuar ndërveprimet mes përdoruesve të rrugës. “Këto të dhëna ndihmojnë në projektimin e lidhjeve më të mira ndërmjet mënyrave të transportit dhe në bërjen e udhëtimit më të qetë e më të qëndrueshëm”, shpjegon drejtuesi i kompanisë, Manos Barmpounakis.

Të dhënat e përpunuara integrohen në një “binjak dixhital”,  një model virtual që pasqyron në detaje sistemin fizik të trafikut të qytetit. Kjo u mundëson inxhinierëve të testojnë politika dhe strategji të reja në mënyrë virtuale, përpara se t’i zbatojnë në terren.

Lexo edhe: Fund tarifave të larta, prej sot Shqipëria nis zyrtarisht transfertat në SEPA

Privatësia dhe siguria nën vëzhgim

Mobilysis thekson se videot origjinale nuk shpërndahen jashtë kompanisë dhe se për analizë përdoren vetëm të dhëna anonime, në përputhje me ligjet evropiane të mbrojtjes së të dhënave (GDPR). Dronët janë të pozicionuar në pika fikse dhe regjistrojnë pamje nga lart, pa shfaqur fytyra apo targa makinash.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se respektimi i GDPR nuk i eliminon plotësisht shqetësimet për privatësinë. “Qytetarët që shohin një dron në qiell nuk mund të dinë nëse ai po mbledh të dhëna në mënyrë që nuk shkel të drejtat e tyre për privatësi dhe siguri,” thotë Alina Wernick nga Universiteti i Tübingenit në Gjermani. Ajo paralajmëron gjithashtu për rreziqe të mundshme kibernetike dhe kombinime të të dhënave që mund të zbulojnë informacione personale.

Autoritetet e Helsinkit thonë se po mbajnë një komunikim të hapur me qytetarët. “Kemi marrë shumë pyetje nga banorët dhe po ndajmë publikisht informacion mbi zonat e testimit dhe përdorimin e dronëve,” thotë Eero Jalo nga Forum Virium Helsinki.

Projekt i financuar nga BE-ja

Ky projekt pilot është pjesë e iniciativës evropiane ACUMEN (AI-aided decision tool for seamless multimodal network and traffic management), e financuar nga programi Horizon Europe. Ai synon të testojë mënyra të buta për menaxhimin e trafikut, si rekomandime për rrugë alternative apo nxitje për udhëtime jashtë orëve të pikut  dhe të eksplorojë se si teknologjia mund të ndihmojë në arritjen e objektivave klimatike përmes udhëtimeve më të qëndrueshme.

Projekti drejtohet nga Universiteti Aalto i Finlandës dhe përfshin tetë vende të BE-së si dhe Zvicrën. Testime të ngjashme po zhvillohen në Athinë, Amsterdam dhe Luksemburg. Rezultatet përfundimtare pritet të publikohen në maj 2026.

Megjithëse teknologjia e “binjakëve dixhitalë” mund të transformojë menaxhimin urban, ekspertët paralajmërojnë se duhet mbajtur një ekuilibër mes inovacionit dhe të drejtës për siguri e privatësi në hapësirat publike.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0