Rreth 26 kompani teknologjike nënshkruajnë Kodin e BE-së për Inteligjencën Artificiale - Business Magazine Albania

Rreth 26 kompani teknologjike nënshkruajnë Kodin e BE-së për Inteligjencën Artificiale

Rreth 26 kompani u renditën ndër të parat që nënshkruan ‘Kodin e Praktikës për Modelet e Përdorimit të Përgjithshëm të Inteligjencës Artificiale’ (GPAI), bëri të ditur Komisioni Evropian të premten në një deklaratë.

Kodi, i cili u publikua nga Komisioni në fillim të këtij muaji, përbën një grup rregullash vullnetare që prekin çështje si transparenca, të drejtat e autorit, si edhe siguria dhe mbrojtja, me qëllimin që të ndihmojë ofruesit e modeleve GPAI të përmbushin kërkesat e Aktit për Inteligjencën Artificiale (AI Act).

Ndër firmat nënshkruese përfshihen gjigantë të teknologjisë si Amazon, Google, Microsoft dhe IBM. Në listë janë gjithashtu ofrues të inteligjencës artificiale si OpenAI, kompania franceze Mistral AI dhe startup-i gjerman Aleph Alpha.

Meta, nga ana tjetër, kishte njoftuar më herët se nuk do ta nënshkruante Kodin, duke pohuar se ai kufizon inovacionin dhe se “Evropa po ecën në drejtimin e gabuar sa i takon AI-së”.

Lexo edhe: Si të kuptoni nëse një këngë është krijuar nga AI?

Megjithatë, Meta do të duhet gjithsesi të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga Akti për AI, i cili hyn në fuqi më 2 gusht.

Ndërkohë, kompania xAI, zhvilluesi i Grok, chatbot-it të platformës X – ka nënshkruar vetëm Kapitullin për Sigurinë dhe Mbrojtjen të Kodit, çka do të thotë se ajo do të duhet të dëshmojë përmbushjen e kërkesave të tjera të Aktit përmes mekanizmave alternativë, sqaroi Komisioni.

Google deklaroi këtë javë se do ta nënshkruajë Kodin, por shprehu shqetësime për ndikimin që rregullat e BE-së mund të kenë mbi inovacionin.

“Edhe pse versioni përfundimtar i Kodit është më pranë mbështetjes së objektivave të Evropës për inovacion dhe zhvillim ekonomik […] ne mbetemi të shqetësuar se Akti për AI dhe Kodi mund të ngadalësojnë zhvillimin dhe zbatimin e AI-së në Evropë,” shkroi Kent Walker, president i çështjeve globale në kompaninë mëmë të Google, Alphabet, në një postim në blog të mërkurën.

Sipas Komisionit, ofruesit që tashmë kanë në treg një model GPAI duhej ta kishin nënshkruar Kodin përpara datës 1 gusht, ndërsa të tjerët mund të bashkohen më vonë.

Nga e shtuna, 27 vendet anëtare të BE-së pritet të kenë emëruar autoritete kombëtare mbikëqyrëse për të siguruar që kompanitë në territorin e tyre të zbatojnë Aktin për AI. Në rast shkeljesh, gjobat për mjetet GPAI mund të arrijnë deri në 15 milionë euro ose 3% të xhiros vjetore të kompanisë – cilado që të jetë më e lartë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0