Hapja e mbi tetë kapitujve të rinj të grupimit të tretë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian shënon një moment të rëndësishëm për Shqipërinë. Ky grupim fokusohet te konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, duke përfshirë fusha që synojnë funksionimin efikas të tregut.
Mes kapitujve të hapur për diskutim është edhe Kapitulli 29 – Bashkimi Doganor, një element kyç për integrimin ekonomik të vendit në tregun e përbashkët europian.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në dokumentin e publikuar nga Komisioni Europian pas përfundimit të konferencës së katërt ndërqeveritare midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë në Bruksel, për Kapitullin 29 – Bashkimi Doganor, BE vlerëson përparimin e Shqipërisë në përafrimin me legjislacionin europian në fushën doganore, veçanërisht në borxhin doganor, procedurat e importit dhe eksportit, vlerësimin doganor dhe kontrollet ndaj bagazheve të udhëtarëve.
Megjithatë, Komisioni nënvizon nevojën për hapa të mëtejshëm: përputhjen e plotë të kuadrit ligjor me rregullat e BE-së, forcimin e kapaciteteve administrative dhe teknologjike, eliminimin e tarifave për shërbimet e skanimit doganor dhe zhvillimin e sistemeve informatike sipas standardeve të Unionit.
Po ashtu, vlerësohen përpjekjet e ndërmarra për të luftuar korrupsionin dhe kontrabandën, me theks të veçantë te ndalimi i trafikut të produkteve të duhanit.
Përafrimi me acquis-in doganor të BE-së mbetet thelbësor për procesin e anëtarësimit. Ky përfshin dispozita të detyrueshme për çdo shtet anëtar, si Kodi Doganor i Unionit, tarifa të përbashkëta, masa kundër mallrave të falsifikuara dhe bashkëpunim ndërkufitar në çështjet doganore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto