Errësirë apokaliptike në Spanjë e Portugali, ndërpritet energjia, dyshimet për sulm kibernetik - Business Magazine Albania

Errësirë apokaliptike në Spanjë e Portugali, ndërpritet energjia, dyshimet për sulm kibernetik

Një ndërprerje gjigante e energjisë elektrike ka lënë pa drita pjesë të mëdha të Spanjës dhe Portugalisë, duke çaktivizuar semaforët dhe shkaktuar kaos në aeroporte, stacione trenash dhe rrugë. Operatori i rrjetit elektrik të Portugalisë, Redes Energéticas Nacionais (REN), deklaroi se furnizimi me energji u ndërpre në të gjithë Gadishullin Iberik dhe në disa rajone të Francës, në orët e para të mesditës së së hënës. Ndërkohë, operatori spanjoll Red Eléctrica bëri të ditur se po punon së bashku me kompanitë energjetike për të rikthyer furnizimin, pjesërisht të rikuperuar në veri dhe jug deri në pasdite. “Shkaqet po analizohen dhe të gjitha burimet janë angazhuar për zgjidhjen e situatës”, njoftoi kompania.

Ndërprerja zhduku ekranet, ndriçimin dhe prizat në të gjithë rajonin; Policia portugeze u bëri thirrje qytetarëve të shmangnin udhëtimet e panevojshme, pasi semaforët ishin jashtë funksioni. “Ulni shpejtësinë dhe kushtoni vëmendje maksimale,” apeluan autoritetet. “Prioriteti është drejtimi i sigurt: qetësia juaj shpëton jetë.”

Në Madrid, trafiku u rëndua ndjeshëm pas shuarjes së semaforëve.

“Isha duke ngarë makinën dhe papritur gjithçka u errësua… U bë një xhungël e vërtetë,” tregoi Luis Ibáñez Jiménez për CNN. “Pashë një autobus gjigant që po afrohej me shpejtësi dhe u detyrova të përshpejtoja shumë për t’i shpëtuar.”

Edhe turneu i madh i tenisit, Madrid Open, u ndërpre, ndërsa spektatorët u shpërndanë në errësirë.

Lexo edhe: Rreziku i ri në rekrutim, kandidatë të sajuar nga AI po pushtojnë intervistat

Shkaku i kësaj errësire të papritur mbetet ende i paqartë megjithëse në mediat sociale flitet edhe për sulm kibernetik. Kryebashkiaku i Madridit, José Luis Martinez Almeida, kërkoi nga qytetarët të minimizonin lëvizjet dhe të telefononin shërbimet e emergjencës vetëm për raste vërtet urgjente. Ai gjithashtu kërkoi që rrugët të liroheshin për ekipet e emergjencës.

Në aeroportet kryesore të rajonit, fluturimet u vonuan ose u anuluan në mënyrë të menjëhershme, ndërsa udhëtarët përpiqeshin të përshtateshin me situatën.

Ellie Kenny, një turiste në aeroportin Humberto Delgado të Lisbonës, tregoi për CNN se qindra njerëz qëndronin në errësirë në radhë, pa kondicioner dhe pa ujë të rrjedhshëm. Dyqanet pranonin pagesa vetëm në para, tha ajo.

Sipas faqeve online të monitorimit të fluturimeve, shumë aeroporte ndaluan papritur nisjet rreth mesditës.

Operatori spanjoll i trenave, Renfe, njoftoi se trenat ndaluan dhe nisjet u anuluan. Brenda tuneleve të metrosë, pasagjerët mbetën në errësirë të plotë. Video të postuara në rrjetet sociale tregonin vagonë metroje të zhytur në terr, të bllokuar nëpër stacione të Madridit, ku shërbimi i metrosë u pezullua dhe hyrjet në stacione u mbyllën me shirit sigurie.

Burimi: CNN/ Përshtati: Businessmag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0