Për gati një dekadë, përmirësimet vjetore të telefonave inteligjentë janë përqendruar tek kamerat më të mprehta, ekranet më të mëdha dhe bateritë me jetëgjatësi më të madhe. Por, sipas Apple, këto nuk mjaftojnë më për të magjepsur konsumatorët.
Një ridizajnim i madh pas gati 10 vitesh
Të martën, kompania prezantoi iPhone Air, ndryshimin më të madh në dizajnin e produktit të saj kryesor që prej afro një dekade. Gjatë prezantimit, një drejtues i Apple e përshkroi pajisjen si “aq të hollë dhe të lehtë, sa duket sikur zhduket në duar”. Ky debutim vjen në një moment kur jo vetëm iPhone, por e gjithë tregu i smartphone-ve, ka nevojë për freski. Shitjet e iPhone 16 gjatë fundjavës së lançimit në vitin 2024 ishin më të ulëta se një vit më parë, duke rritur presionin mbi Apple që të impresionojë me iPhone Air dhe linjën e re iPhone 17. Analistët e kanë pritur për më shumë se një dekadë një “supercikël” përditësimi, si ai i iPhone 6 – një nga telefonat më të suksesshëm në historinë e kompanisë. Sipas Francisco Jeronimo, analist i IDC, fakti që iPhone 17 sjell ridizajnimin më të madh që nga iPhone X, është tashmë një arsye e fortë që shumë përdorues të mendojnë për përmirësim.
Tregu i smartphone-ve: nga rënia në rimëkëmbje të ngadaltë
Vitet e fundit kanë qenë të vështira: në tremujorin e katërt të vitit 2022 u regjistrua rënia më e madhe e shitjeve ndonjëherë, sipas IDC. Edhe gjatë vitit 2023, Counterpoint Research raportoi tetë tremujorë radhazi me rënie. Por në vitin 2025 panorama ka ndryshuar disi: shitjet globale u rritën me 1.4% në tremujorin e dytë, edhe pse inflacioni, papunësia dhe pasiguria tregtare vazhdojnë të frenojnë kërkesën. Në të njëjtën kohë, konsumatorët po i mbajnë telefonat shumë më gjatë. Morgan Stanley parashikon që cikli i zëvendësimit të arrijë në 5 vite deri në vitin 2026, ndërsa CEO i Verizon theksoi se abonentët po mbajnë telefonat “shumë më gjatë se 36 muajt” që dikur konsideroheshin standard. Kjo do të thotë se shumica e përdoruesve ndërrojnë telefon vetëm nga nevoja – p.sh. për shkak të baterisë, ekranit të thyer apo problemeve teknike – dhe jo për shkak të funksioneve të reja.
Konkurenca: foldable dhe inovacione të tjera
Gjigantët e teknologjisë kanë vite që përpiqen të risjellin emocionin në treg. Samsung prezantoi telefonin e parë me ekran të palosshëm në 2019 dhe modelet e fundit Galaxy Z Fold dhe Z Flip kanë parë një rritje të fortë të porosive. Motorola, Google dhe gjigantë kinezë si Oppo kanë ndjekur të njëjtën rrugë. Apple ende nuk ka prezantuar një telefon të palosshëm, por ka zgjeruar ndjeshëm shërbimet digjitale dhe pajisjet e veshshme, që sot përbëjnë segmentin e dytë më të madh të biznesit të saj pas iPhone.
Lexo edhe: AirPods Pro 3 mund të përkthejnë bisedat live direkt në vesh
Si mund ta bëjë iPhone Air emocionues sërish
Me iPhone Air, Apple sjell për herë të parë pas gati një dekade një model që duket dhe ndihet realisht ndryshe. Që nga iPhone X i vitit 2017, ndryshimet në pamje kanë qenë kryesisht të vogla. Modeli i ri është më i hollë, më i lehtë dhe ofron një dizajn krejt tjetër nga paraardhësit. Edhe pse ka disa kufizime (p.sh. vetëm një kamerë), ai mund të tërheqë blerësit që duan një pajisje të re në ndjesi, pa u interesuar shumë për kamerat apo ekranet më të mëdha. Dan Ives, analist i Wedbush Securities, thekson se ridizajnet e guximshme mund të nxisin një valë përmirësimesh në 12-18 muajt e ardhshëm. Sipas Forrester, ky ridizajnim mund të tërheqë veçanërisht ata përdorues që kanë hezituar të ndërrojnë telefonat e vjetër për shkak të mungesës së opsioneve të dallueshme. Përqendrimi tek hollësia shihet edhe si një hap drejt një të ardhmeje ku Apple mund të sjellë një iPhone të palosshëm.
Teknologji të reja: çipi N1 dhe opsioni pa porta
iPhone Air prezanton një çip të ri të rrjeteve wireless, N1, që përmirëson ndjeshëm lidhjet Wi-Fi dhe Bluetooth. Ky hap është kritik nëse Apple do të sjellë në të ardhmen një iPhone pa porta, siç kanë raportuar burime të Bloomberg. Një model i tillë do të mbështetej plotësisht në lidhjet wireless për karikim dhe transferim të të dhënave.
Përgatitja për epokën e pajisjeve të reja me AI
Ndërkohë, gjigantët e teknologjisë po investojnë në pajisje të reja si syzet inteligjente të bazuara në AI, që mund të analizojnë mjedisin përreth dhe të japin përgjigje në kohë reale. Meta, Google, Samsung dhe edhe vetë ish-dizajneri i Apple Jony Ive (së bashku me OpenAI) po punojnë në pajisje të tilla. Apple e di që një ditë smartphone-i mund të mos jetë më qendra e jetës digjitale. Vetë Eddy Cue, zëvendëspresident i Apple, ka thënë se “ndoshta pas 10 vitesh nuk do t’ju duhet më një iPhone”. iPhone Air shihet si hapi i parë drejt asaj epoke të re – një epokë ku smartphone-i mund të duket dhe të funksionojë ndryshe, por që ende mbetet i pazëvendësueshëm në jetën tonë të përditshme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto