nga Ulrike Decoene*
Duke mbuluar mbi 70% të sipërfaqes së Tokës, oqeani është i pazëvendësueshëm për shëndetin global, rregullimin e klimës dhe, mbi të gjitha, për stabilitetin ekonomik. Ai përthith rreth 30% të emetimeve globale të gazeve serrë dhe përmban ekosisteme të pasura që mbështesin miliona burime jetese. Ndërtimi i një ekonomie blu të qëndrueshme përbën kështu një mundësi për të harmonizuar ruajtjen e oqeanit me rritjen ekonomike në sektorë kyç si peshkimi, turizmi dhe energjia e rinovueshme.
Arritja e kësaj balance kërkon një ekuilibër të ndjeshëm mes përdorimit të burimeve oqeanike dhe respektimit të kufijve natyrorë të tij, veçanërisht në kushtet e krizës klimatike në përshkallëzim. Degradimi i shkaktuar nga aktivitetet njerëzore përbën rreziqe serioze ekologjike dhe ekonomike. Rritja e nivelit të detit, stuhitë gjithnjë e më të forta dhe erozioni i vijave bregdetare kërcënojnë infrastrukturën dhe shkatërrojnë komunitete të tëra. Humbja e biodiversitetit, ngrohja dhe acidifikimi i oqeaneve dëmtojnë ekosistemet detare, pengojnë thithjen e karbonit dhe prodhimin e oksigjenit, si dhe godasin sektorët e peshkimit dhe turizmit. Më shumë se kurrë më parë, nevojitet një qasje e qëndrueshme për menaxhimin e oqeaneve, në mënyrë që të mbrohen interesat ekonomike dhe shëndeti i mjedisit detar.
Në këtë kontekst, kompanitë e sigurimeve jo vetëm që kanë përgjegjësinë, por edhe mjetet për të mbështetur klientët që janë të angazhuar në aktivitetet e ekonomisë blu – aktivitete që po bëhen gjithnjë e më pak të sigurueshme për shkak të përkeqësimit të shëndetit të oqeanit. Ngjarjet ekstreme klimatike – sidomos përmbytjet – kanë rritur ndjeshëm numrin e kërkesave për dëmshpërblim, duke e bërë gjithnjë e më të kushtueshme sigurimin e aseteve të caktuara. Këtë prirje e përkeqëson edhe shkatërrimi i ekosistemeve detare, që dikur ofronin mbrojtje natyrore për zonat bregdetare. Për të garantuar që bizneset e ekonomisë blu të mund të sigurohen me kosto të përballueshme dhe të përballen me rreziqet në rritje që sjell rënia e shëndetit të oqeanit, siguruesit duhet të përshtatin modelet e vlerësimit të rrezikut dhe ta vendosin mbrojtjen e oqeanit si prioritet.
Së pari, kompanitë e sigurimeve duhet të njohin rëndësinë që ka natyra për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë dhe për përshtatjen me klimën, sidomos në zonat më të cenueshme. Shkëmbinjtë koralore dhe mangrovet, për shembull, pakësojnë përmbytjet dhe zbusin goditjen e stuhive në komunitetet bregdetare, përveçse kontribuojnë në thithjen e karbonit dhe mbështesin industri lokale. Për të mbrojtur këto asete natyrore dhe jetesat që varen prej tyre, siguruesit mund të ofrojnë polica sigurimi parametrike – që ndajnë automatikisht fonde të paracaktuara pas një ngjarjeje ekstreme, pa qenë nevoja për vlerësim të humbjes faktike.
Një program i tillë po mbron komunitetin peshkatar majan, që është përgjegjës për restaurimin dhe ruajtjen e pyjeve me mangrova në San Crisanto, Meksikë. Nëse rajoni goditet nga uragani, deri në 100,000 dollarë kompensim mund të akordohen automatikisht, varësisht nga forca e erës dhe afërsia me zonën e mbrojtur – shumë që shërben për të mbuluar kostot e riparimeve. Kjo garanton vazhdimësinë e kredive të karbonit që financojnë aktivitetet e komunitetit dhe i mundëson këtij të fundit të paguajë për sigurimin.
Një metodë tjetër inovative janë shkëmbimet borxh-për-natyrë, ku një shtet pranon të mbrojë ekosisteme detare në këmbim të lehtësimit të borxhit të tij. Një shembull i mirë është projekti i konvertimit të borxhit në Bahamas, ku një investitor privat dhe një bankë zhvillimi veprojnë si bashkë-garues, ndërsa AXA XL – një degë e AXA, ku unë punoj – ofron sigurimin e kredisë. Duke zvogëluar rrezikun e këtyre marrëveshjeve, kompanitë e sigurimeve mund të ndihmojnë qeveritë të krijojnë hapësirë fiskale për të mbrojtur ekosistemet detare dhe për të nxitur ekonomi lokale të qëndrueshme përmes turizmit dhe peshkimit.
Lexo edhe: Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2025 – Shtyhet afati i aplikimeve deri në datën 23 qershor
Natyrisht, siguruesit duhet të adresojnë edhe sfida të tjera që kërcënojnë shëndetin e oqeanit, si ndotja plastike dhe emisionet e gazeve serrë. Kjo mund të përfshijë bashkëpunimin me klientët për të nxitur praktika të qëndrueshme dhe investimet në reduktimin e ndikimit klimatik të transportit detar, turizmit dhe sektorëve të tjerë me ndotje të lartë.
Siguruesit kanë në dispozicion edhe mjete të tjera për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë blu. Ata mund të ofrojnë produkte të personalizuara, si sigurimi për akuakulturën – që mbron peshkoret nga shpërthimet e sëmundjeve apo ndryshimet në kushtet ujore – dhe sigurime për fermat e mbyllura të akuakulturës që shmangin ndotjen e mjedisit detar. Po ashtu, sigurimi i teknologjive të pastra si sistemet e lundrimit me ndihmën e erës – që kanë treguar potencial të madh në reduktimin e emetimeve të CO₂ dhe konsumit të karburantit – mund të përshpejtojë kalimin drejt një të ardhmeje detare më të gjelbër.
Zhvillimi i një ekonomie blu të qëndrueshme dhe dinamike kërkon veprim të koordinuar dhe të mbështetur nga rekomandime shkencore. Për këtë qëllim, kompanitë e sigurimeve duhet të investojnë në kërkime që lidhen me jetesën bregdetare, peshkimin, akuakulturën, karbonin blu dhe ndryshimet klimatike, si dhe në zhvillimin e teknologjive të reja për mbrojtjen e deteve – ashtu siç bën edhe AXA Research Fund.
Momentum-i për ekonominë blu po rritet. Në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Oqeanin që po mbahet këtë javë në Nicë, siguruesit dhe investitorët duhet të shfrytëzojnë këtë hov dhe të bashkojnë interesat klimatike me ato ekonomike. Për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme për oqeanet dhe komunitetet që varen prej tyre, mbrojtja detare dhe rritja ekonomike duhet të ecin dorë për dore.
*Ulrike Decoene është Drejtoreshë e Komunikimit, Brand-it dhe Qëndrueshmërisë në AXA.
Copywrite: Project Syndicate, 2025 – www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto