Si të negocioni me sukses për një rritje rroge: 7 këshilla nga ekspertët e JobLeads - Business Magazine Albania

Si të negocioni me sukses për një rritje rroge: 7 këshilla nga ekspertët e JobLeads

Si të negocioni me sukses për një rritje rroge: 7 këshilla nga ekspertët e JobLeads

Një sondazh i fundit tregon se dy në pesë punonjës në mbarë botën ndihen të paguar më pak sesa duhet, ndërsa 43% e tyre planifikojnë të kërkojnë një rritje page. Për të ndihmuar punonjësit që të qasen me besim dhe profesionalizëm në këtë proces, ekspertët e JobLeads, platformës për kërkimin e punës dhe zhvillimin e karrierës, kanë ndarë disa strategji efektive për të siguruar një rritje rroge.

Sipas Martin Schmidt, bashkëthemelues dhe Drejtor Menaxhues në JobLeads, këto janë praktikat më të mira për të negociuar një pagë më të lartë:

1. Studioni pagat në treg dhe ndikimin e inflacionit

“Para se të kërkoni një rritje, bëni një analizë të tregut për të kuptuar sa paguhet aktualisht pozicioni juaj. Përdorni sondazhe të besueshme mbi pagat ose të dhëna nga agjencitë e rekrutimit për të krijuar një krahasim të saktë. Përveç kësaj, kuptimi i inflacionit dhe ndikimit të tij te fuqia juaj blerëse do t’ju ndihmojë të argumentoni kërkesën tuaj jo vetëm mbi bazën e nevojave personale, por edhe të faktorëve ekonomikë më të gjerë.”

2. Përdorni të dhëna konkrete për të vërtetuar vlerën tuaj

“Punëdhënësit e vlerësojnë argumentimin e bazuar në fakte, ndaj përgatitni një përmbledhje të qartë të arritjeve tuaja që nga rishikimi i fundit i pagës. Përqendrohuni te rezultatet e matshme, si rritja e të ardhurave, ulja e kostove apo përmirësimi i eficiencës. Nëse jeni punësuar rishtazi, mos e nxitoni kërkesën për një rritje. Prisni të paktën gjashtë muaj ose derisa të keni demonstruar vlerën tuaj në kompani.”

Lexo edhe:Kush ishte reklama më e mirë e Super Bowl? Varet kë pyesni

3. Zgjidhni momentin e duhur

“Koha është vendimtare kur kërkoni një rritje rroge. Idealisht, ngrini këtë çështje gjatë vlerësimeve vjetore të performancës ose pas përfundimit të një projekti të suksesshëm. Gjithashtu, merrni parasysh situatën financiare të kompanisë. Nëse ajo po përballet me vështirësi, përqendrohuni te rëndësia e mbajtjes së punonjësve dhe përfitimet afatgjata të investimit në talent.”

4. Përdorni ofertat e tjera si levë negociuese

“Nëse keni marrë oferta nga kompani të tjera ose keni të dhëna që tregojnë se roli juaj paguhet më shumë diku tjetër, përdorni këtë informacion për të mbështetur kërkesën tuaj. Megjithatë, bëni kujdes që të mos e ktheni këtë në një ultimatum. Theksoni dëshirën për të qëndruar në kompani, por edhe nevojën për një pagë që pasqyron realitetin e tregut.”

5. Lidheni kërkesën tuaj me objektivat e kompanisë

“Sigurohuni që argumentimi juaj të jetë në përputhje me synimet e kompanisë. Nëse roli juaj është zgjeruar ose keni marrë më shumë përgjegjësi, shpjegoni se si puna juaj ndikon drejtpërdrejt në suksesin e kompanisë. Duke e paraqitur rritjen e pagës si një përfitim të ndërsjellë, do të krijoni një qasje më të favorshme për punëdhënësin tuaj.”

6. Konsideroni përfitimet jo-monetare

“Nëse kompania nuk mund të përballojë një rritje page për shkak të sfidave ekonomike, diskutoni mundësinë e përfitimeve alternative si subvencionet për kujdesin ndaj fëmijëve, mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit, ditë pushimi shtesë dhe përfitime të tjera. Këto mund të përmirësojnë cilësinë tuaj të jetës dhe njëkohësisht të tregojnë fleksibilitetin tuaj.”

7. Bëhuni të drejtpërdrejtë, profesionalë dhe empatikë

“Negociatat për pagën mund të jenë stresuese, por përpiquni të qaseni me vetëbesim dhe profesionalizëm. Përdorni një komunikim të qartë dhe të respektueshëm, duke pasur parasysh edhe perspektivën e punëdhënësit, sidomos në kohë të pasigurta. Nëse menaxheri juaj ka nevojë për kohë për të shqyrtuar kërkesën, kërkoni një takim ndjekës për të siguruar që biseda të mos mbetet pezull.”

Nëse ndiqni këto strategji, do të rrisni shanset për të marrë një përgjigje pozitive nga punëdhënësi juaj dhe për të siguruar një pagë më të drejtë për punën dhe kontributin tuaj.

jobleads

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0