Kush punon më gjatë në Europë? Harta që tregon diferencat e mëdha mes vendeve - Business Magazine Albania

Kush punon më gjatë në Europë? Harta që tregon diferencat e mëdha mes vendeve

Numri mesatar i viteve që europianët kalojnë në punë po rritet në të gjithë kontinentin, por diferencat mes vendeve mbeten të mëdha. Euronews Business analizon të dhënat për të shpjeguar pse.

Jetëgjatësia ka qenë në rritje në BE gjatë dekadave të fundit, dhe bashkë me të edhe mosha e daljes në pension në shumë vende, duke bërë që njerëzit të kalojnë më shumë vite në punë.

Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2024, jeta e pritur e punës në BE ishte mesatarisht 37.2 vite, një rritje prej 2.4 vitesh ose 7% krahasuar me vitin 2014, kur ishte 34.8 vite.

Brenda BE-së, jeta e pritur e punës varion nga 32.7 vite në Rumani deri në 43.8 vite në Holandë. Nëse përfshihen vendet kandidate për në BE dhe ato të EFTA-s, shifrat variojnë nga 30.2 vite në Turqi deri në 46.3 vite në Islandë.

Ku punohet më gjatë?
Në përgjithësi, kohëzgjatja e pritshme e jetës në punë ndjek një model gjeografik. Vendet e Europës së Veriu,veçanërisht rajoni nordik kryesojnë me jetën më të gjatë të punës. Islanda mban vendin e parë, ndjekur nga Holanda (43.8 vite) dhe Suedia (43 vite). Danimarka (42.5 vite), Norvegjia (41.2 vite) dhe Finlanda (39.8 vite) janë gjithashtu në 10-shen e parë ndër 35 vende europiane.

Vendet e Europës Perëndimore zakonisht kanë gjithashtu jetë pune mbi mesataren. Zvicra (42.8 vite), Irlanda (40.4 vite) dhe Gjermania (40 vite) e kalojnë kufirin e 40 viteve dhe renditen në top 10. Ndërkohë, Franca (37.3 vite), Belgjika (35 vite) dhe Luksemburgu (35.6 vite) janë pranë ose nën mesataren e BE-së.

Për Mbretërinë e Bashkuar, të dhënat e fundit të disponueshme janë të vitit 2018, me 39.2 vite. Duke marrë parasysh trendin në rritje në BE, shifra aktuale ka gjasa të jetë më e lartë.

Në Europën Jugore, shifrat janë të ndryshme. Portugalia (39.3 vite) dhe Malta (39 vite) kanë jetë pune relativisht të gjatë, ndërsa Italia (32.8 vite), Greqia (34.8 vite) dhe Spanja (36.5 vite) renditen dukshëm më poshtë.

Vendet e Europës Lindore janë kryesisht rreth ose pak nën mesataren e BE-së. Hungaria (37.4 vite) qëndron në nivel mesatar, ndërsa Rumania (32.7 vite) dhe Bulgaria (34.8 vite) raportojnë jetë pune dukshëm më të shkurtër.

Kohëzgjatja më e ulët shënohet në Europën Juglindore dhe Ballkan, përfshirë Turqinë (30.2 vite), Maqedoninë e Veriut (31.5 vite) dhe Malin e Zi (32.1 vite). Të tre janë vende kandidate për në BE, me të dhënat për Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi të vitit 2018.

Lexo edhe: Nga 48€ në Shqipëri, te 3,789€ në Luksemburg, hendeku i mbrojtjes sociale në Europë

Pse ndryshon kaq shumë jeta e punës?
Sipas Prof. Moritz Hess nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara Niederrhein, ndryshimet në kohëzgjatjen e jetës së punës lidhen me disa faktorë:

Kërkesa për punonjës: kur punëdhënësit kanë nevojë për më shumë staf, kjo rrit pjesëmarrjen në tregun e punës dhe zgjat jetën aktive.

Rregulloret institucionale: veçanërisht ato që lidhen me pensionet dhe tregun e punës. Sa më e lartë mosha zyrtare e pensionit dhe sa më pak mundësi për pension të parakohshëm, aq më gjatë njerëzit qëndrojnë në punë.

Diskriminimi mbi bazë moshe (ageism): në vendet ku punëtorët më të moshuar nuk diskriminohen dhe vlerësohen, ata kanë më shumë gjasa të vazhdojnë punën.

Timo Anttila, ligjërues në Universitetin e Jyväskylä në Finlandë, shton se edhe modelet familjare (familje me një ose dy të ardhura), sistemi i pensioneve dhe modeli i kujdesit familjar mund të ndikojnë në kohëzgjatjen e punës.

Pjesëmarrja në tregun e punës – faktori kryesor
Sipas Eurostat, pjesa më e madhe e kohëzgjatjes së jetës në punë shpjegohet nga shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore. Në përgjithësi, vendet me shkallë më të ulët pjesëmarrjeje kanë jetë pune më të shkurtër. Ky faktor shpjegon rreth 81.5% të ndryshimeve mes vendeve.

Shumë vende kanë nisur tashmë të rrisin moshën e daljes në pension. Sipas OECD, deri në vitin 2060, mosha mesatare e pensionit në BE pritet të arrijë rreth 67 vjeç, dhe në disa vende mund të kalojë edhe 70 vjeç.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0