Shpesh, vendimet e marra për Vitin e Ri harrohen më shpejt sesa bëhen. Por ndonjëherë, një vendim i vetëm. në kohën dhe vendin e duhur, mund të ndryshojë gjithçka. Kjo është historia e një vendimi të tillë.
Në fillim të viteve ’80, Howard Schultz ishte një shitës i zakonshëm që punonte për një kompani pajisjesh shtëpiake. Në një nga ditët e zakonshme të punës, ai vizitoi një dyqan të vogël të kafesë në Pike Place Market, Seattle, një vend i quajtur Starbucks.
Lexo gjithashtu: “Nice News”, si e ktheu Sean Devlin një ide të thjeshtë në një sukses me 1 milion abonentë?
Ai shkoi për të shitur një makinë kafeje. Por doli se do të gjente shumë më tepër.
Magjepsja me një filxhan kafeje
Schultz u mahnit nga pasioni i Starbucks për kafenë cilësore dhe mënyra e kujdesshme sesi përzgjidheshin dhe piqeshin kokrrat. Ishte ndryshe nga çdo gjë që kishte parë më parë. Aq shumë saqë la punën dhe iu bashkua Starbucks-it si Drejtor i Marketingut, kur kompania kishte vetëm 7 dyqane.
Por ndryshimi i vërtetë ndodhi një vit më vonë, në një udhëtim në Milano, Itali.
Lexo gjithashtu: Titaniku “ringjallet” në 3D, zbulohen të vërteta të reja për momentet e fundit të anijes legjendare
Epifania milaneze
Në Itali, Schultz zbuloi kulturën e ekspresit, ku kafenetë nuk ishin thjesht vende për të marrë një pije, por vende për të qëndruar, për të biseduar, për të krijuar lidhje. Ato ishin qendra komunitare plot jetë. Kjo përvojë kontrastonte plotësisht me përvojën amerikane, ku kafeja ishte diçka e shpejtë dhe funksionale.
Aty, në Milano, ai mori një vendim të thjeshtë, por të fuqishëm:
Starbucks nuk do të shiste vetëm kafe, por do të ofronte përvojë.
Një vend mes shtëpisë dhe punës, një “vend i tretë”, ku njerëzit mund të qëndrojnë, të lidhen dhe të ndihen mirë.
Një ide që nuk u kuptua menjëherë
Kur u kthye në Seattle, ai e ndau këtë vizion me themeluesit. Ata nuk u bindën. Starbucks, sipas tyre, ishte një shitës i kafesë me shumicë, jo një kafene.
I zhgënjyer, por i vendosur, Schultz u largua dhe hapi zinxhirin e tij të ekspresit.
Kur kompania e tij pati një sukses modest, ai rikthehet për të blerë Starbucks-in dhe më në fund e shndërron atë në atë që kishte ëndërruar, një hapësirë mikpritëse, me aromë kafeje dhe ndjesi komuniteti.
Dhe lindi një fenomen botëror
Nën drejtimin e tij, Starbucks nuk ishte më thjesht një kompani, u bë një mënyrë jetese. Nga disa dyqane u kthye në mijëra lokacione në të gjithë botën.
Por, me kalimin e viteve, ndërsa kompania u rrit, ajo filloi të humbasë shpirtin e vet. Dyqanet u bënë më sterile, më të korporatizuara. Pastaj erdhi pandemia, ku të ulesh në një kafene u bë e pamundur, ndërsa “drive-thru” mori hov.
Rikthimi te rrënjët
Tani, pasi shitjet ranë dhe konsumatorët u bënë më të kujdesshëm me shpenzimet, Starbucks ka nisur një fazë të re. CEO i ri, Brian Niccol, ka shpallur një plan rilindjeje, rikthimin tek “vendi i tretë”.
Në një letër për aksionarët ai shkroi:
“Do ta kthejmë Starbucks-in në një kafene komunitare, dyqanet tona do të jenë vende të ngrohta, ku mund të qëndrosh, me dizajn të kujdesshëm dhe ambiente mikpritëse.”
Një vendim i vetëm, i marrë në një udhëtim në Itali, jo vetëm që ndryshoi jetën e Schultz-it, por edhe mënyrën si miliona njerëz pinë kafenë e tyre çdo ditë.
Të kesh guximin të ndjekësh një ide që të tjerët nuk e kuptojnë ende, kjo është zemra e sipërmarrjes.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.