Kryeministri i vendit Edi Rama dhe ministrja e Shtetit për Klimën dhe Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj ishin të pranishëm gjatë prezantimit të fituesve të Startup. Më shumë se 150 talente shqiptarë prezantuan projektet e tyre inovative, në fusha të rëndësishme që nga ekonomia e gjelbërt, edukimi , mobiliteti etj.
“Më shumë se 150 talente shqiptare që kanë kthyer ëndrrat e tyre në biznese reale, sot prezantojnë me krenari produktet e tyre inovative. Mes tyre janë fituesit e Startup Grant 2024 dhe 86 startup-e të reja që sot marrin lajmin se janë fitues dhe do të financohen nga thirrja Startup Grant 2025 këtë vit”, tha Rama.
“Kemi këtu 89 fitues të këtij programi dhe e dimë që duhet zgjeruar edhe më shumë. Vetëm dje pashë një audit analitik për ndikimin e platformës e-Albania në jetën e qytetarëve. Sipas analizës, shqiptarëve u janë kursyer në total 620 milionë euro – një shifër shumë domethënëse.
Gjithashtu, janë kursyer 75 milionë lekë në letra, dhe koha e fituar për qytetarët përkthehet në 25 milionë ‘rrotullime rreth Tokës’ – një metaforë për kohën e madhe që ka sjellë teknologjia.
Ky është një hap i madh drejt dixhitalizimit të vendit. Platforma e-Albania ka mundësuar një transformim të jashtëzakonshëm në shërbimet publike, një progres që nuk do të ishte i mundur pa teknologjinë. Jemi në epokën e progresit eksponencial dhe po e ndjejmë gjithnjë e më shumë ndikimin e tij në jetën e përditshme.”
Lexo edhe:Mirësia ju bën më të lumtur se një pagë më e lartë, Raporti i Lumturisë 2025 ju tregon pse
Nga ana tjetër, Ministrja e Shtetit për Klimën dhe Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj, bëri publike shifrat e përfituesve të këtij viti nga thirrja Startup Grant 2025, duke theksuar se aplikimet nga të rinjtë po rriten ndjeshëm.
“Kemi vënë në dispozicion 10.5 milionë euro në katër vite, ku pjesa më e madhe është financuar nga Qeveria Shqiptare, ndërsa 2 milionë euro janë grante nga Bashkimi Europian.
Këto fonde kanë mbështetur një numër të lartë start-up-esh dhe kanë ndihmuar në krijimin e një ekosistemi të favorshëm për punë dhe inovacion.
Njëkohësisht, është rritur edhe numri i të rinjve që zgjedhin të studiojnë në fushën e teknologjisë së informacionit. Sot kemi biznese që kontribuojnë në sektorë si turizmi, bujqësia dhe shëndetësia.
Jam shumë e lumtur që kemi mbështetur kaq shumë iniciativa. Aktualisht kemi 175 start-up aktive, nga të cilat 89 do të përfitojnë gjatë këtij viti. Sot shpallim zyrtarisht fituesit dhe në ditët në vijim do të zhvillojmë takime me ta për të ndjekur nga afër punën e tyre.”
Në mbyllje, Kryeministri Rama theksoi se po punohet intensivisht për dixhitalizimin e prokurimeve publike përmes përdorimit të inteligjencës artificiale, duke shpresuar që sistemi të jetë funksional deri në fund të vitit 2026.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.