Kosto të larta dhe fitime minimale: biznesi i vështirë i startup-eve të kodimit me AI - Business Magazine Albania

Kosto të larta dhe fitime minimale: biznesi i vështirë i startup-eve të kodimit me AI

Në shkurt, startup-i i kodimit me AI, Windsurf, ishte në bisedime për të ngritur një raund të madh financimi me vlerësim rreth 2.85 miliardë dollarë, i udhëhequr nga Kleiner Perkins, një vlerësim dy herë më i lartë se vetëm gjashtë muaj më parë, sipas burimeve të TechCrunch në atë kohë. Por ajo marrëveshje nuk u konkretizua.

Në vend të saj, në prill u përhap lajmi se startup-i po planifikonte të shitej te OpenAI për një shumë të përafërt 3 miliardë dollarë. Edhe kjo marrëveshje dështoi. Por ajo që mbetet si pyetje thelbësore është: nëse Windsurf po rritej me kaq shpejtësi dhe po tërhiqte interes të madh nga kapitali sipërmarrës, përse do të donte të shitej fare?

Sipas burimeve të brendshme për TechCrunch, pavarësisht popullaritetit dhe zhurmës rreth asistentëve të kodimit me AI, ata mund të jenë në të vërtetë biznese me humbje të mëdha. “Vibe coders” në përgjithësi dhe Windsurf në veçanti mund të kenë struktura kaq të shtrenjta, saqë margjinat bruto rezultojnë të jenë “shumë negative”, tha një person pranë kompanisë. Me fjalë të tjera, kushton më shumë për ta drejtuar produktin sesa ajo çfarë kompania mund të arkëtojë nga përdoruesit.

Kjo vjen si rezultat i kostove të larta për përdorimin e modeleve të mëdha gjuhësore (LLMs). Asistentët e kodimit me AI përballen me presion të madh për të ofruar vazhdimisht modelet më të fundit, më të avancuara – dhe rrjedhimisht, më të shtrenjta – pasi zhvilluesit e modeleve i përmirësojnë në mënyrë të vazhdueshme për detyra si kodimi dhe zgjidhja e gabimeve në kod (debugging).

Ky sfidim përkeqësohet edhe më shumë nga konkurrenca e ashpër në tregun e “vibe-coding” dhe asistencës së kodimit, me rivalë që kanë baza të mëdha klientësh si Anysphere’s Cursor dhe GitHub Copilot.

Lexo edhe: OpenAI ofron ChatGPT për qeverinë amerikane thuajse falas, vetëm 1 dollar për agjenci

Rruga më e qartë për të përmirësuar fitimet? Ndërtimi i modeleve vetjake

Sipas një burimi, “është një biznes shumë i kushtueshëm nëse nuk je pjesë e lojës së modeleve”. Me fjalë të tjera, startup-et që nuk ndërtojnë modelet e veta varen nga furnizues të tillë si Anthropic apo OpenAI, duke përballuar kosto të mëdha operacionale.

Por ndërtimi i një modeli vetjak vjen me rreziqe të mëdha. Themeluesi dhe CEO i Windsurf, Varun Mohan, në fund zgjodhi të mos ndërtonte një model të ri, për shkak të kostos së lartë. Për më tepër, furnizuesit e modeleve po konkurrojnë gjithnjë e më drejtpërdrejt: Anthropic ofron Claude Code, ndërsa OpenAI ka Codex.

Vendimi për të shitur kompaninë ishte një lëvizje strategjike për të siguruar një kthim të lartë përpara se të minohej nga vetë furnizuesit e teknologjisë që e fuqizonin atë – përfshirë OpenAI dhe Anthropic.

Fitimet nën presion në të gjithë industrinë

Shumë vetë besojnë se presioni mbi margjinat që përjetoi Windsurf po ndikon edhe te aktorë të tjerë si Anysphere (prodhues i Cursor), si dhe “vibe coders” të tjerë si Lovable, Replit, etj.

“Margjinat për të gjitha produktet e ‘gjenerimit të kodit’ janë ose neutrale ose negative. Janë absolutisht të tmerrshme,” tha Nicholas Charriere, themelues i Mocha, një startup për kodim dhe hostim për biznese të vogla e të mesme. Ai shtoi se beson se kostot e ndryshueshme për të gjitha këto startup-e janë shumë të ngjashme – brenda një diference prej 10-15%.

Anysphere lufton për pavarësi, por përballet me pengesa

Ndryshe nga Windsurf, Anysphere është zgjeruar me ritme të tilla sa që ka refuzuar oferta blerjeje përfshirë edhe nga OpenAI, sipas raportimeve.

Në janar, Anysphere njoftoi se po përpiqet të ndërtojë një model të vetin për të kontrolluar më mirë kostot. Në korrik, kompania rekrutoi dy drejtues nga ekipi Claude Code i Anthropic – por vetëm dy javë më vonë, ata u kthyen sërish te Anthropic.

Anysphere gjithashtu pret që kostot e modeleve të ulen me kalimin e kohës. “Kjo është ajo për të cilën po shpresojnë të gjithë,” tha Erik Nordlander, partner i Google Ventures. “Kostoja e përpunimit sot është më e larta që ka qenë ndonjëherë.”

Megjithatë, nuk është e sigurt nëse kjo do të ndodhë. Në vend që të bien, kostot e disa modeleve të fundit të AI janë rritur, pasi kërkojnë më shumë kohë dhe burime kompjuterike për të përballuar detyra të ndërlikuara me shumë hapa.

Konkurenca shtohet, çmimet rriten, përdoruesit befasohen

Të enjten, OpenAI prezantoi modelin e ri GPT-5, me tarifa dukshëm më të ulëta se Claude Opus 4.1 i Anthropic dhe Anysphere e integroi menjëherë në Cursor.

Së fundmi, Anysphere ndryshoi edhe strukturën e çmimeve për të reflektuar rritjen e kostove për përdorimin e modelit më të fundit të Claude, veçanërisht për përdoruesit më aktivë. Ky ndryshim i papritur zuri në befasi shumë klientë të Cursor, të cilët nuk e kishin parashikuar një tarifë shtesë përveç planit Pro prej $20 në muaj. CEO i Anysphere, Michael Truell, kërkoi ndjesë në një postim në blog për mungesën e qartësisë në komunikimin e ndryshimit.

Edhe pse Cursor është një nga aplikacionet më të njohura të AI, që në qershor arriti 500 milionë dollarë të ardhura vjetore, besnikëria e përdoruesve mund të jetë e luhatshme nëse shfaqet një produkt më i mirë, paralajmërojnë investitorët.

Pas dështimit të marrëveshjes me OpenAI, themeluesit dhe punonjësit kyç të Windsurf kaluan te Google në një marrëveshje që u solli aksionarëve kryesorë një pagesë prej 2.4 miliardë dollarësh. Pjesa e mbetur e kompanisë u shit te Cognition.

Ndërsa shumëkush, përfshirë investitorë të njohur, e kritikoi Mohan për lënien e rreth 200 punonjësve jashtë Google, një burim pranë marrëveshjes tha se blertja e re në fakt maksimizoi përfitimet për të gjithë të punësuarit.

Përtej Cursor-it, edhe platforma të tjera si Replit, Lovable dhe Bolt po përjetojnë rritje të vrullshme. Por të gjitha mbështeten tek furnizuesit e modeleve.

Dhe nëse një industri kaq popullore dhe fitimprurëse, që gjeneron qindra milionë dollarë të ardhura në vit, e ka të vështirë të ndërtojë mbi teknologjinë e ofruar nga të tretët, çfarë mund të presin sektorë më të rinj e më të brishtë?

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Kurrë mos iu ndaj parimeve të tua të nderit dhe qëllimit të mirë.”
— Winston Churchill
Must watch
Business Mag Nr. #39 – Shtator 2025

‘’Zgjidhni njeriun’’ … ‘’Punësoni për aftësitë e buta’’….   Janë sot postulate nga ekspertët dhe studiues të tregut të punës, të cilat iu drejtohen stafeve të burime njerëzore. Mund edhe të duket pak romantike për kohën që po jetojmë, por zgjedhja e njeriut të duhur për t’i hapur dyert e zyrës, për ta futur në gjirin e skuadrës tënde dhe për t’i dhënë pushtetin e të folurit në emër të brand-it tënd ka sot vlerë më shumë se kurrë më parë. Rëndësia e ‘aftësive të buta’ qëndron në faktin e të zotëruarit të cilësive si komunikimi, dëshira për të provuar e qenë kurioz, bashkëpunimi, empatia, besnikëria, etika e lartë dhe padyshim ndershmëria; tipare të cilat nuk janë edhe aq të thjeshta për tu gjendur në njeriun modern i cili duket se vrapon pas trendeve, të resë dhe virales dhe për të cilin çdo gjë që ka më shumë ndjeshmëri seç duhet është ‘jashtë mode’.

Për ne shqiptarët shumë nga këto vlera njerëzore janë edhe vlera të familjeve tona, vlera të cilat jan duartrokitur gjithmonë në mjediset ku jemi rritur, por që ndoshta nuk duartrokiten edhe shumë sot, ndër breza më të rinj…, ose të paktën nuk duartrokiten në publik. 

E kush më …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0