Gjatë fjalimit të tij në ceremoninë përkujtimore të Charlie Kirk të dielën, ish-presidenti amerikan Donald Trump bëri një devijim të papritur duke paralajmëruar një njoftim nga Zyra Ovale të hënën, që sipas tij lidhet me autizmin.
“Mendoj se do të jetë diçka e jashtëzakonshme,” tha ai. “Besoj se kemi gjetur një përgjigje për autizmin.”
Trump nuk dha detaje të sakta, por shtoi se administrata e tij “nuk do ta lejojë më të ndodhë.” Ai e cilësoi njoftimin e së hënës si “një nga konferencat më të rëndësishme për shtyp” të mbajtura ndonjëherë prej tij.
Sipas Wall Street Journal, njoftimi pritet të lidhet me përdorimin e ilaçit kundër dhimbjes Tylenol (acetaminophen) gjatë shtatzënisë dhe nivelet e ulëta të folatit – një vitaminë thelbësore për zhvillimin e trurit dhe shtyllës kurrizore të fetusit. Administrata e Trump pritet të theksojë gjithashtu rolin e acidit folinik (i njohur edhe si leucovorin) në uljen e simptomave të autizmit.
Folatet tashmë rekomandohen për gratë shtatzëna për të parandaluar defekte të tubit nervor, si spina bifida. Tylenol, emri tregtar i acetaminophen, është një nga barnat më të përdorura në SHBA, përfshirë edhe gjatë shtatzënisë.
Sipas Washington Post, autoritetet shëndetësore amerikane planifikojnë të paralajmërojnë gratë shtatzëna që të shmangin përdorimin e acetaminophen në fillim të shtatzënisë, përveç rasteve kur ato kanë temperaturë.
Kompania Kenvue, prodhuesi i Tylenol, deklaroi se ka zhvilluar një “shkëmbim shkencor” me Departamentin Amerikan të Shëndetësisë për këtë çështje dhe theksoi se gratë shtatzëna duhet të konsultohen me mjekun e tyre përpara përdorimit të çdo medikamenti pa recetë.
“Acetaminophen është opsioni më i sigurt i lehtësuesit të dhimbjes për gratë shtatzëna gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë, kur përdoret sipas nevojës,” thuhej në deklaratën e kompanisë. “Pa të, gratë do të përballeshin me zgjedhje të rrezikshme: ose të vuajnë nga gjendje si ethet, që janë potencialisht të dëmshme si për nënën ashtu edhe për beben, ose të përdorin alternativa më të rrezikshme.”
Çfarë thonë ekspertët
Kenvue nënvizoi se “mbi një dekadë kërkime rigoroze, të mbështetura nga profesionistë kryesorë të mjekësisë dhe rregullatorë globalë të shëndetit, nuk kanë gjetur asnjë provë të besueshme që lidh acetaminophen me autizmin.”
Edhe ekspertët e pavarur janë të një mendimi.
“Nuk ka prova të qarta që të vërtetojnë një lidhje direkte midis përdorimit të kujdesshëm të acetaminophen gjatë shtatzënisë dhe problemeve në zhvillimin e fetusit,” tha Dr. Christopher Zahn, drejtues i praktikës klinike në Kolegjin Amerikan të Obstetërve dhe Gjinekologëve.
“Sëmundjet neurozhvillimore janë multifaktoriale dhe shumë të vështira për t’u lidhur me një shkak të vetëm. Gratë shtatzëna nuk duhet të tremben nga përdorimi i acetaminophen, i cili mbetet një nga opsionet e pakta dhe të sigurta për lehtësimin e dhimbjes gjatë shtatzënisë.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.