Pas Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka ngritur alarmin mbi aktivitetin e paligjshëm të platformës TXEX, si dhe të platformave të ngjashme XUEXA dhe GROKREXDUU, të cilat po operojnë në mënyrë të paautorizuar në Shqipëri.
AMF paralajmëron qytetarët se këto platforma shfaqen si aplikacione investimi që i ofrojnë përdoruesve “sinjale blerjeje” për kriptovaluta, duke krijuar përshtypjen se përdoruesit mund të ndikojnë mbi çmimet dhe të përfitojnë. Por, sipas institucionit, ky mekanizëm është plotësisht fiktiv dhe nuk pasqyron asnjë veprim real tregtar.
AMF thekson se deri më sot nuk ka licencuar asnjë subjekt për të operuar në tregjet e bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, sipas ligjit nr. 66/2020.
Lexo edhe: AKSK: Kujdes nga skemat mashtruese të investimeve online – Rasti TXEX
Edhe AKSK ka paralajmëruar publikisht se TXEX dhe platformat e ngjashme përbëjnë një skemë të pastër mashtrimi digjital.
Në vijim të paralajmërimeve, Policia e Shtetit, përmes Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Krimit Ekonomik e Financiar, ka bërë të ditur se ka nisur një hetim penal për një skemë të dyshuar investimesh piramidale nëpërmjet këtyre platformave. Hetimi synon të dokumentojë ligjërisht aktivitetin dhe të ndëshkojë autorët.
Institucionet shtetërore u bëjnë thirrje qytetarëve: të mos kryejnë transaksione financiare me këto platforma, të mos ndajnë të dhëna personale sensitive dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë pranë autoriteteve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto