EasyPay, kompania e parë shqiptare e licensuar në Open Banking - Business Magazine Albania

EasyPay, kompania e parë shqiptare e licensuar në Open Banking

Bankingu i hapur (Open banking) është një risi në praktikat bankare bashkëkohore, që u mundëson qytetarëve të aksesojnë të dhënat e llogarisë së tyre dhe të inicimit të pagesave nga bankat dhe institucionet e tjera financiare, nëpërmjet ofruesve të shërbimit të palëve të treta. Në ndryshim nga bankingu tradicional, ku vetëm klienti dhe banka kanë akses në të dhënat financiare, bankingu i hapur iu jep mundësinë klientëve t’i ndajnë këto të dhëna në mënyrë të sigurt me një ofrues tjetër shërbimi për të shtuar përfitimet e klientëve nga përvojat inovative financiare. Kjo do të thotë se klientët mund të realizojnë shërbime pagesash nga llogaria e tyre bankare edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare dhe jo domosdoshmërisht vetëm nëpërmjet bankës, ku kanë llogarinë.

Bankingu i hapur u bë realitet në vitet 2018 – 2019, kur hyri në zbatim direktiva evropiane e rishikuar për shërbimet e pagesave, e njohur si PSD2. Ky transformim revolucionar i bankingut u përqafua menjëherë nga Banka e Shqipërisë, si pioniere në rajon, falë vizionit të saj për modernizimin e sistemeve të pagesave në Shqipëri dhe përafrimin me standardet evropiane. Pas një pune intensive për hartimin, koncepti inovator u prezantua për tregun shqiptar të pagesave nëpërmjet ligjit 55/2020 “Për shërbimet e pagesave”, ku u paraqit koncepti i ofruesit të shërbimit të inicimit të pagesës dhe ofruesit të shërbimit të informimit të llogarisë (të ashtuquajtur edhe ofrues të palëve të treta (Third Party Providers – TPP)), si palë të rëndësishme të bankingut të hapur.

Kuadri rregullator u plotësua më tej me rregulloren 29/2022 “Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit”, që parashikon standardet teknike për komunikimin e hapur dhe të sigurt për ofrimin dhe përdorimin e shërbimit të pagesave ndërmjet pjesëmarrësve në shërbimet e pagesave.

Korniza ligjore e rregullative hapi rrugën dhe krijoi terrenin për të vënë në zbatim bankingun e hapur në Shqipëri. Nga ana tjetër, aktorët e tregut morën masa për të operacionalizuar dhe bërë funksional këtë koncept në praktikë. Për këtë qëllim, gjatë vitit të fundit, bankat kanë përshtatur sistemet e tyre informatike dhe janë pajisur me certifikatat e kualifikuara për vulat elektronike, për të krijuar kushtet e përshtatshme për një komunikim të sigurt me ofruesit e palëve të treta.

Gjithashtu, është bashkëpunuar në mënyrë intensive si dhe është dhënë në vazhdimësi një kontribut i qënësishëm nga ana e qeverisë shqiptare e autoritetet vendase si Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe AKSK, duke realizuar të gjitha testimet e nevojshme për të siguruar integrimin dhe funksionimin e plotë të shërbimeve, sipas standardeve Evropiane të sigurisë.

Së fundi, pas plotësimit të kërkesave ligjore dhe rregullative licencuese, Banka e Shqipërisë ka dhënë miratimin për licencimin e parë të bankingut të hapur: institucionin e parasë elektronike Easypay sh.p.k. Ky licencim i hap rrugën fillimit të ofrimit të këtyre shërbimeve në tregun shqiptar.

Dëshirojmë të sjellim në vëmendje se në qendër të kësaj iniciative qëndron qytetari, për t’i dhënë më shumë mundësi zgjedhjeje që të kryejë pagesa dhe transferta më të thjeshtuara, më të shpejta dhe me kosto më të ulët. Prandaj dhe Banka e Shqipërisë nxit aplikimet e institucioneve financiare për t’u pajisur me licencën në fushën e bankingut të hapur me qëllim krijimin e më shumë vlere të shtuar për qytetarët shqiptarë në përditshmërinë e tyre financiare. Vlen të theksohet se operacionalizimi i open-banking është hapi i parë dhe thelbësor për funksionimin e financave të hapura (open-finance), e cila do të mundësojë digjitalizimin e kredidhënies, investimeve dhe shërbimeve të tjera financiare për klientët.

Përveç përfitimeve personale të konsumatorit, në një plan më të gjerë, kjo risi sjell dobi të shumta në rrugën drejt formalizimit të ekonomisë dhe përfshirjes financiare. Banka e Shqipërisë do të mbetet gjithmonë promotore e iniciativave pararojë dhe nxitjes së inovacionit që kërkon koha për rritjen e mirëqenies së shoqërisë shqiptare.

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0