Shqipëria, e fundit në rajon për financimin e kërkimit dhe zhvillimit - Business Magazine Albania

Shqipëria, e fundit në rajon për financimin e kërkimit dhe zhvillimit

Të dhënat më të fundit të publikuara nga Eurostat për vitin 2024 e rendisin Shqipërinë  ndër vendet me nivelin më të ulët të financimit publik për kërkim dhe zhvillim në Europë. Raporti nxjerr në pah se vetëm 0.19% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose 40.9 milionë euro, janë alokuar nga buxheti i shtetit shqiptar për kërkim-zhvillim, një shifër që e vendos vendin tonë në vendin e parafundit në kontinent, duke lënë pas vetëm Rumaninë. Në rajon, Serbia qëndron dukshëm përpara me 0.4% të PBB-së të dedikuara për këtë qëllim.Në vitin 2024, alokimet totale të buxheteve qeveritare për kërkim dhe zhvillim (GBARD) në të gjithë Bashkimin Europian arritën një vlerë të vlerësuar prej 127,916 milionë euro, ekuivalente me 0.71% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Kjo përfaqëson një rritje prej 3.4% krahasuar me vitin 2023 (123,675 milionë euro) dhe një rritje prej 59.5% krahasuar me vitin 2014 (80,175 milionë euro).

Kësisoj, alokimet buxhetore për kërkim dhe zhvillim në nivelin e BE-së përllogariten në 284.7 euro për banor, një rritje prej 57.0% krahasuar me vitin 2014 (181.3 euro për banor).

Vendet që regjistruan alokimet më të larta për frymë ishin Luksemburgu (759.2 euro për banor), ndjekur në distancë nga Danimarka (586.8 euro) dhe Holanda (542.7 euro). Nga ana tjetër, shpenzimet më të ulëta për kërkim dhe zhvillim për banor në BE u regjistruan në Rumani (19.1 euro për banor), Bullgari (38.3 euro) dhe Hungari (58.7 euro). Duhet theksuar se ndryshimet në alokimet GBARD për frymë mund të pasqyrojnë edhe ndryshimet në madhësinë e popullsisë së vendeve përkatëse.

Lexo edhe: Euro në rënie pas arritjes së marrëveshjes me SHBA-në

Gjatë periudhës 2014–2024, të gjitha qeveritë e vendeve anëtare të BE-së kanë rritur alokimet buxhetore për kërkim dhe zhvillim në terma të eurove për banor. Rritjet më të mëdha përqindore janë regjistruar në:

Letoni (+313%), nga 19.1 euro për banor në vitin 2014 në 78.9 euro në vitin 2024;

Slloveni (+252%), nga 78.3 euro në 275 euro për banor;

Lituani (+197%), nga 42.7 euro në 123 euro për banor.

Më shumë se një e treta e buxhetit shkon për fondet universitare publike
Sa i përket shpërndarjes sipas objektivave socio-ekonomike, 35.7% e fondeve GBARD u orientuan drejt avancimit të përgjithshëm të dijes, të financuara kryesisht përmes një granti të përgjithshëm publik të njohur si fondet publike të përgjithshme universitare (GUF), të cilat përdoren nga institucionet publike të arsimit të lartë për të mbështetur aktivitetet e tyre.

Përveç kësaj, 16.6% e fondeve GBARD ishin gjithashtu të destinuara për avancimin e përgjithshëm të dijes, por nga burime të tjera përveç GUF. Ndërkohë, 9.4% e fondeve u orientuan drejt prodhimit industrial dhe teknologjisë, 7.0% për shëndetësinë dhe 6.1% për eksplorimin dhe shfrytëzimin e hapësirës.

Pse Shqipëria ngelet mbrapa?
Ky nivel i ulët i investimeve vjen si pasojë e mungesës së një politike të mirëfilltë kombëtare për kërkimin dhe zhvillimin. Ky boshllëk strategjik bëhet edhe më kritik në një epokë ku ekonomitë botërore po avancojnë drejt inteligjencës artificiale, teknologjisë së informacionit dhe inovacionit digjital. Mungesa e investimeve në kërkim e zhvillim nuk është thjesht statistikë; është një pengesë reale për zhvillimin afatgjatë të vendit dhe një sinjal i qartë që kërkon reflektim dhe veprim.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0