Kufizime të reja për këmbimin valutor, transaksionet mbi 1 milion lekë vetëm përmes bankave - Business Magazine Albania

Kufizime të reja për këmbimin valutor, transaksionet mbi 1 milion lekë vetëm përmes bankave

Banka e Shqipërisë ka propozuar një paketë të re masash për të forcuar mbikëqyrjen dhe transparencën e tregut të këmbimit valutor, duke vendosur kufizime të reja për transaksionet me para fizike dhe kritere më të rrepta për licencim.

Projektrregullorja e re parashikon që subjektet e licencuara mos të lejohen të kryejnë transaksione në cash mbi vlerën e 1 milion lekëve (ose kundërvlerën në valutë), qoftë në një veprim të vetëm apo në disa të lidhur mes tyre. Këto veprime do të lejohen vetëm përmes llogarive bankare ose instrumenteve të tjera të pagesave elektronike.

Në kuadër të masave kundër pastrimit të parave, Banka e Shqipërisë synon gjithashtu të dyfishojë kapitalin minimal të kërkuar për marrjen e licencës, nga 2.5 në 5 milionë lekë dhe të shtrëngojë verifikimet mbi burimin e kapitalit. Institucioni do të ketë të drejtë të kërkojë dokumentacion shtesë dhe të bëjë kontrolle të thelluara mbi fondet e përdorura.

Ndërkohë, çdo subjekt do të jetë i detyruar të mbajë në arkë një sasi cash-i që nuk i kalon kufijtë e kapitalit minimal të licencës. Për herë të parë, parashikohet edhe përfshirja e Agjencisë së Inteligjencës Financiare në procesin e shqyrtimit të aplikimeve për licencë, krahas institucioneve të tjera të përfshira më parë.

Lexo edhe: BE hap rrugën për Bashkimin Doganor, teknologjia dhe lufta ndaj kontrabandës në fokus

Rregullorja e re vendos një theks të veçantë te reputacioni i mirë dhe integriteti i aksionerëve, pronarëve përfitues dhe administratorëve të zyrave të këmbimit. Ata duhet të jenë të pastër nga rekorde kriminale, të kenë qëndrueshmëri financiare dhe të mos jenë objekt hetimesh apo sanksionesh ligjore.

Ndryshimet përfshijnë gjithashtu rritjen e gjobave për shkelje të rregullores, nga maksimumi 100 mijë lekë në rregulloren aktuale, në deri 1 milion lekë sipas versionit të ri. Për më tepër, licenca mund të pezullohet pa afat në rast të dyshimeve për përfshirje në aktivitete të paligjshme financiare.

Aktualisht, në Shqipëri janë të licencuara 604 zyra këmbimi valutor. Vetëm gjatë vitit 2024, Banka e Shqipërisë ka vendosur masa administrative ndaj 12 zyrave dhe ka revokuar një licencë. Rregullorja e re pritet të shtrëngojë ndjeshëm funksionimin e këtij segmenti financiar në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0