Elon Musk shpall krijimin e partisë së tij politike pas përplasjes me Trump - Business Magazine Albania

Elon Musk shpall krijimin e partisë së tij politike pas përplasjes me Trump

Elon Musk papritur heq dorë nga rasti kundër OpenAI!

Elon Musk ka shpallur krijimin e një partie të re politike në Shtetet e Bashkuara, vetëm disa javë pas një përplasjeje të hapur me Presidentin amerikan Donald Trump. Manjati i teknologjisë e bëri publik lajmin në platformën e tij sociale, X, duke deklaruar se kishte krijuar një parti të quajtur “Partia e Amerikës”, e cila synon “t’ju kthejë lirinë”, shkroi Musk të shtunën.

Sipas tij, kjo parti do të sfidojë sistemin ekzistues me dy parti – republikanët dhe demokratët. Ende nuk është e qartë nëse Partia e Amerikës është regjistruar zyrtarisht pranë autoriteteve zgjedhore, por Musk bëri të ditur se ajo do të nisë aktivitetin “vitin e ardhshëm”.Ky zhvillim vjen pasi më 4 korrik, Musk i pyeti ndjekësit e tij nëse duhet të krijonte një parti politike. “Me një diferencë 2 me 1, ju kërkoni një parti të re politike dhe do ta keni!” shkroi ai në X. “Kur bëhet fjalë për falimentimin e vendit tonë përmes shpërdorimeve dhe korrupsionit, ne jetojmë në një sistem me një parti, jo në një demokraci.”

Fillimisht, Musk kishte mbështetur Trumpin në garën e tij për rizgjedhje, si në mënyrë publike përmes platformës X, ashtu edhe financiarisht. Madje kishte marrë një rol me profil të lartë në Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE).

Lexo edhe: Zuckerberg nën akuzë për “joshje agresive” në inteligjencë artificiale

Megjithatë, në maj, Musk njoftoi largimin nga ky departament, duke deklaruar se kishte përfunduar “afati i planifikuar” i angazhimit të tij si punonjës i veçantë qeveritar. Pas largimit të tij, Trump e përgëzoi publikisht duke e quajtur “një nga liderët dhe novatorët më të mëdhenj të biznesit që ka njohur ndonjëherë bota”.

Por më 22 maj, marrëdhënia midis tyre mori një kthesë të papritur, pas miratimit në Dhomën e Përfaqësuesve të një ligji të rëndësishëm për uljen e taksave dhe rritjen e shpenzimeve, i cili u nënshkrua më pas nga Trump të premten.

Ligji, i titulluar “Akti i Madh dhe i Bukur i Vetëm” (One Big Beautiful Bill Act), synon të përshpejtojë reformat në politikat e shpenzimeve dhe përmban qindra ndryshime të propozuara – nga uljet e taksave deri te përfitimet sociale si kujdesi shëndetësor.

Musk e ka quajtur atë “një projektligj masiv, skandaloz dhe të mbushur me interesa klienteliste, një neveri e vërtetë e Kongresit”.

Sipas tij, shpenzimet që përmban ligji do të thellojnë më tej “deficitin tashmë gjigant të buxhetit” dhe do të “ngarkojnë qytetarët amerikanë me borxhe të paqëndrueshme dhe shtypëse”.

Në fillim të kësaj jave, Trump kërcënoi se do të ndërpriste subvencionet federale miliardëshe që përfitojnë kompanitë e Musk-ut dhe madje la të nënkuptohet se po e konsideronte edhe mundësinë e deportimit të tij.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0