Efekti domino i Ozempic, nga dieta e konsumatorëve te rritja ekonomike - Business Magazine Albania

Efekti domino i Ozempic, nga dieta e konsumatorëve te rritja ekonomike

Përdorimi në rritje i barnave GLP-1 po prek sektorë të tërë: dyqanet ushqimore dhe restorantet po raportojnë shporta më të lehta, linjat ajrore parashikojnë kursime në karburant dhe sistemet shëndetësore shohin mundësinë e uljes së kostove, ndërsa Danimarka përballet me tkurrje të parashikimit të rritjes ekonomike.

Së fundmi, Danimarka uli përgjysmë parashikimin e saj për rritjen ekonomike të vitit 2025, pas ngadalësimit të kompanisë farmaceutike Novo Nordisk, prodhueses së barnave kundër diabetit Ozempic dhe Wegovy, që janë bërë jashtëzakonisht të njohura mes atyre që kërkojnë të humbin peshë shpejt.

Parashikimi i rishikuar, nga 3% në vetëm 1.4% lidhet kryesisht me pritshmëritë më të dobëta për gjigantin farmaceutik, pasi një vit më parë ekonomia ishte rritur me 3.7% falë bumit të eksporteve farmaceutike.Rënia ka ardhur pjesërisht nga akumulimi i stokut dhe konkurrenca gjithnjë në rritje në tregun e barnave për humbje peshe, përfshirë edhe një ulje të eksporteve drejt SHBA-së në fillim të vitit 2025. Medikamenti më i përfolur i kohës nuk ka fuqinë vetëm të lëkundë çmimet e aksioneve, por edhe të ndikojë drejtpërdrejt mbi të ardhurat, bilancin tregtar dhe të ardhurat fiskale të një vendi të tërë.

Ekonomia e “Ozempic”
Prej dy vitesh, Danimarka është kthyer në shembullin më të qartë të asaj që quhet “ekonomia e GLP-1”. GLP-1 është një hormon natyral i çliruar nga zorra pas ushqimit, që ndihmon në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe oreksit, duke parandaluar rritjet e papritura të glukozës. Agonistët e receptorëve GLP-1, si Wegovy dhe Ozempic, imitojnë efektin e këtij hormoni tek pacientët me diabet tip 2, kur organizmi nuk prodhon më insulinë në mënyrë të natyrshme. Barnat e reduktojnë prodhimin e sheqerit nga mëlçia, ngadalësojnë tretjen dhe krijojnë ndjenjën e ngopjes.

Efektet e ngopjes, së bashku me uljen e inflamacionit të lidhur me insulinën, kanë sjellë humbje peshe të dukshme edhe tek personat pa diabet, duke nxitur histori të bujshme suksesi nga të famshëm dhe nga individë që për vite janë përballur me obezitetin.

Në vitin 2023, Danmarks Statistik raportoi hapur se pa shitjet farmaceutike, ekonomia do të ishte tkurrur lehtë; ndërkohë, falë tyre PBB-ja u rrit me 1.8%. Pikërisht kjo përqendrim i jashtëzakonshëm fitimesh shpjegon pse ngadalësimi i një kompanie të vetme mund të ulë me përqindje të tëra perspektivën ekonomike të një vendi.

Prognoza e re reflekton pritshmëri më të zbehta për Novo Nordisk dhe eksporte më të ngadalta pas një periudhe të suksesshme. Konkurrenca nga Eli Lilly në SHBA, kufizimet e furnizimit dhe presionet mbi çmimet kanë zbehur besimin, ndërkohë që tarifat e reja amerikane kufizojnë eksportet drejt një prej tregjeve më të etura për Ozempic.

Në të njëjtën kohë, në bursat amerikane po përshkruhet një panoramë krejt tjetër në planin afatgjatë: nëse barnat GLP-1 përhapen gjerësisht në industrinë shëndetësore, produktiviteti dhe modelet e konsumit mund të ndryshojnë në mënyra që rrisin PBB-në.

Goldman Sachs vlerëson se vetëm këto barna mund të rrisin nivelin e PBB-së amerikane me rreth 0.4%, madje mbi 1% nëse adoptimi bëhet masiv. Shëndeti më i mirë, më pak sëmundje të lidhura me obezitetin, pjesëmarrje më e lartë në tregun e punës dhe orientimi i konsumatorëve drejt shportave më të shëndetshme janë disa nga arsyet kryesore.

Një raport i bankës nga marsi 2024 theksonte se “shëndeti i dobët i kushton ekonomisë amerikane më shumë se 10% të PBB-së, për shkak të mungesave në punë, paaftësive, vdekjeve të parakohshme dhe kujdesit joformal.”

Përveç uljes së obezitetit, agonistët GLP-1 kanë treguar rezultate premtuese edhe tek pacientët me probleme kardiake, tension të lartë apo sëmundje të veshkave.

Efekt domino në treg
Që në vitin 2023, drejtori ekzekutiv i Walmart deklaroi se shportat e blerjeve të përdoruesve të GLP-1 kishin “më pak njësi, pak më pak kalori” dhe një “tkurrje të lehtë të shportës totale”.

Edhe industria e aviacionit është futur në diskutim. Analistët kanë llogaritur se, nëse përdorimi i gjerë i GLP-1 redukton peshën mesatare të pasagjerëve, linjat ajrore mund ta përfshijnë këtë në llogaritjet e konsumit të karburantit.

Një vlerësim i shpeshpërmendur sugjeron se kompanitë kryesore amerikane të fluturimeve mund të kursejnë rreth 80 milionë dollarë në vit nëse pasagjeri mesatar do të ishte 10 paund më i lehtë. Edhe pse këto kursime janë për momentin hipotetike, ato tregojnë sesa të përhapura janë efektet e barnave si Ozempic në treg.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0