Hendeku mes auditoreve dhe tregut të punës – A po përgatiten studentët për realitetin profesional? - Business Magazine Albania

Hendeku mes auditoreve dhe tregut të punës – A po përgatiten studentët për realitetin profesional?

Nga Hane Rusta – Talent Acquisition Specialist

Sot, një nga sfidat më të mëdha që të rinjtë shqiptarë përballen pas diplomimit është mospërputhja mes aftësive të fituara në universitet dhe kërkesave reale të tregut të punës. Këtu nuk flasim për ata student të cilët zgjedhin dhe zgjidhen të jene pjesë e sistemeve akademike ne fakultet apo për eksperiencat pedagogjike. 

Universiteti i Tiranës, si një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në vend, vazhdon të ofrojë programe që shpesh nuk pasqyrojnë ndryshimet dhe nevojat dinamike të industrisë. Statistikat tregojnë se një numër i konsiderueshëm të rinjsh e kanë të vështirë të sigurojnë një vend pune brenda muajve të parë pas diplomimit, duke treguar kështu një hendek të madh mes formimit akademik dhe nevojave të tregut (INSTAT). Në shumë sektorë, sidomos në ato teknologjikë dhe menaxherialë, kërkohen aftësi që nuk mësohen në auditore, si menaxhimi i projekteve, përdorimi i teknologjive të fundit dhe aftësitë e buta si komunikimi dhe puna në grup.Në këtë kontekst, të rinjtë detyrohen të kërkojnë alternativa shtesë për të fituar përvojë, përmes praktikave profesionale, trajnimeve të pavarura apo kurseve online, duke u përpjekur të mbushin boshllëqet që arsimi formal nuk ka arritur t’i plotësojë (marr në referencë raportet e Bankës Botërore dhe OECD mbi zhvillimin e arsimit dhe punësimit në rajon)

Lexo edhe : Si të ndërtoni një kulturë pune që gjenerata Z nuk do të dojë ta lërë kurrë?

Një tjetër problem mbetet mungesa e një lidhjeje të ngushtë mes universiteteve dhe bizneseve.Shumë kompani kërkojnë profesionistë të gatshëm për tregun e punës, ndërkohë që studentët kanë nevojë për eksperienca praktike gjatë studimeve. Modelet e arsimit dual, të cilat kombinojnë studimin me punën, janë një praktikë e suksesshme në disa vende evropiane dhe mund të shërbejnë si një zgjidhje edhe për Shqipërinë. Për të përmirësuar këtë situatë, universitetet duhet të angazhohen në përshtatjen e kurrikulave me realitetin ekonomik dhe të krijojnë më shumë hapësira për bashkëpunim me bizneset, duke ofruar praktika dhe projekte të orientuara nga tregu i punës.

Një tjetër element kyc që duhet diskutuar sot është dhe rëndësia e zyrës së karrierës në fakultet dhe edukimi i karrierës në gjimanzet e shkollave. Duhet konsideruar edukimi i karrierës që të rinjtë të bëjnë zgjedhjet e duhura në universitet. Pranë zyrave të karrierës duhet të jenë njohës shumë të mirë të tregut, të mund të bëjnë parashikime per 5 apo 10 vitet e ardhshmë të tregut të punës. Ka një disbalancë në regjistrimet e studentëve sot në degët humane apo shoqërore dhe atyre shkencore. Përse nuk ka një studim të mirëfilltë të tregut të punës dhe të rinjtë sot të informohen në shkolla apo fakultete për të ardhmen e tyre? Përse një maturant sot nuk di asgjë për tregun e punës, por zgjedh profesionet që janë trend të momentit ? Këto sjellin regjistrime të vrullshme në degët më të kërkuara sot, si ato të teknologjisë apo financës, duke lënë pas shkencat humane apo ato pedagogjike. Gjithashtu, po kaq të rëndësishme janë zyrat e karrierës në fakultete, duke orientuar studentët drejt konferencave të ndryshme, intershipeve, trajnimeve, workshope që organizojnë kompani të ndryshme. Një nga detyrat kryesore të këtij shërbimi në fakultet duhet të jetë gjenerimi i mundësive për studentët. Qofshin ato mundësi kombëtare apo ndërkombëtare. Këto hendeqe, janë pasoja që hasen në tregun e punës më vonë.

Çfarë duhet të bëjmë për të zbutur sado pak këto mangësi:

Monitorimi dhe vlerësimi i tregut të punës

  • Studime të vazhdueshme mbi nevojat e tregut të punës: Universitetet duhet të angazhohen në studime dhe analiza të tregut të punës për të kuptuar cilat industri janë në zhvillim dhe çfarë kërkohet.
  •  Përditësimi i kurrikulave sipas kërkesave të tregut: Universitetet duhet të kenë mekanizma për të përditësuar programet mësimore bazuar në kërkesat dhe zhvillimet në industri. Kjo mund të bëhet përmes komiteteve konsultative me përfaqësues të industrisë.

Bashkëpunimi i ngushtë mes universiteteve dhe industrisë

  • Krijimi i partneriteteve të qëndrueshme: Universitetet duhet të krijojnë marrëveshje bashkëpunimi me kompani dhe organizata që janë të interesuara në ofrimin e mundësive të reja.
  •  Konsultime të rregullta me liderët e industrisë: Organizimi i tryezave të rrumbullakëta dhe paneleve ku ekspertë nga sektori i biznesit mund të ofrojnë këshilla dhe të diskutojnë trendet dhe zhvillimet.
  •  Bashkëpunime për zhvillimin e programeve mësimore: Universitetet mund të punojnë me kompani për të krijuar kurrikula që përputhen me nevojat reale të tregut të punës, për të siguruar që studentët të përgatiten për mundësitë e punës që do të dalin.

Po edukimi i karrierës dhe shërbimi i tyre?

Duhen kryer studime të rregullta mbi tregun e punës dhe ndryshim i mentalitetit mbi zgjedhjen e profesionit. Kjo mund të realizohet me :

  • Krijimin e një databaze me të dhëna mbi profesionet e së ardhmes – Institucionet arsimore dhe ministria e arsimit kryejnë studime rregullta mbi kërkesën për profesione.
  • Parashikime mbi nevojat e tregut për 5-10 vitet e ardhshme – Universitetet të punojnë me qendrat  e  kërkimit  për  të  dhënë  të  dhëna  mbi  punësimin  dhe  sektorët  në  zhvillim.
  • Përditësimi i kurrikulave në bazë të tregut të punës – Fakultetet të ndryshojnë programet mësimore për të përgatitur studentët për tregun e punës.
  • Duhet të ndërgjegjësohet rinia për vlerën e profesioneve të ndryshme dhe të mos ndjekin vetëm “trendin”.
  • Inkurajimi i zgjedhjeve të bazuara në aftësi dhe pasion – Edukimi i karrierës duhet të fokusohet në ndihmën që i jep një i ri për të gjetur fushën ku do të jetë më produktiv dhe i suksesshëm

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0