Koha e Evropës: Nga hija e Amerikës drejt dritës së udhëheqjes - Business Magazine Albania

Koha e Evropës: Nga hija e Amerikës drejt dritës së udhëheqjes

Nga Pinelopi Koujianou Goldberg – Shtetet e Bashkuara ndodhen në një pikë kthese. Për arsye që historianët e së ardhmes do t’i debatojnë gjatë – dhe që shumëkënd do ta lënë të habitur – vendi po sulmon vetë themelin e forcës së tij: hapjen, institucionet dhe angazhimin global.

Ky kthim filloi me tarifat e vendosura nga presidenti Donald Trump. Zbatimi i tyre i paqëndrueshëm dhe kaotik, pa një qëllim të qartë, jo vetëm që ka rritur koston e importeve dhe ka trazuar tregtinë globale, por ka dëmtuar besueshmërinë e Amerikës si partner ekonomik i qëndrueshëm, duke nxitur pikëpyetje rreth të ardhmes së dollarit si monedhë rezervë botërore.

Më pas nisën sulmet ndaj universiteteve amerikane – një prej shtyllave të lidershipit shkencor dhe teknologjik të vendit. Shkurtimet në financimin e kërkimit, taksat më të larta mbi fondet e tyre dhe politikat e rrepta të vizave po u vështirësojnë këtyre institucioneve aftësinë për të tërhequr dhe mbajtur talentet më të mira globale. Humbja nuk është vetëm për akademinë, por për inovacionin dhe ekonominë më gjerësisht.

Lexo edhe: Endri Dhaskali me InsectIntel fiton 50,000 euro nga ACT Now: Pajisja inteligjente që po revolucionon bujqësinë shqiptare!

Ndërkohë, sektori më dinamik i vendit – teknologjia – po përballet me presione politike dhe rregullatore. Gjigantë si Apple, Google (Alphabet) dhe Meta janë nën vëzhgim të shtuar në vend, ndërkohë që konkurrentët e tyre jashtë përfitojnë nga politika industriale mbështetëse. Ndërsa shumica e vendeve po përgatiten për ekonominë e shekullit XXI, SHBA po ndjek politika që i përkasin të kaluarës – si ringjallja e industrisë prodhuese vendase dhe lehtësimi i kufizimeve për punën e fëmijëve.

Në thelb të këtyre ndryshimeve qëndron një keqkuptim i thellë i vlerës që Shtetet e Bashkuara kanë krijuar tradicionalisht për të tjerët. Lidershipi amerikan në shkencë, siguri dhe inovacion ka përfituar edhe vendet e tjera; por administrata Trump e ka interpretuar këtë si shfrytëzim, jo si forcë. Përgjigjja ka qenë tërheqja, edhe kur kjo nënkupton dëmtimin e institucioneve që kanë mbështetur dominimin global të SHBA-së.

Kjo tërheqje nuk pengon ngritjen e të tjerëve – përkundrazi, krijon hapësirë për ta. Askund kjo nuk është më e dukshme sesa në Europë. Përballë sfidave të vjetra ekonomike – si rritja e ulët e produktivitetit, plakja e popullsisë dhe vonesat në transformimin digjital – politikanët europianë e shohin gjithnjë e më shumë mbylljen amerikane si një mundësi për të rikuperuar terren.

Dy zhvillime të fundit u kanë dhënë shpresë. Së pari, Gjermania pezulloi kufirin kushtetues për borxhin, duke hapur rrugën për investime publike të domosdoshme. Së dyti, përballë fragmentimit gjeopolitik dhe ekonomik, po forcohet konsensusi se Europa duhet të veprojë më e bashkuar dhe më me vendosmëri. Por për të përfituar nga ky moment, nevojitet më shumë sesa optimizëm. Katër kushte janë thelbësore që Europa të mund të zërë boshllëkun që po lë SHBA.

Së pari, BE-ja duhet të refuzojë strategjinë përçarëse të administratës Trump, duke shmangur marrëveshjet bilaterale me SHBA-në nga vende individuale. Vetëm një front i përbashkët do t’i japë BE-së fuqinë për të mbrojtur interesat e saj.

Së dyti, Europa duhet të përqafojë hapjen – ndaj talenteve dhe tregtisë. Ndërsa SHBA po bëhet gjithnjë e më armiqësore ndaj studentëve dhe punëtorëve të huaj, Europa mund të përfitojë nga kjo “rrjedhje truri” duke mirëpritur migrantë të kualifikuar dhe kërkues shkencorë. Po ashtu, për të zhvilluar teknologji të reja, nevojiten minerale të rralla që kontinenti nuk i ka, ndaj ruajtja e marrëdhënieve tregtare me vendet si Kina është thelbësore. Kjo kërkon vullnet politik dhe vetëdije se hapja, kur menaxhohet mirë, është burim force.

Së treti, Europa ka nevojë për reformë rregullatore. Megjithëse standardet europiane për sigurinë ushqimore, mbrojtjen e mjedisit dhe të drejtat e punës janë për t’u admiruar, rregulloret e tepruara në fusha të tjera po dëmtojnë investimet, inovacionin dhe produktivitetin. Kjo ndodh sidomos kur rregullat mbrojnë interesa të ngushta dhe jo objektiva të përgjithshme. Për shembull, shumë refugjatë të kualifikuar nuk mund të punojnë për shkak të pengesave burokratike.

Natyrisht, lehtësimi i këtyre kufizimeve nuk është i lehtë, veçanërisht në vende ku standardet e larta të jetesës e bëjnë ndryshimin politikisht të vështirë. Punonjësit europianë nuk do të pranojnë lehtë të punojnë më shumë orë, të heqin dorë nga pushimet apo të pranojnë punë të vështira. Por nëse nuk bëhen këto ndryshime, Europa do të sakrifikojë dinamizmin e së ardhmes për të ruajtur të arriturat e së shkuarës.

Së fundmi, Europa duhet të përballet me mungesat e fuqisë punëtore përmes politikave imigracioni që përfshijnë si punëtorët e kualifikuar, ashtu edhe ata më pak të kualifikuar. Rënia demografike dhe standardet e larta të jetesës po bëjnë që shumë vende pune – sidomos në kujdes, ndërtim dhe shërbime – të mbeten bosh. Pa një fuqi punëtore të mjaftueshme, nuk mund të ketë rritje apo inovacion të qëndrueshëm.

Kjo nuk do të thotë hapje e pakontrolluar e kufijve, por krijimi i rrugëve ligjore për ata që duan të kontribuojnë. Politikisht, kjo është ndoshta sfida më e madhe, për shkak të rritjes së populizmit anti-imigrant. Por është i domosdoshëm.

Tërheqja e Amerikës nga skena globale i jep Europës një mundësi që nuk e ka pasur prej dekadash. Nëse do të arrijë ta shfrytëzojë, kjo varet nga aftësia për të qëndruar e bashkuar, për të mbetur e hapur, për të modernizuar kuadrin rregullator dhe për të ndjekur një qasje pragmatike ndaj imigracionit. Në të kundërt, frenat e së ardhmes mund të kalojnë në Azi – e cila nuk ka ndalur asnjëherë përgatitjet.

*Pinelopi Koujianou Goldberg është ish-kryeekonomiste e Bankës Botërore dhe ish-kryeredaktore e American Economic Review. Aktualisht është profesore e ekonomisë në Universitetin Yale.
© Project Syndicate, 2025 / www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0