Një studim i ri ka zbuluar se përfitimet e agjërimit për 16 orë bëhen të dukshme brenda vetëm tre ditësh, pa qenë e nevojshme të reduktohen kaloritë. Kufizimi i kohës së ngrënies në vetëm 8 orë në ditë përmirëson ndjeshëm kontrollin e sheqerit në gjak tek të rriturit që janë në rrezik për diabetin e tipit 2, pavarësisht nëse ngrënia bëhet herët apo vonë gjatë ditës, sipas një studimi të paraqitur në Takimin Vjetor të Shoqatës Evropiane për Studimin e Diabetit (EASD) në Madrid.
Sipas Dr. Kelly Bowden Davies nga Universiteti Metropolitan i Manchesterit, Britani, “Kufizimi i ngrënies në një periudhë prej 8 orësh në ditë përmirësoi dukshëm kohën kur niveli i sheqerit në gjak ishte normal dhe uli luhatjet e tij. Ndryshimi i orarit të ngrënies, qoftë herët apo vonë, nuk dha përfitime shtesë.”
Dr. Davies theksoi se përfitimet kryesore vijnë nga periudha 16-orëshe e agjërimit, dhe jo nga koha kur hahet ose ndryshimet në marrjen e energjisë. Ajo theksoi se përfitimet e këtij agjërimi shfaqen brenda vetëm tre ditësh.
Lexo edhe: Horoskopi javor i karrierës për 16-22 shtator 2024
Studime të tjera kanë treguar se kufizimi i kohës së ngrënies, që kufizon orarin kur hahet dhe jo çfarë hahet, ndihmon në përmirësimin e reagimit të trupit ndaj insulinës dhe ul nivelin e sheqerit në gjak në periudha afatgjata tek njerëzit që janë në rrezik për diabetin e tipit 2.
Për të kuptuar më mirë ndikimin e agjërimit të kontrolluar, studiuesit krahasuan dy periudha të ngrënies: një periudhë herët gjatë ditës (nga ora 8:00 deri në 16:00) dhe një periudhë të vonë (nga ora 12:00 deri në 20:00) tek të rriturit me mbipeshë dhe që bënin pak aktivitet fizik.
Rezultatet treguan se kufizimi i ngrënies në vetëm 8 orë në ditë përmirësoi kohën kur nivelet e sheqerit në gjak ishin normale dhe uli luhatjet e tij. Nuk pati ndryshime të rëndësishme midis ngrënies herët ose vonë në ditë, çka sugjeron se vetëm agjërimi për një periudhë të caktuar është i mjaftueshëm për të sjellë përfitime shëndetësore.
Ky studim sugjeron se, për ata që janë në rrezik për diabetin e tipit 2, një mënyrë e thjeshtë për të përmirësuar kontrollin e sheqerit në gjak është kufizimi i orarit të ngrënies, pa qenë nevoja të numërohen kaloritë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.