Prej më shumë se tri dekadash, sektori i teknologjisë së informacionit në Shqipëri ka kaluar nga fillimet modeste të kompjuterëve bazikë, në një treg që sot është pjesë integrale e zhvillimeve rajonale dhe globale. CCS, kompania e themeluar në vitin 1993 nga Genc Likoskëndaj, ka qenë dëshmitare dhe pjesëmarrëse aktive në këto transformime. Nga “lufta kundër analfabetizmit digjital” e viteve ’90, te rritja e internetit, shërbimeve cloud dhe inteligjencës artificiale, tregu shqiptar ka ecur përkrah ritmeve botërore, shpesh me sfida, por edhe me arritje domethënëse. Në këtë intervistë, Likoskendaj ndan përvojën e tij, sfidat dhe vizionin për të ardhmen e IT-së në Shqipëri.
Ju keni mbi tre dekada përvojë në sektorin e IT-së në Shqipëri. Çfarë ka ndryshuar më shumë në tregun shqiptar të teknologjisë nga momenti kur themeluat CCS në vitin e largët 1993 dhe deri sot?
Po flasim për një periudhë mbi 30 vjeçare e cila duhet analizuar në dy këndvështrime: çfarë ka ndodhur me këtë periudhë tranzicioni e post tranzicioni të tejzgjatur në Shqipëri dhe paralelisht në tregun global ku ne jemi pjesë.
Shqipëria e vitit 1993 vinte nga një periudhë e gjatë e tregut dhe e ekonomisë së planifikuar e të përqendruar dhe si pasojë ndryshimi i sistemit e gjeti si çdo ekonomi të vendeve ish socialiste një gjigand me një këmbë prej druri ( ekonomia) dhe një këmbë prej hekuri ( potenca ushtarake).
Kjo pasqyrohej edhe në burimet shoqërore ku kishte një edukim të thellë dhe do të thosha serioz, sidomos në Shkencat e Natyrës dhe ato të Inxhinierisë. Këto investime të shtetit komunist duhet të shfrytëzoheshin me qëllim që t’i shërbenin transformimit dhe ridizenjimit apo ripozicionimit të shoqërisë në tërësi.
Detyra imediate dhe sfida në atë periudhë ishte pak a shumë sikurse fushata e luftës kundër analfabetizmit ku ne; ‘’komisaret e dritës’’, të cilët ishim disa dhjetëra të diplomuar si informatikanë duhet të përcillnim dijet tona për masivizimin e përdoruesve bazik të kompjuterit dhe ndërkohë sikurse elektrifikimi i plotë i vendit duhej njëkohësisht që të investohej në infrastrukturën e masivizimin e këtij sektori jetik. Gjatë kësaj periudhe ne nuk kishim krahasim me çfarë ndodhte në tregun global sepse bëhej fjalë për një hendek shumë, shumë të madh.
Kjo ishte faza e parë e cila zgjati do të thosha deri në vitet 1999.
Në vitin 2000 pas Luftës së Kosovës, Shqipëria dhe faktori shqiptar në përgjithësi patën vëmendjen e veçantë të Aleancës Euro-Atlantike me në krye SHBA-të. U kryen investime të rëndësishme në modernizimin e sektorit bankar dhe në sektorin e telefonisë së lëvizshme si dhe masivizimin e Internetit. Kjo ishte faza gjatë të cilës aktorët e IT u maturuan dhe kaluan nga përfaqësues zyrtarë të kompanive ndërkombëtare në partner added value të tyre dhe si sistem integrator. Paralelisht me këtë në tregun global ndodhi 11 Shtatori 2001 i cili e rriti në mënyrë eksponenciale tregun e IT si në produktet HW ashtu edhe në zgjidhje e shërbime masive në Cloud, Data e Cybersecurity. Tregu jonë këtë fazë deri në vitin 2012 e kaloi në mënyrë të suksesshme, por ende i mbyllur apo gjysmë i mbyllur.
Gjatë kësaj periudhe falë Programit të Mijëvjeçarit nga SHBA u hodhën hapa shumë të rëndësishme edhe në shërbimet e-government gjithashtu.Nga viti 2012 e deri më sot mund të themi se ne jemi së paku pjesë e tregut rajonal dhe performojmë pak a shumë si kolegët tanë në rajon. Me pak fjalë sektori i ITC ka pasur milestone-et e veta që prej vitit 1993:– Masivizimi i www dhe i shërbimit e-mail.
– 11 Shtator 2001 kërkoi në mënyrë urgjente që të arkivohej/ruhej dinamikisht informacioni ndaj dhe kjo solli që në HW të kishte triliona USD të investuara në servera dhe në storage dhe më pas kjo automatikisht solli nevojën që këto metadata jo vetëm të ruheshin, por edhe të transmetoheshin/aksesoheshin dhe të siguroheshin pra cloud dhe mediat sociale dhe jo rastësisht edhe masivizimin e smart phones etj.
-Gjatë COVID gjithë ky informacion në madhësi e shpejtësi rritëse faktoriale ishte baseni i komercializimit të Inteligjencës Artificiale.
CCS dhe TETRA njihen si dy kompani me integritet në treg. Cili është roli i tyre sot në zhvillimin e infrastrukturës dhe shërbimeve digjitale në Shqipëri?
Si pasojë e rritjes së këtij sektori pozicioni jonë është le të themi modest pasi afërsisht të dyja kompanitë së bashku gjenerojnë një xhiro prej 10 milionë Euro. Ajo çfarë i dallon këto dy kompani është se janë të fokusuar në zgjidhje e shërbime unike me një spektër të gjerë pra si në sektorin privat ashtu edhe në atë shtetëror çka pasqyron seriozitetin e tyre, vazhdimësinë e qëndrueshmërinë. Me gjithë respektin që kam për aktorët e tjerë sidomos ata të rinj do u sugjeroja që të mos fokusohen vetëm te sektori shtetëror …
Duke qenë një sipërmarrës serial, çfarë ju shtyn gjithmonë të nisni projekte të reja dhe cilat janë mësimet më të mëdha që keni marrë nga rrugëtimi juaj?
Pas pothuajse 40 vite si informatikan e 33 vite si sipërmarrës do jem konciz në përgjigjen time: Mos i mbani vezët vetëm në një shportë. Mundohuni të ofroni shërbime të vlefshme për shoqërinë dhe kryesorja mos u bëni tamaqar pasi lekët nuk janë gjithçka.
Si e shihni të ardhmen e IT-së në Shqipëri dhe cilat janë trendet teknologjike që do të përcaktojnë dekadën e ardhshme?
Shqipëria është pjesë integrale e tregut global tashmë, por në këndvështrimin tim sfida është që të mos jetë e varur nga buxheti i shtetit, por të shikojë që të shërbejë e prodhojë me një koncept afatgjatë, rajonal dhe pse jo global.
Shpesh kompanitë shqiptare përballen me sfida në adaptimin e teknologjisë së re. Si i ndihmojnë CCS dhe Tetra Solutions bizneset vendase të kalojnë këtë hendek?
Kjo nuk është më një risi apo sfidë sepse bizneset shqiptare po kalojnë në menaxhimin e brezit të dytë të cilët janë të nxitur drejt teknologjisë. Rëndësi ka që në marrëdhënie me një klient t’i përgjigjesh profesionalisht në nivelin superior dhe ta udhëheqësh e këshillosh në mënyrë të tillë që investimet në IT e teknologji në përgjithësi të jenë të nevojshme e të reflektojnë në rritjen e të ardhurave e fitimeve të atij klienti.
Cila është vizioni juaj personal për të ardhmen, a do të shohim nisma të reja nga ju në sektorin e inovacionit, apo do të fokusoheni në rritjen e kompanive ekzistuese?
Në lidhje me tregun shqiptar mendoj se duhen rritur e përmirësuar dy kompanitë ekzistuese dhe ato si model të shtrijnë e fuqizojnë prezencën në rajon e më tej.
Ky artikull është publikuar në numrin 39 të revistës Businessmag
Abonohu për të lexuar artikujt e BM!
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto