Nga Alexandra Reeve Givens dhe Karen Kornbluh – Në korrik, administrata Trump organizoi një aktivitet me titull “Fitimi i garës së AI”, ku prezantoi Planin e saj të Veprimit për Inteligjencën Artificiale. Ashtu si marrëveshjet miliarda-dollarëshe për qendrat e të dhënave, të shpallura gjatë vizitës së presidentit Donald Trump këtë maj në Gjirin Persik edhe ky plan synon të forcojë lidershipin amerikan në fushën e AI. Por duke qenë se as plani dhe as njoftimet e mëparshme nuk përmendën të drejtat e njeriut, lind me të drejtë pyetja se çfarë do të thotë realisht për SHBA-në “të fitojë” këtë garë.
Shumëkush në Uashington dhe në Silicon Valley thjesht supozon se teknologjia amerikane është, pothuajse nga vetë natyra e saj, e përputhshme me vlerat demokratike. Siç deklaroi drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, para Kongresit këtë maj: “Ne duam të sigurohemi që AI demokratike të fitojë ndaj AI autoritare.” Ky është një qëndrim i mirë, por sistemet e reja teknologjike nuk mbrojnë automatikisht të drejtat e njeriut. Politikanët dhe kompanitë duhet të marrin masa konkrete që zbatimi i AI të përmbushë standarde e kushte të caktuara – ashtu si ndodh tashmë në shumë industri të tjera.
Raporte të fundit nga Grupi i Punës i OKB-së për Biznesin dhe të Drejtat e Njeriut, nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së, dhe nga Koalicioni Freedom Online, kanë theksuar se qeveritë dhe kompanitë kanë detyrimin të vlerësojnë se si sistemet e AI ndikojnë mbi të drejtat e njerëzve. Kuadrot ndërkombëtare ekzistuese u kërkojnë bizneseve të respektojnë të drejtat e njeriut dhe të shmangin abuzimet përmes aktiviteteve të tyre. Megjithatë, shumica e kompanive të AI ende nuk e kanë pranuar dhe afirmuar qartazi këtë përgjegjësiKëto thirrje për veprim nuk janë diçka e re, ato riafirmojnë detyrime që tashmë i mbartin industritë e tjera. Shumica e kompanive të mëdha janë të vetëdijshme se duhet të kryejnë vlerësime për ndikimin mbi të drejtat e njeriut përpara se të blejnë apo përdorin sisteme të reja; të integrojnë kujdesin për të drejtat e njeriut në projektimin e produkteve dhe në vendimmarrjen e tyre; të përfshijnë garanci kontraktuale për të parandaluar abuzimet; dhe të ofrojnë mjete efektive riparimi kur shfaqen dëme.
Sfida me AI nuk qëndron tek paqartësia e standardeve, por tek fakti se shumë kompani – dhe qeveri – veprojnë sikur këto standarde nuk vlejnë për to. Shembull i kësaj janë marrëveshjet e Trump për AI në Gjirin Persik. Nëse finalizohen, këto investime mund të forcojnë ambiciet e rajonit për t’u bërë një qendër globale e AI, duke ngritur pyetje të shqetësuara nëse SHBA dhe liderët e saj teknologjikë po braktisin angazhime të hershme.
Lexo edhe: Franca drejt kolapsit politik. A po rrezikohet ekonomia e dytë më e madhe e Europës?
Në Emiratet e Bashkuara Arabe, SHBA ka miratuar transferimin e çipave të avancuar për G42, një kompani emirate e AI, si pjesë e një plani më të gjerë për të ndërtuar një kampus gjigant të AI në Abu Dhabi. Në Arabinë Saudite, një kompani e re shtetërore sapo ka shpallur marrëveshje shumë miliardë-dollarëshe me firma amerikane për të blerë çipa dhe për të ndërtuar infrastrukturë. Po ashtu, kompania e Elon Musk, Starlink, ka marrë leje të operojë në Mbretëri. Asnjë nga këto njoftime nuk përfshiu garanci për të siguruar që teknologjia nuk do të përdoret për survejim apo shtypje.
Rreziku nuk është hipotetik. Emiratet janë të njohura për përdorimin e softuerëve spiunë kundër gazetarëve dhe disidentëve, ndërsa Arabia Saudite është përfshirë në represione transnacionale dhe mbetet e lidhur ngushtë me krizën humanitare në Jemen. Kapacitetet e reja të AI forcojnë ndjeshëm fuqinë e qeverive për të shkelur të drejtat themelore, duke sintetizuar informacion mbi disidentët, duke kryer survejim në kohë reale, duke analizuar postime në rrjetet sociale dhe komunikimet private, si dhe duke kontrolluar prodhimin e modeleve të AI.
Ndryshe nga mallrat tradicionale ose infrastruktura fizike, sistemet e AI mund të transferohen në mënyrë digjitale dhe të zbatohen me pak vëzhgim publik. Nën një strategji të ashtuquajtur AI sovrane, ku qeveria zhvillon dhe kontrollon sistemet e AI që u ofrohen qytetarëve, këto teknologji mund të shndërrohen shpejt në instrumente të pushtetit shtetëror. Ndërsa kompanitë amerikane shtojnë marrëveshjet ndërkombëtare me mbështetje të fortë nga administrata Trump, mungesa e angazhimeve për të drejtat e njeriut përbën një kthesë të rrezikshme.
Është gjithashtu një mundësi e humbur. Aksesi në teknologjitë më të avancuara amerikane mund të përdorej si mjet presioni, si për të promovuar aplikime që respektojnë të drejtat e njeriut, ashtu edhe për të mbrojtur teknologjinë nga abuzimet. Nuk ka nevojë të nisemi nga zeroja. Parimet Udhëzuese të OKB-së për Biznesin dhe të Drejtat e Njeriut, të miratuara nga SHBA dhe shumë aleatë, kërkojnë nga kompanitë të shmangin shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të adresojnë çdo dëm që mund të shkaktojnë.
Udhëzimet e OECD për Ndërmarrjet Shumëkombëshe shkojnë edhe më tej, duke kërkuar kujdes dhe kontroll të plotë në të gjitha operacionet dhe zinxhirët e furnizimit. Ndërkohë, Global Network Initiative (GNI), e krijuar nga kompani të mëdha teknologjike 17 vite më parë, ka vendosur parime për mbrojtjen e privatësisë së përdoruesve dhe të lirisë së shprehjes në tregje me rrezik të lartë, me kompani anëtare që vlerësohen rregullisht për përputhshmëri (organizata jonë ka qenë një ndër themelueset).
Kompani si Coca-Cola, Volkswagen dhe Estée Lauder tashmë zbatojnë këto kuadro ose i nënshtrohen mbikëqyrjes së pavarur, ashtu si edhe disa firma teknologjike. Por industria e teknologjisë, në pjesën më të madhe, nuk e ka pranuar qartazi këtë përgjegjësi për AI, megjithëse nevoja është edhe më e madhe pikërisht këtu. Si hap të parë, kompanitë kryesore të AI që nuk janë ende pjesë e GNI mund të përfitojnë nga ky rrjet dhe kuadri i tij.
Një memo e publikuar së fundmi nga CEO i Anthropic, Dario Amodei, tregon qartë se çfarë është në rrezik. Duke shpallur vendimin e kompanisë për të pranuar investime nga shtetet e Gjirit, pas deklarimeve të mëparshme se nuk do ta bënte, Amodei arsyetoi: “Është krejtësisht e përputhshme të mbrosh një politikë të tipit ‘askush nuk lejohet të bëjë x’, por më pas, nëse politika dështon dhe të gjithë të tjerët e bëjnë x, ta bësh edhe ti me hezitim.”
Nëse kompanitë e AI përfundojnë në një “garë drejt fundit”, çfarë shprese do të mbetet për mbrojtjen e të drejtave themelore? Nëse “fitorja” në garën e AI nënkupton braktisjen e vlerave që na dallojnë nga rivalët autoritarë si Kina, atëherë do të kemi një fitore të Pirros. E ardhmja jonë nuk do të sigurohet vetëm pse teknologjia është amerikane.
Ende nuk është vonë që qeveritë dhe kompanitë të angazhohen për zbatimin e standardeve të konsoliduara të të drejtave të njeriut në AI. Mjetet janë tashmë në dispozicion; nuk ka asnjë justifikim për të mos i përdorur.
*Alexandra Reeve Givens, ish-drejtore e Zyrës Kombëtare për Inteligjencën Artificiale, është drejtuese e Center for Democracy & Technology.
*Karen Kornbluh, ish-ambasadore e SHBA-së në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, është studiuese dhe drejtoreshë e Digital Innovation and Democracy Initiative pranë German Marshall Fund of the United States.
Copyright: Project Syndicate, 2025 – www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto