MrBeast, YouTuberi 27-vjeçar i njohur për sfidat madhështore dhe dhuratat e tij, po futet në një fushë të re: sipas raportimeve, ai po përgatitet të nisë kompaninë e tij të telefonisë.
Sipas Business Insider, i cili ka parë një prezantim të brendshëm për investitorët, MrBeast planifikon të lançojë një shërbim telefonie vitin e ardhshëm. Po ashtu, raportohet se ai dhe drejtuesit e Beast Industries po shqyrtojnë mundësi në sektorin e fintech dhe lojërave mobile. Plani i tij i ri parashikon krijimin e një operatori virtual të rrjeteve mobile (MVNO), një strategji që i lejon të ofrojë shërbim celular duke përdorur rrjetet ekzistuese të gjigantëve si AT&T, T-Mobile dhe Verizon. Kjo i mundëson MrBeast-it të ofrojë çmime të përballueshme dhe shërbim cilësor pa pasur koston e lartë të ndërtimit të një rrjeti të vetin.
Lexo edhe: Shqipëria me pagën minimale më të ulët në Europë
Ky model është përdorur edhe nga figura të tjera të njohura, si Ryan Reynolds me Mint Mobile, i cili më pas u shit te T-Mobile për rreth 1.35 miliardë dollarë. T-Mobile, që ofron zgjidhje MVNO, ka bashkëpunuar më parë edhe me MrBeast.
Ky hap i ri është pjesë e strategjisë së MrBeast për të zgjeruar markën e tij, e cila tashmë përfshin kompanitë ushqimore Feastables dhe Lunchly, si edhe një linjë lodrash. Nisja e kompanisë së telefonisë mund të ndihmojë që biznesi i tij të bëhet fitimprurës. Edhe pse MrBeast ka një bazë gjigante fansash me rreth 430 milionë abonentë në YouTube, biznesi i tij mediatik aktualisht nuk gjeneron fitime.
Vitin e kaluar, sipas Bloomberg, kompania anësore e tij Feastables gjeneroi rreth 250 milionë dollarë në shitje dhe mbi 20 milionë dollarë fitim. Ndërkohë, aktiviteti mediatik – që përfshin kanalin në YouTube dhe shfaqjen e tij të realitetit në Prime Video – humbi pothuajse 80 milionë dollarë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto