Drejtori Ekzekutiv i Apple, Tim Cook, ka zhvilluar një takim të brendshëm me të gjithë stafin që zgjati rreth një orë, gjatë të cilit ai ka theksuar se kompania duhet të fitojë në fushën e inteligjencës artificiale, sipas një raporti të Mark Gurman nga Bloomberg.
Takimi vjen menjëherë pas publikimit të rezultateve financiare, ku Cook kishte njoftuar investitorët dhe analistët se Apple do të rrisë në mënyrë të ndjeshme investimet në AI. Sipas burimeve të brendshme, ai ka përcjellë një mesazh të ngjashëm edhe për punonjësit e kompanisë: “Apple duhet ta bëjë këtë. Apple do ta bëjë këtë. Kjo është një mundësi që na përket neve.”
Edhe pse gjatë vitit të fundit Apple ka lançuar disa veçori të fuqizuara nga AI nën logon e Apple Intelligence, kompania ka hasur vonesa të konsiderueshme në përditësimin e asistentit zanor Siri, një element që pritej të përfitonte shumë nga avancimet e fundit në AI.
Lexo edhe: Reklama që tronditi modën, një modele digjitale në faqet e Vogue
Në deklaratën e tij, Cook duket se pranoi se Apple ka mbetur pas konkurrencës në këtë fushë. “Rrallë kemi qenë të parët,” mësohet të ketë thënë ai. “Ka pasur kompjuter personal para Mac-ut; ka pasur telefonë inteligjentë para iPhone-it; kishte shumë tableta para iPad-it; kishte MP3 player-a para iPod-it.”
Por sipas logjikës së Cook, kjo nuk e ka penguar kurrë Apple të shpikë versionet moderne dhe transformuese të këtyre produkteve.
Duke gjykuar nga tonet e përdorura dhe vendosmëria e shprehur, Apple duket e vendosur të mos mbetet më pas, por të pozicionohet si lider në një betejë ku tashmë konkurrentë si OpenAI, Google, Meta dhe Microsoft po ecin me hapa të shpejtë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.