Steve Wozniak, bashkëthemeluesi i Apple, ka një mënyrë të veçantë për të parë jetën dhe suksesin. Ai është i njohur për faktin se ndërtoi kompjuterin Apple I jo për të krijuar një produkt tregtar, por sepse donte të ndërtonte diçka “cool”.
Së fundmi, në një intervistë për CBS News, një komentues e ironizoi që kishte dhënë aksionet e tij të Apple që në mesin e viteve ’80, duke humbur kështu mundësinë për t’u bërë miliarder nga rritja e jashtëzakonshme e kompanisë. Por përgjigjja e Wozniak ishte e qartë: “Pasuria dhe pushteti nuk janë ato për të cilat jetoj. Jam njeriu më i lumtur në botë. Jeta për mua nuk ka qenë kurrë për arritje, por për lumturi, e cila është e barabartë me buzëqeshjet minus vrenjtjet. Këtë filozofi e zhvillova kur isha 18-20 vjeç dhe nuk kam tradhtuar kurrë veten.” Mesazhi i tij ishte se nuk kishte aspak pendesë. Ai nuk e mat jetën me pasuri apo të ardhura, por me një formulë të thjeshtë: më shumë buzëqeshje, më pak vrenjtje. Ky është edhe udhëzuesi i tij i pashkruar për suksesin.
Lexo edhe: Nvidia ndalon prodhimin e çipit H20 për Kinën, por paralajmëron model të ri
Wozniak nuk e sheh suksesin si akumulim pasurie, por si gjendje të qenit. Për të, trashëgimia nuk lidhet me ndikim global apo pushtet, por me atë që lë pas në komunitetin tënd. Produktet që ai ndërtonte kishin një kriter kryesor: argëtimin dhe kënaqësinë. Apple II u bë revolucion sepse ishte i lehtë dhe i këndshëm për t’u përdorur. Për të, “fun” nuk ishte një slogan marketingu, por një standard dizajni. Nëse një produkt sillte më shumë buzëqeshje se vrenjtje, atëherë kishte arritur sukses.
Në vend që të ndiqte rritjen, ndikimin apo pasurinë, Wozniak ndoqi rrugën e thjeshtësisë: ndërto gjëra të bukura, bëji të dobishme dhe të këndshme, mbështet institucione që edukojnë dhe frymëzojnë, dhe merr përgjegjësi për atë që krijon. Ai ka mbajtur gjithmonë të drejtën për të folur lirshëm për Apple, si në momentet e mira, ashtu edhe në ato kur nuk ishte dakord. Siç thotë ai vetë: “Askush nuk blen zërin tim.”
Në një botë ku suksesi shpesh matet me pasuri, Wozniak na kujton se formula më e vërtetë është njerëzore: Lumturia = Buzëqeshje – Vrenjtje.
Ky mesazh i thjeshtë, por i fuqishëm, është një kujtesë për të gjithë ne që suksesi nuk është grumbullim, por ndikimi pozitiv që lëmë tek të tjerët dhe gëzimi që ndjejmë përgjatë rrugës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.