Gjykata e Apelit për Qarkun Federal vendosi të premten se Donald Trump e kishte tepruar kur shpalli gjendje emergjente kombëtare për të justifikuar vendosjen e taksave të gjera mbi importet nga pothuajse çdo vend i botës. Ish-presidenti Trump ka pretenduar se ka pushtet pothuajse të pakufizuar për të anashkaluar Kongresin dhe për të vendosur taksa të rënda mbi produktet e huaja. Tani, një gjykatë federale i ka vënë një pengesë serioze në këtë rrugë.
Vendimi i Gjykatës së Apelit për Qarkun Federal, që në pjesën më të madhe mbështeti një vendim të majit të një gjykate të specializuar tregtare në Nju Jork, u dha të premten. Megjithatë, vendimi i ngushtë 7-4 hodhi poshtë një pjesë të atij vendimi, duke mos i hequr menjëherë tarifat, për t’i lënë administratës kohë të apelojë në Gjykatën e Lartë të SHBA.Ky vendim është një goditje e rëndësishme për Trump, politikat tregtare të të cilit kanë tronditur tregjet financiare, kanë paralizuar bizneset me pasiguri dhe kanë nxitur frikën për çmime më të larta dhe rritje ekonomike më të ngadaltë.
Cilat tarifa u rrëzuan nga gjykata?
Vendimi i gjykatës lidhet me tarifat që Trump vendosi mbi pothuajse të gjithë partnerët tregtarë të SHBA në prill, si dhe me taksat që kishte vendosur më herët mbi Kinën, Meksikën dhe Kanadanë. Më 2 prill, një ditë që ai e quajti “Dita e Çlirimit”, Trump shpalli tarifat e ashtuquajtura reciproke deri në 50% mbi vendet me të cilat SHBA ka deficit tregtar, si dhe tarifa bazë prej 10% mbi thuajse të gjithë të tjerët.
Presidenti më pas i pezulloi tarifat reciproke për 90 ditë, për t’u dhënë kohë vendeve të negociojnë marrëveshje tregtare me SHBA dhe të ulnin barrierat për eksportet amerikane. Disa vende pranuan, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Japoninë dhe Bashkimin Evropian duke pranuar marrëveshje të pabarabarta për të shmangur tarifa më të larta.
Ata që nuk iu nënshtruan, ose thënë ndryshe e zemëruan Trumpin, u goditën më rëndë më herët këtë muaj. Laosi u godit me një tarifë 40%, ndërsa Algjeria me një tarifë 30%. Trump gjithashtu i mbajti tarifat bazë në fuqi.
Duke pretenduar pushtet të jashtëzakonshëm për të vepruar pa miratimin e Kongresit, Trump justifikoi taksat duke shpallur deficitin tregtar të SHBA një “emergjencë kombëtare” sipas Ligjit të Fuqive Ekonomike Ndërkombëtare në Rast Emergjence të vitit 1977.
Lexo edhe: Marrëveshja tregtare BE-SHBA përballet me rezistencë në Parlamentin Europian
Në shkurt, ai e përdori ligjin për të vendosur tarifa mbi Kanadanë, Meksikën dhe Kinën, duke thënë se fluksi i paligjshëm i emigrantëve dhe drogës përtej kufirit përbënte emergjencë kombëtare dhe se këto vende duhej të bënin më shumë për ta ndaluar atë.
Kushtetuta e SHBA i jep Kongresit pushtetin për të vendosur taksat, përfshirë tarifat. Por gjatë viteve, ligjvënësit i kanë dhënë presidentëve gjithnjë e më shumë hapësirë veprimi dhe Trump e ka shfrytëzuar këtë maksimalisht.
Sfida gjyqësore nuk mbulon tarifa të tjera të Trumpit, si ato mbi çelikun, aluminin dhe makinat e huaja, të vendosura pas hetimeve të Departamentit të Tregtisë që i shpallën këto importe kërcënim për sigurinë kombëtare. Ajo gjithashtu nuk përfshin tarifat e para ndaj Kinës, të vendosura në mandatin e parë të Trump dhe të mbajtura nga presidenti Joe Biden, pas hetimeve që treguan praktika të padrejta të Pekinit në favor të kompanive të tyre teknologjike.
Pse gjykata vendosi kundër presidentit?
Administrata argumentoi se gjykatat kishin pranuar dikur përdorimin e tarifave nga presidenti Richard Nixon pas krizës ekonomike që pasoi vendimin e tij për të ndërprerë lidhjen e dollarit me arin. Nixon e justifikoi atëherë mbi bazën e Aktit të Tregtisë me Armikun të vitit 1917, i cili i parapriu dhe frymëzoi disa nga formulimet e ligjit të emergjencave ekonomike të vitit 1977.
Në maj, Gjykata Ndërkombëtare e Tregtisë në Nju Jork hodhi poshtë argumentin, duke vendosur se tarifat e Trump për “Ditën e Çlirimit” “tejkalojnë çdo autoritet të dhënë presidentit” nga ligji i emergjencës ekonomike.
Çfarë do të thotë kjo për agjendën tregtare të Trump?
Qeveria ka argumentuar se nëse tarifat e Trump do të hiqen, ajo mund të detyrohet të kthejë një pjesë të taksave të mbledhura nga importet, duke i shkaktuar një goditje financiare Thesarit Amerikan. Të ardhurat nga tarifat arritën në 159 miliardë dollarë deri në korrik, më shumë se dyfishi i vitit të kaluar. Departamenti i Drejtësisë madje paralajmëroi se anulimi i tyre mund të sillte “falimentim financiar” për SHBA.
Kjo gjithashtu mund të dobësojë pozitat e Trump për vendosjen e tarifave në të ardhmen.
Presidenti u zotua ta çojë çështjen në Gjykatën e Lartë. “Nëse lihet në fuqi, ky vendim do të shkatërronte fjalë për fjalë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” shkroi ai në rrjetin e tij social.
Trump ka ende alternativa ligjore për të vendosur taksa mbi importet, por ato do ta kufizonin shpejtësinë dhe ashpërsinë me të cilën mund të vepronte. Për shembull, Gjykata Tregtare në maj vuri në dukje se Trump ka ende një pushtet më të kufizuar për të vendosur tarifa për të adresuar deficitin tregtar sipas Aktit të Tregtisë të vitit 1974, por ky ligj i kufizon tarifat në 15% dhe për vetëm 150 ditë.
Administrata mund të përdorë gjithashtu një dispozitë tjetër ligjore, Seksioni 232 i Aktit të Zgjerimit të Tregtisë të vitit 1962, siç bëri me tarifat për çelikun, aluminin dhe makinat e huaja. Por kjo kërkon një hetim nga Departamenti i Tregtisë dhe nuk mund të vendoset vetëm me dekret presidencial.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto