Gates: " Këto dy profesione do të zëvendësohen patjetër nga AI brenda 10 viteve!" - Business Magazine Albania

Gates: ” Këto dy profesione do të zëvendësohen patjetër nga AI brenda 10 viteve!”

Gates: " Këto dy profesione do të zëvendësohen patjetër nga AI brenda 10 viteve!"

Bill Gates ka parashikuar se përparimet në fushën e inteligjencës artificiale do të reduktojnë ndjeshëm rolin e njerëzve në shumë detyra tradicionale si mjekësia dhe arsimi – dhe ky transformim i madh mund të ndodhë për më pak se 10 vjet.

Gjatë një interviste të fundit me komedianin Jimmy Fallon në emisionin “The Tonight Show” në NBC, bashkëthemeluesi i Microsoft përshkroi një të ardhme ku njerëzit nuk do të jenë më të nevojshëm “për shumicën e gjërave”, pasi teknologjia e AI do të kryejë me lehtësi detyra që sot kërkojnë aftësi të specializuara njerëzore.

Sot, ekspertiza në fusha si mjekësia dhe arsimi konsiderohet si “e rrallë”, tha Gates, duke shtuar se këto fusha varen ende nga “një mjek i shkëlqyer” apo “një mësues i shkëlqyer”. Por gjatë dekadës së ardhshme, “këshillat mjekësore cilësore [dhe] mësimi i personalizuar” do të bëhen falas dhe të përhapura, sipas tij. Gates e ka zhvilluar më tej këtë vizion për një epokë të re që ai e quan “inteligjencë falas” edhe në një bisedë muajin e kaluar me Arthur Brooks, profesor në Harvard i njohur për kërkimet e tij mbi lumturinë. Sipas Gates, teknologjia e AI do të bëhet gjithnjë e më e pranishme në jetën e përditshme, duke revolucionarizuar fusha nga kujdesi shëndetësor dhe diagnostikimi deri te arsimi – me tutorë të bazuar në AI që do të jenë të aksesueshëm për të gjithë. “Është diçka shumë e thellë dhe paksa frikësuese – sepse po ndodh shumë shpejt dhe nuk ka kufi të sipërm,” tha Gates për Brooks.

Ekziston një debat i gjerë për rolet që njerëzit do të kenë në një shoqëri të drejtuar nga AI. Ndërsa disa analistë sugjerojnë se AI do të ndihmojë njerëzimin të bëhet më produktiv dhe mund të krijojë mundësi të reja ekonomike e punësimi, të tjerë shprehin shqetësime për stabilitetin e vendeve të punës. CEO i Microsoft AI, Mustafa Suleyman, beson se transformimi i punës nga AI do të ketë një ndikim “jashtëzakonisht destabilizues”. Në librin e tij të vitit 2023, “The Coming Wave”, Suleyman shkruan: “Këto mjete vetëm përkohësisht do të forcojnë inteligjencën njerëzore. Ato do të na bëjnë më të zgjuar dhe më efikas për një kohë, dhe do të çlirojnë një rritje të madhe ekonomike, por në thelb janë zëvendësuese të fuqisë punëtore.”

LEXO EDHE:Ky është libri më i mirë për Inteligjencën Artificiale!

Megjithëse pranon tronditjet e mundshme, Gates mbetet optimist për kontributet pozitive të AI, përfshirë përparimet në trajtimet mjekësore, zgjidhjet për klimën dhe arsimimin gjithëpërfshirës. Megjithatë, ai pranon se do të ketë aktivitete që gjithmonë do të mbeten specifike për njerëzit. “Do të ketë disa gjëra që do t’i ruajmë për veten tonë,” tha Gates për Fallon, duke përmendur aktivitetet e argëtimit si shembull. “Por në lidhje me prodhimin, transportin apo kultivimin e ushqimit, me kalimin e kohës këto do të jenë probleme të zgjidhura.” Megjithatë, Gates pranon shqetësimet legjitime për zhvillimin e shpejtë të AI – veçanërisht për prirjen e saj ndaj gabimeve dhe keqinformatave në internet, siç theksoi në një postim në blog në vitin 2023. Por miliarderi u shpreh se nëse do të nisë një startup sot, ai do të ishte i përqendruar në AI.

“Sot, dikush mund të mbledhë miliarda dollarë për një kompani të re AI me vetëm disa ide të skicuara,” tha Gates për CNBC-në në shtator. Ai shtoi se dëshiron të inkurajojë gjeneratën e re, duke shtuar: “Po i inkurajoj të rinjtë në Microsoft, OpenAI, kudo që i takoj: ‘Ja ku është kufiri i ri’. Sepse ju e shihni këtë me një qasje më të freskët se unë, dhe kjo është mundësia juaj fantastike.”

Gates ka paralajmëruar për potencialin revolucionar të AI prej afro një dekade. Në vitin 2017, ai e cilësoi DeepMind të Google si një “moment historik të thellë”, duke u habitur me aftësinë e tij për të mposhtur njerëzit në lojën komplekse Go. Ai ka pranuar se përparimet e fundit kanë tejkaluar edhe pritshmëritë e tij.

nyp

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0