Hollywoodi kthen sytë nga Shqipëria: Dhoma Amerikane takon liderët botërorë të industrisë së filmit - Business Magazine Albania

Hollywoodi kthen sytë nga Shqipëria: Dhoma Amerikane takon liderët botërorë të industrisë së filmit

Hollywoodi kthen sytë nga Shqipëria: Dhoma Amerikane takon liderët botërorë të industrisë së filmit

FamTourAlbania është emri i një delegacioni të përbërë nga përfaqësues të nivelit më të lartë të Hollywood-it – nga Warner Brothers, Disney, Paramount, Amazon, Universal dhe HBO – të cilët u sollën në Shqipëri nga Philip Gilpin Jr., CEO i Catalyst Story Institute. Një nga takimet më të rëndësishme në agjendën e tyre të ngjeshur ishte ai me Dhomën Amerikane të Tregtisë në Shqipëri.

Gjatë vizitës së tyre, grupi mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët me drejtues të AmCham, përfaqësues biznesesh dhe profesionistë të industrisë krijuese. Takimi ofroi një panoramë të gjerë 360 gradë të klimës ekonomike në Shqipëri, kapaciteteve të saj prodhuese dhe potencialit në rritje të talenteve vendase.

“Në zemër të misionit të AmCham është forcimi i marrëdhënieve ekonomike mes SHBA-së dhe Shqipërisë, si dhe promovimi i investimeve amerikane që nxisin rritje të qëndrueshme dhe inovacion,” u shpreh në fjalën e tij mirëseardhëse Neritan Mullaj, Drejtor Ekzekutiv i AmCham. Ai theksoi se pritja e liderëve të ekosistemit krijues të Hollywood-it është një moment historik për sektorin e filmit, por edhe një mundësi për të prezantuar talentin, kulturën dhe mikpritjen shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Presidenti i AmCham, Grant Van Cleve, e pasuroi këtë mesazh me një perspektivë investitorësh, duke ftuar përfaqësuesit e Hollywood-it të shohin Shqipërinë si një vend në transformim të shpejtë. “Shqipëria i ka të gjitha përbërësit për t’u bërë një lojtar i rëndësishëm në ekosistemin global të filmit – vendndodhje unike, kosto konkurruese të prodhimit dhe një bazë teknike e krijuese që po rritet me shpejtësi,” deklaroi ai.

Lexo edhe:Bota në garë për AI, qytetet që do të sundojnë teknologjinë në 2030

Si pjesë e kësaj nisme, Catalyst Story Institute inauguroi Tirana Training Institute, një qendër e dedikuar për formimin e një fuqie punëtore të kualifikuar për të gjitha rolet në industrinë e filmit dhe sektorët krijues. “Kjo nuk është thjesht një investim në infrastrukturë. Është një investim në njerëz, në krijimtari dhe në rolin e ardhshëm të Shqipërisë në ekonominë krijuese globale,” shtoi Gilpin.

Industria globale e filmit dhe televizionit gjeneron qindra miliarda dollarë çdo vit – jo vetëm nga përmbajtja e shfaqur në ekran, por edhe nga një rrjet i gjerë industrish mbështetëse, si ndërtimi, mikpritja, teknologjia dhe dizajni. Peizazhet e veçanta natyrore dhe pozicioni strategjik e bëjnë Shqipërinë një destinacion gjithnjë e më tërheqës për produksionet ndërkombëtare.

Gjatë takimit, Laura Plaku, Drejtoreshë e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), e njohu potencialin transformues të këtij sektori: “Edhe pse aktualisht industria e filmit nuk është ndër prioritetet kryesore, ndikimi i saj i gjerë na bën të fokusohemi me kujdes tek infrastruktura ligjore, incentivat dhe mekanizmat e mbështetjes që janë të nevojshëm për zhvillimin e saj.”

Në ditët në vijim, delegacioni i Hollywood-it do të vizitojë disa prej vendeve më tërheqëse për xhirime në Shqipëri, duke përjetuar nga afër gjeografinë, kapacitetet prodhuese dhe pasurinë kulturore të vendit.

amcham

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0