Kina dhe Amerika, a mund të bashkohen dy botë kaq të ndryshme? - Business Magazine Albania

Kina dhe Amerika, a mund të bashkohen dy botë kaq të ndryshme?

Nga J. Bradford DeLong– Duhet ta mirëpresim të gjithë botimin e librit të ri të analistit kinezo-kanadez Dan Wang, Breakneck: China’s Quest to Engineer the Future.

Po, jam i njëanshëm, sepse Wang është mik i imi. Por do të thoja të njëjtën gjë edhe sikur të mos e njihja. Dhe nuk jam i vetmi. Ekonomisti Tyler Cowen e ka quajtur Breakneck “ndoshta libri më i mirë i vitit”. John Thornhill i Financial Times e vlerëson si “fascinues, provokues dhe thellësisht personal.” Drejtori ekzekutiv i Stripe, Patrick Collison, thotë se Wang “e ndriçon Kinën si askush tjetër”. Ndërsa Tracy Alloway nga Bloomberg e quan “një nga shkrimtarët më të mirë për Kinën”.Në moshën shtatëvjeçare, familja e Wang u shpërngul nga Yunnan, në jugperëndim të Kinës – ku dialekti lokal ndryshon nga mandarinishtja e Pekinit po aq sa anglishtja e Cajun në Luiziana ndryshon nga ajo e Nju Inglandit. Sot, ai lëviz mes Palo Alto-s dhe Ann Arbor-it, dhe ka jetuar në Toronto, Otava, Filadelfia, Rochester, Freiburg, San Francisko, Kunming, Hong Kong, Pekin, Shangai dhe New Haven.

Si një njeri që ka jetuar = mes Kanadasë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, Wang e përshkruan si Kinën ashtu edhe Amerikën si “mahnitëse, rraskapitëse dhe të çuditshme”. Udhëto nëpër të dyja vendet dhe do të gjesh hapësira që duken të shthurura. Por kjo nuk është një kritikë. Ndryshe nga Kanadaja e rregullt, ku ai ndihet i çlodhur, Kina dhe Amerika mbajnë shenjat e motorëve të ndryshimit global.

Në Breakneck, Kina përshkruhet si “vendi i çekiçit”, ndërsa Amerika si “vendi i çekanit të gjyqtarit”. Elita teknokratike kineze zgjidh problemet me beton, çelik dhe përmasa gjigante; rrugë, ura, termocentrale dhe projekte masive. Ky impuls shtrihet edhe në shoqëri, me politikën famëkeqe të fëmijës së vetëm apo shtypjen në Tibet e Xinjiang. Teknokracia kineze vlerëson rendin, kontrollin dhe arritjet e dukshme.

Lexo edhe: “Truri” i ri 3,500 dollarësh i Nvidia-s, një hap drejt fazës përfundimtare të AI sipas Jensen Huang

Amerika, në kontrast, udhëhiqet nga një elitë legaliste që zgjidh problemet duke shpërndarë të drejta pronësie e sigurie. Kështu krijohen kushtet që njerëzit të jetojnë si të duan, ndërsa sipërmarrja dhe inovacioni vijnë vetvetiu. Reagimi tipik amerikan ndaj çdo problemi është krijimi i një të drejte të re, duke përfshirë gjithnjë e më shumë njerëz në strukturat e dakordësisë dhe miratimit.

Në thelb, megjithatë, amerikanët dhe kinezët janë shumë të ngjashëm, gjë që bëhet më e dukshme kur krahasohen me japonezët e koreanët, apo me kanadezët dhe europianët. Të dy popujt janë energjikë e inovativë, përziejnë materializmin e zhveshur me adhurimin për sipërmarrësit, tolerojnë shijen e dobët, duan konkurrencën, janë pragmatistë dhe shpesh nxitojnë punën vetëm për ta mbaruar. Të dy vendet gumëzhijnë nga zerat e shpresave të shpejta për shëndet e pasuri. Të dy admirojnë madhështinë teknologjike,  projektet gjigante që sfidojnë kufijtë. Elitat dhe masat ndajnë një besim të përbashkët në “Madhështinë Kombëtare”, të mishëruar në Amerikë nga “Qyteti mbi Kodër” i John Winthrop dhe Ronald Reagan, dhe në Kinë nga shkrimet “Vendi Qendror” në enët rituale prej bronzi të Dinastisë Zhou.

Por të dyja shoqëritë janë edhe të ngatërruara me të metat e tyre, shpesh duke u bërë armiqtë më të këqij të vetes. Etiketa si “socialiste”, “demokratike” apo “neoliberale” nuk përshtaten më. Kina ofron përparim të shpejtë material, por me kosto të të drejtave dhe rreziqe të tepruara. Teknokracia e saj leniniste del shpesh nga shinat me eksperimente të inxhinierisë shoqërore, duke u përplasur nga e zbatueshmja te e pamundura. Amerika, nga ana tjetër, ngec në një kulturë të mbingopur me të drejta dhe padi, një “veto-okraci” super-litigjioze që shpenzon energji për të bllokuar, jo për të ndërtuar.

Kina do të përfitonte nga më shumë respekt për të drejtat dhe rregullat e paanshme. Por elita kineze nuk sheh asnjë joshje në një sistem që mund të prodhojë një Donald Trump në vend të një Xi Jinping. Po kështu, SHBA, e cila dikur ndërtonte me guxim, veçanërisht nga fundi i shekullit XIX deri pas Luftës së Dytë Botërore, sot ka nevojë të rigjejë shpirtin ndërtues dhe inxhinierik.

Stanjacioni amerikan shfaqet madje edhe në kufijtë e ekonomisë globale. Silicon Valley predikon shpikjen, por mbron veten përmes efekteve të rrjetit dhe manovrave ligjore. Kina, përkundrazi, lavdëron prodhimin, duke ndjekur etikën e ish-drejtorit të Intel, Andy Grove. Nëse Silicon Valley apo Delta e Lumit Perla do të arrinin të kombinonin përmasën dhe ambicien inxhinierike me të drejta të forta dhe garanci ligjore, do të bëheshin të pathyeshme.

Ajo që e bën Breakneck të veçantë është mënyra se si përzien teorinë, të dhënat ekonomike, sociologjinë dhe përvojën personale. Shumë diskutime mbi Kinën sot kufizohen në raporte të dorës së tretë dhe abstraksione think-tank-esh. Por Wang e ka jetuar historinë. Duke njohur ushqimin, rrugët, qytetet dhe politikën në Kinë, Amerikë dhe Kanada, ai sjell perspektivën e dikujt që është njëherazi brenda dhe jashtë, duke i lejuar lexuesit të shohin, ndiejnë dhe shijojnë vendet që po lëvizin botën bashkëkohore. Detajet që duken si ngjyrosje bëhen vetë substancë e kuptimit.

Një nga detyrat më urgjente të shekullit XXI mund të jetë pikërisht krijimi i një sinteze mes më të mirës që ofrojnë Kina dhe Amerika, duke shmangur njëkohësisht më të keqen e tyre. Lexojeni Breakneck jo vetëm për argumentin që sjell, por edhe për raportimin e gjallë dhe reflektimin mbi kompromiset mes ambicies dhe përmbajtjes, mes ndërtimit dhe bllokimit, mes çekanit të hekurt dhe çekanit të gjyqtarit.

*J. Bradford DeLong, ish-zv.ndihmës sekretar i Thesarit të SHBA, është profesor i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, dhe autor i Slouching Towards Utopia: An Economic History of the Twentieth Century (Basic Books, 2022).

Copyright: Project Syndicate, 2025.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0