Mark Zuckerberg bëri gjithçka për ta kthyer ditëlindjen e 40-të të bashkëshortes së tij, Priscilla Chan, në një festë të paharrueshme. Në një video që ai ndau në Instagram, themeluesi i Meta i la të gjithë të ftuarit pa fjalë me një performancë surprizë, ku shfaqi anën e tij të panjohur artistike dhe një stil krejtësisht të papritur.
Gjithçka nisi kur Zuckerberg hyri në ambientin e festës me një kostum elegant. Por, në një moment dramatik, dy persona e ndihmuan të largonte veshjen formale, duke zbuluar një jumpsuit të kaltër me shkëlqim, identik me atë që Benson Boone kishte veshur në Grammy Awards 2025. Me këtë look të guximshëm, ai u ngjit mbi një piano dhe nisi të imitojë stilin unik të këngëtarit, ndërsa Priscilla dhe të ftuarit shpërthyen në të qeshura dhe brohoritje.
Lexo gjithashtu: Baba për të 14-ën herë! Elon Musk vazhdon ‘misionin’ e tij për popullsinë globale!
Edhe pse videoja e postuar në Instagram kishte në sfond këngën më të fundit të Boone, Sorry I’m Here for Someone Else, fansat spekuluan se performanca e Zuckerberg mund të ketë qenë e bazuar në Beautiful Things, hiti i këngëtarit në Grammy.
Në përshkrimin e videos, Zuckerberg shkroi me humor: “Gruaja jote mbush 40 vetëm një herë. Faleminderit Benson Boone për jumpsuit-in dhe këngën e re!”
Vetë Benson Boone nuk mundi ta linte pa koment këtë moment të papritur. I habitur, ai shkroi: “Nuk po u besoj syve të mi, ti je i çmendur!”, ndërsa Zuckerberg iu përgjigj me të njëjtën dozë shakaje: “Mendova edhe për të bërë një salto nga pianoja.”
Interesante është se, ndryshe nga Zuckerberg, Boone nuk pati një eksperiencë të lehtë me të njëjtën veshje në skenën e Crypto Arena në Los Anxhelos. Gjatë performancës në Grammy, ai u pa disa herë duke rregulluar jumpsuit-in me nervozizëm, madje më vonë pranoi në Instagram se “ajo gjë ishte agresivisht e ngushtë në disa zona.”
Ky moment viral mes Zuckerberg dhe Boone nuk është i pari ku dyshja bashkëvepron publikisht. Më parë, ata kanë bashkëpunuar për një duel miqësor me shpata, i filmuar përmes syzeve inteligjente të Meta-s, Ray-Ban AI. Tani, duket se CEO i teknologjisë dhe ylli i pop-it kanë gjetur një tjetër mënyrë për të bërë internetin të flasë dhe këtë herë, me një kostum që shkëlqen në të gjitha kuptimet.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto