Kanë kaluar gati tre vite nga lançimi i ChatGPT, dhe megjithatë inteligjenca artificiale nuk ka “pushtuar” ende tregun e punës. Sigurisht, AI shpesh përdoret si justifikim nga drejtuesit që tashmë kishin planifikuar të shkurtonin staf ose ta zhvendosnin atë jashtë vendit. Por problemet e shumta të teknologjisë, si “halucinacionet” e saj, rreziqet ligjore dhe çështjet e sigurisë, e bëjnë atë larg nga një zëvendësim i përshtatshëm për njerëzit. Pa përmendur faktin që 95% e bizneseve që nisin transformime me AI dështojnë.
Megjithatë, investitorët nuk duken të shqetësuar. Mjafton përmendja e një “strategie AI” në raportet tremujore që aksionet e kompanive të rriten me shpejtësi. Kjo është edhe një nga arsyet pse Coinbase, platforma më e madhe e kriptovalutave në SHBA, pushkoi nga puna punonjësit që nuk pranuan “valën AI”.
Sipas Fortune, fushata u udhëhoq nga CEO miliarder i Coinbase, Brian Armstrong. Gjithçka nisi pasi kompania bleu akses në dy mjete AI për programuesit: Anysphere Cursor dhe GitHub Copilot. Në një intervistë për podkastin “Cheeky Pint”, Armstrong pranoi se “e mora situatën vetë në dorë”, duke i dhënë inxhinierëve vetëm një javë kohë për t’u përshtatur ose për të humbur vendin e punës. Për krahasim, Harvard Business Review thekson se zbatimi efektiv i AI në kompani mund të marrë vite, madje dekada. “Thashë: ‘AI është i rëndësishëm. Dua që të mësoni dhe të jeni gati. Nuk është e nevojshme ta përdorni çdo ditë menjëherë, por deri në fund të javës duhet të jeni në bord. Përndryshe, të shtunën do të bëjmë një takim, dhe dua të kuptoj pse jo,’” rrëfeu ai. Në atë takim, ata që nuk kishin një justifikim bindës, u pushuan nga puna. “Disa kishin arsye të vlefshme, sapo ishin kthyer nga një udhëtim, disa jo. Ata që nuk kishin, u larguan,” tha Armstrong.
Lexo edhe:BE nxit Euro-n digjitale pas ligjit amerikan për Stablecoins
Ideologji apo ekonomi?
Në një postim plot entuziazëm, GitHub e përshkroi Coinbase si një “kompani ku çdo punonjës ka mundësi të kontribuojë drejtpërdrejt në produktin dhe politikat kryesore, pa kompromentuar sigurinë apo përputhshmërinë”. Çmimet për këto shërbime nuk janë publike, por Cursor mund të kushtojë nga 20 deri në 200 dollarë për përdorues në muaj, ndërsa GitHub Enterprise tarifon 39 dollarë për përdorues. Me një të ardhur neto prej pothuajse 1.5 miliardë dollarësh në vetëm tre muaj, për Coinbase këto shpenzime janë minimale. Pra, duket se vendimi i Armstrong lidhet më shumë me ideologjinë dhe bindjet e tij, sesa me kursime financiare.
Armstrong nuk është i vetmi CEO që imponon përdorimin e AI. Vetëm javën e kaluar, u raportua se Eric Vaughan, CEO i firmës IgniteTech me vlerë 26 milionë dollarë, pushoi nga puna 80% të stafit sepse nuk treguan entuziazëm për teknologjinë e re. Ironia? Rezistenca më e madhe vinte pikërisht nga programuesit dhe inxhinierët, ata që në fakt do të duhej të “pastronin” kodin e çrregullt të AI-së, sikur të mos ishin pushuar.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.