Pas armëpushimit Iran-Izrael, çfarë ndodh me çmimet e naftës në Shqipëri? - Business Magazine Albania

Pas armëpushimit Iran-Izrael, çfarë ndodh me çmimet e naftës në Shqipëri?

Nga Fatima Gorezi – Pas më shumë se dhjetë ditësh përshkallëzimi ushtarak mes Iranit dhe Izraelit, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi në orët e para të mëngjesit të sotëm se palët kishin rënë dakord për një armëpushim të plotë. “URIME TË GJITHËVE! Është rënë dakord plotësisht midis Izraelit dhe Iranit që do të ketë një armëpushim të plotë dhe total (përafërsisht brenda 6 orësh nga tani, kur Izraeli dhe Irani të kenë përfunduar misionet e tyre të fundit në zhvillim e sipër!), për 12 orë, në të cilën pikë lufta do të konsiderohet e MBARUAR!” – shkroi Trump në rrjetin Truth Social.Ky zhvillim i orëve të fundit pati efekt të menjëhershëm edhe në tregjet financiare. Sipas Financial Times çmimi i naftës Brent ra me mbi 4%, duke zbritur në rreth 67.6 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga fillimi i krizës. Nafta amerikane (WTI) gjithashtu pësoi rënie me mbi 3%, sipas të dhënave të Reuters, ndërsa çmimi i arit ra ndjeshëm. Ari për tregtimet e menjëhershme humbi afro 1%, duke zbritur në rreth 3,338 dollarë për ons, ndërsa kontratat për arin amerikan ranë me mbi 1.2%.

Megjithëse këto zhvillime shihen si pozitive dhe optimiste për të ardhmen, paralajmërimet dhe stabiliteti i tregjeve është ende i brishtë.

Po si ndikojnë këto zhvillime në çmimet e naftës në Shqipëri. Sipas ekspertit të ekonomisë Eduart Gjokutaj, Shqipëria, si një vend i importit të naftës dhe produkteve të saj, është i ndjeshëm ndaj çmimeve botërore të naftës.

Çmimet e derivateve të naftës në tregun shqiptar pasqyrojnë tendencat globale me vonesë të shkurtër dhe me një efekt të drejtpërdrejtë. Në rast tensionesh serioze në ngushticën e Hormuzit, pritet një rritje e menjëhershme e çmimeve globale të naftës, e cila do të reflektohet në tregun shqiptar. Sipas analizave të ALTAX për vitin 2025, pritshmëria është që çmimet e naftës të vazhdojnë të jenë të paqëndrueshme dhe me tendencë rritjeje në periudha me tensione geopolitike, duke e çuar çmimin mesatar të karburanteve në Shqipëri në rritje modeste deri në 5-10% në krahasim me vitin paraprak, në varësi të ashpërsisë dhe kohëzgjatjes së krizës. Megjithatë, për vijimin e vitit 2025, ALTAX parashikon që çmimet do të mbeten relativisht të stabilizuara me rritje modeste, për shkak të faktorëve të tjerë si oferta alternative globale, investimet në burime energjie të ripërtëritshme dhe masa politike ndërkombëtare.”

Lexo edhe: Çfarë është ‘Ngushtica e Hormuzit’ dhe pse është kaq e rëndësishme për botën

Në sfondin e pasigurisë globale dhe luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, tregu shqiptar i karburanteve përballet me sfida të mëdha që lidhen me varësinë nga importi dhe mungesën e burimeve të diversifikuara energjetike. Por a e ka Shqipëria mundësinë dhe potencialin për të përmirësuar menaxhimin e sektorit të energjisë dhe rritur qëndrueshmërinë e furnizimit me naftë?

Problematika aktuale që shoqëron tregun e karburanteve në vend lidhet me pasigurinë globale të furnizimit dhe krijon sfida serioze për stabilitetin e tregut në periudha të tilla të shtrenjtimit të tregjeve të importit. Varësia nga importi i karburanteve dhe mungesa e burimeve alternative të energjisë rrisin vulnerabilitetin ekonomik dhe energjetik. Nisur edhe nga përvoja e kaluar të situatave të ngjashme, opertaorët e mëdhenj të tregut të hidrokarbureve në koordinim me instituconet për ekonominë dhe në funksion të sigurisë kombëtare duhet të synojë kontrata furnizimi me më shumë operatorë ndërkombëtarë nga zona të ndryshme gjeografike për të ulur riskun e varësisë nga një burim i vetëm. Kjo do të zvogëlojë ekspozimin ndaj ngushticave dhe krizave rajonale si ajo e Hormuzit.” – shpjegon Gjokutaj.

Rritja e kapaciteteve të magazinimit dhe rezervave strategjike, si dhe zbatimi me korrektësi i kërkesave të ligjit për sigurimin e depozitave është një tjetër masë mëse e nevojshme.
Ndërtimi ose zgjerimi i magazinave rezervë për naftë dhe derivatet e saj do të sigurojë furnizim të pandërprerë në periudha krize dhe kjo mund të kërkojë një angazhim që përfshin më shumë se operatorët e tregut dhe kapacitetet e tyre financiare Rezervat strategjike do të shërbejnë si amortizues ndaj rritjeve të papritura të çmimeve dhe ndërprerjeve të furnizimit.
Shpejtësia e investimeve në energji të ripërtëritshme dhe eficiencë energjetike duhet të marrin një ritëm shumë të shpejtë, pasi vonesat e derisotshme ndikojnë jo vetëm te siguria energjetike, por edhe te reduktimi i varësisë nga nafta.

Në një kohë kur siguria energjetike po bëhet gjithnjë e më shumë një çështje strategjike, masat për rritjen e përdorimit të burimeve të brendshme dhe përmirësimin e menaxhimit institucional janë më urgjente se kurrë. Sipas ekspertit Gjokutaj, Shqipëria ka nevojë për veprime të koordinuara në fushat e diversifikimit të energjisë, krijimit të rezervave, bashkëpunimit rajonal dhe investimeve në mekanizma stabilizues, nëse dëshiron të garantojë një të ardhme energjetike të sigurt dhe të përballueshme për të gjithë.

Masat për rritjen e përdorimit të energjisë diellore dhe hidroenergjetikës, si dhe burimeve të tjera janë kyçe për një ekonomi më rezistente ndaj goditjeve globale. Ndërkohë, përmirësimi i transparencës dhe efikasitetit të institucioneve përgjegjëse (p.sh. KESH-OSSH-OST, Albpetrol, AKBN) do të rrisë besueshmërinë dhe do të lehtësojë ndërhyrjet efektive në raste krize, por duhet të riorganizohen edhe për të mundësuar zbatimin e marrëveshjeve me operatorët e tregut në Kosovë dhe vendet e tjera të rajonit. Shqipëria duhet të thellojë bashkëpunimin me vendet fqinje për krijimin e rrjeteve të sigurisë energjetike, duke përdorur kapacitete dhe burime energjie të përbashkëta.
Së fundmi, nevojitet me shumë më tepër fokus krijimi i mekanizmave fleksibël për stabilizimin e çmimeve (p.sh. fondet për kompensim) mund të ndihmojë konsumatorët dhe bizneset në periudha trazirash. Pa ndërhyrje të shpejta dhe strategjike, rritjet e çmimeve dhe pasiguria energjetike do të ndikojnë negativisht në ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
Prandaj, veprimet e koordinuara në diversifikim, magazinim, investime dhe menaxhim janë të domosdoshme për të siguruar stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Megjithëse lajmi për armëpushimin mes Iranit dhe Izraelit solli lehtësim të përkohshëm në tregjet globale, paqartësitë gjeopolitike dhe pasojat e tyre ekonomike mbeten të pranishme dhe ende jo shumë të qarta. Shqipëria duhet të veprojë me shpejtësi, vizion dhe bashkëpunim për të reduktuar varësinë dhe për të rritur qëndrueshmërinë energjetike, sepse vetëm kështu mund të përballojë me sukses sfidat e një tregu gjithnjë e më të ndërlikuar dhe të paparashikueshëm.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
✨ Thënia e ditës
“Suksesi? Nuk e di se çfarë do të thotë kjo fjalë. Jam i lumtur. Suksesi, për mua është paqja e brendshme. Është një ditë e bukur.”
— Denzel Uashington
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0