Çdo ditë, mijëra qytetarë në Francë shpërndajnë produkte ushqimore dhe pako për fqinjët e tyre, përmes një platforme bashkëpunuese të quajtur Tut Tut. Aplikacioni ka arritur tashmë shifrën e një milion dërgesave në nivel kombëtar, megjithëse themeluesit theksojnë se qëllimi i tyre nuk është krijimi i vendeve të reja të punës.
E themeluar në vitin 2021 nga Vincent Chabbert, kompania numëron sot 300,000 përdorues. Shumë prej tyre kryejnë shpërndarjet gjatë udhëtimeve të përditshme, duke përfituar një pagesë simbolike. Platforma funksionon në një rreze 30 km, me logjikë të ngjashme me aplikacionet e njohura të udhëtimeve të përbashkëta: përdoruesit paguajnë fqinjët për të marrë dhe dorëzuar produkte, nga ushqimet deri te mobiliet.Sipas drejtuesve, ky model ul kostot dhe emetimet, duke pasur gjithashtu ndikim social pozitiv përmes lidhjes së komuniteteve. Ata e përshkruajnë Tut Tut si një kombinim mes frymës së BlaBlaCar dhe efikasitetit të Uber.
Shërbimi funksionon shtatë ditë në javë, por nuk mund të kthehet në një punë me kohë të plotë. Transportuesit amatorë kufizohen në tre dërgesa në ditë dhe deri në 250 euro fitim në muaj. Pagesat variojnë nga 5 deri në 15 euro për çdo porosi, në varësi të distancës dhe madhësisë së pakos. Shumë prej atyre që marrin pjesë janë pensionistë ose persona pranë daljes në pension, të cilët e shohin këtë si aktivitet shoqëror.
Lexo edhe: Identiteti digjital në Shqipëri, përparim historik apo dilemë e frikshme?
Ndër partnerët e mëdhenj të kompanisë janë zinxhirët Carrefour, Auchan, Leroy Merlin dhe Intermarché. Komisioni i Tut Tut varion nga 25 deri në 30% të secilës dërgesë. Supermarketet shohin përfitim duke ulur kostot e shpërndarjes dhe duke promovuar një model më ekologjik.
Pas arritjes së fitimit këtë vit, Tut Tut synon zgjerimin në Spanjë dhe Itali gjatë 2026-s. Drejtori i përgjithshëm Pierre-Etienne Montenot thekson se synimi është të bëhen liderë në shpërndarjen e “kilometrit të fundit” në Europë, edhe pse tregon se tregje si Gjermania nuk janë ende gati, ndërsa ai britanik është shumë i maturuar dhe digjitalizuar.
Sipas kompanisë, investimi i nevojshëm për zgjerimin arrin 2-3 milionë euro, ndërsa interesi i investitorëve është i lartë. Montenot thekson se fuqia e modelit qëndron në fleksibilitetin, ndikimin social dhe mungesën e emetimeve shtesë, tre elementë që sipas tij i duhen Europës dhe botës për të balancuar rritjen e e-commerce.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.