Nga Fatima Gorezi – “Adolescence”, miniseriali britanik që u lancua në mars të këtij viti në platformën e Netflix vazhdon ende të jetë objekt diskutimesh të shumta jo vetëm në radhët e prindërve, por edhe institucioneve arsimore. Vetëm pak javë më parë Franca ndoqi shembullin britanik, duke vendosur ta përfshijë në programet edukative të shkollave të mesme.Nisma erdhi si një mjet për të adresuar dhunën dhe ndikimet e rrezikshme të rrjeteve sociale tek të rinjtë. “Producenti na dha të drejtat për transmetimin, sepse e kuptoi se kishte një vlerë të jashtëzakonshme edukative,” u shpreh ministrja franceze e Arsimit, Élisabeth Borne, për televizionin LCI. Ajo theksoi se Ministria e Arsimit synon të përdorë këtë material si një instrument ndërgjegjësues për sfidat me të cilat përballen të rinjtë në epokën digjitale.
Çfarë trajton seriali
”Adolescence”, një seri me katër episode, rrëfen historinë e një babai që përballet me dyshimin se i biri 13-vjeçar mund të ketë vrarë me thikë një bashkëmoshatar. Ajo që e bën artistikisht të veçantë këtë projekt është mënyra e tij e realizimit: çdo episod është xhiruar me teknikën “one-shot”, një plan-sekuencë i vazhdueshëm, pa ndërprerje, montazh apo pushime në interpretim. Kamera lëviz në mënyrë fluide mes personazheve, duke e bërë shikuesin pjesë të ngjarjes në një mënyrë hipnotizuese. Kjo teknikë ndihet veçanërisht në episodin e tretë, i cili e çon përvojën televizive në një nivel të ri, duke e mbajtur audiencën në një tension të pashoq emocional dhe psikologjik. Seriali ka ngjallur debat të gjerë mbi fenomenin e ekzistencës së komuniteteve online të njohura si “manosfera”, të cilat promovojnë ide radikale që nxisin dhunën, përjashtimin, bullizimin , steriotipat gjinorë, rracor etj.
Të rinjtë përballë një realtiteti virtual të dhunshëm dhe të pasigurtë
Ashtu sikundër në të gjithë botën edhe në Shqipëri, rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandashme e jetës së adoleshentëve, ndërsa ndikimi i tyre është i thellë dhe shpeshherë edhe problematik. Ngjarja tragjike e ndodhur në Tiranë në vitin 2024, ku u vra adoleshenti Martin Canaj pas një konflikti të nisur në TikTok, tronditi opinionin publik dhe hodhi dritë mbi përmasat e dhunës virtuale dhe reale në mesin e të rinjve. Sherri që nisi në rrjet, përfundoi në një akt fatal, duke shërbyer si alarm për shoqërinë.
Lexo edhe: “Adolescence” – Seriali i ri nga Netflix që po na prezanton me adoleshencën moderne
Si reagim, autoritetet shqiptare vendosën pezullimin e TikTok për një periudhë njëvjeçare, duke nxitur një debat të gjerë mbi efektet e rrjeteve sociale dhe rolin e shtetit në rregullimin e tyre. Por ndalimi, sado radikal, është vetëm një pjesë e vogël e zgjidhjes, sepse problemi në vetvete duket se qëndron pak më thellë… ndoshta në boshllëkun edukativ.
A mund të jetë i vlefshëm transmetimi i serialit edhe në shkollat shqiptare?
Edlira Dyrmishaj, psikologe, e sheh vendimin e Francës dhe Britianisë si një hap shumë të rëndësishëm drejt modernizimit të qasjes edukative, që duhet ndjekur sepse mund të ndikojë pozitivisht në ndërgjegjësimin e të rinjve për çështje si presioni shoqëror, identiteti dhe shëndeti mendor. ” Të rinjtë tanë përballen çdo ditë me çështje të ndërlikuara që shpesh nuk gjejnë hapësirë të mjaftueshme diskutimi brenda sistemit arsimor tradicional — si presioni për t’u përshtatur, dilemat rreth identitetit personal, apo përjetime të vështira që lidhen me shëndetin mendor. Një serial që i trajton këto realitete me ndershmëri dhe pa gjykim, mund të veprojë si një pasqyrë ku adoleshentët reflektojnë dhe ndihen të përfaqësuar. Për më tepër, në një shoqëri si e jona, ku stigma ndaj çështjeve të shëndetit mendor mbetet ende e lartë, përdorimi i mediave vizuale në shkolla mund të jetë një formë e fuqishme ndërgjegjësimi dhe edukimi emocional.”
Ajo shton më tej se është e rëndësishme se seriale të tilla duhet që të shoqërohen me diskutime të hapura mes adoleshentëve ku të shprehin mendimin dhe pikëpamjet e tyre, që edhe nga mësuesit apo psikologët të kuptohen më mirë shqetësimet e tyre dhe bota e brendshme emocionale, sepse vetëm kështu një nismë e tillë mund të ndikojë pozitivisht ”Është e domosdoshme që këto materiale të mos konsumohen në mënyrë të izoluar, por të shoqërohen me diskutime të udhëhequra nga profesionistë, në mënyrë që ndikimi të jetë i thellë dhe i shëndetshëm.” – thotë ajo.
Mediat sociale një mjet edukues, apo më shumë rrezik për devijime?
TikTok, Instagram apo YouTube nuk janë më thjesht platforma. Ato janë realitete alternative ku formohet vetëdija e brezit të ri. Por shpeshherë shumica e përmbajtjes është toksike, promovon krahasimin, pasigurinë, konsumin dhe shpesh dhunën verbale dhe fizike si formë shprehjeje.
”Serialet televizive dhe rrjetet sociale kanë sot një ndikim të padiskutueshëm në zhvillimin psikologjik dhe social të adoleshentëve, edhe në Shqipëri. Adoleshenca është periudha më delikate për formimin e identitetit dhe sistemit të vlerave dhe në mungesë të një orientimi të qartë nga familja, shkolla apo komuniteti, të rinjtë shpesh kthejnë vëmendjen te figura dhe modele që vijnë nga mediat (sociale) qofshin ato konstruktive apo jo. ” – vë në dukje Dyrmishaj.
”Nëse përmbajtja që u ofrohet është e balancuar, reale dhe promovon vlera si mirëkuptimi, empatia, vetëpranimi apo kërkimi i ndihmës në kohë, atëherë mediat mund të funksionojnë si mjet i fuqishëm edukimi dhe sensibilizimi. Por për fat të keq, një pjesë e madhe e përmbajtjes që qarkullon, sidomos në rrjete sociale, nxit krahasimin e vazhdueshëm, konsumizmin emocional, apo një ide të shtrembëruar të suksesit dhe lumturisë. Këto ndikime mund të çojnë drejt pasigurive të thella, sjelljeve impulsive apo izolimit social.” – thotë ajo
Sipas saj media nuk është as e mirë, as e keqe në vetvete; ajo bëhet e tillë në varësi të mënyrës si përdoret dhe kontekstit në të cilin interpretohet dhe këtu hyjnë në lojë mbështetja dhe orientimi që adoleshenti merr nga modele të tjerë të rëndësishëm në jetën së tij sikundër janë prindërit e mësuesit.
Megjithëse seriali “Adolescence” po përdoret tashmë si mjet edukativ në disa prej vendeve më të zhvilluara të Europës, ku në të njëjtën kohë po flitet edhe për ndalimin e telefonave në shkolla dhe rrjeteve sociale nën 16 vjeç, në Shqipëri ende nuk ka ndonjë reagim apo nismë në nivel institucioni apo grupi interesi e shoqërie civile për këtë gjë.
E vërteta është se duket sikur bota online po vazhdon të formësojë vlerat, sjelljet dhe ndjeshmëritë e brezit të ri me një shpejtësi që sistemi arsimor nuk po arrin ta ndjekë dhe në këtë hendek që thellohet çdo ditë mes brezave, adoleshentët shpesh mbeten vetëm, të ekspozuar ndaj dhunës, pasigurive dhe modeleve shpesh toksike që qarkullojnë në rrjete sociale; dëshmitarë të të cilave jemi të gjithë çdo ditë.
Pyetja që mbetet pezull nuk është thjesht nëse duhet të shfaqim një serial, por nëse jemi gati si shoqëri të ndërtojmë strategji, sisteme dhe ura komunikimi reale me një brez që flet një gjuhë tjetër dhe përballet me sfida që s’i kemi njohur kurrë më parë.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto