Lorena Gjana: "Nismat që po transformojnë gaming-un në Ballkan" - Business Magazine Albania

Lorena Gjana: “Nismat që po transformojnë gaming-un në Ballkan”

Lorena Gjana: Nismat që po transformojnë gaming-un në Ballkan

Industria e video-lojrave në Ballkan po përjeton një transformim të rëndësishëm, falë bashkëpunimeve rajonale dhe iniciativave të reja që synojnë të fuqizojnë talentet lokale. Në një bisedë me Lorena Gjanën, përfaqësuese e Albanian Gaming Community, zbulojmë se si projektet ambicioze si “Playing Narratives” dhe “Shift2Games” po hapin rrugën për gjeneratën e re të krijuesve shqiptarë. Me këto nisma, Ballkani po bëhet një qendër e re për zhvillimin e video-lojrave, dhe Shqipëria është gati në qendër të këtij ndryshimi. Zbuloni më shumë mbi këto përpjekje dhe ndikimin e tyre të mundshëm në komunitetin lokal të gaming-ut.

  • A mund të na tregoni pak rreth takimit të fundit të komuniteteve të gaming-ut në Ballkan? Cili ishte objektivi kryesor i këtij eventi?

Përfaqësuesit e komuniteteve të zhvilluesve të video-lojrave në vendet e Ballkanit si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, dhe Bosnja dhe Hercegovina, kanë rreth 1 vit që janë duke eksploruar mundësi të ndryshme për bashkëpunim në nivel rajonal. Komunitetet e këtyre vendeve janë me ritme të larta zhvillimi dhe mbledhin një numër të madh të rinjsh të talentuar të fushave të ndryshme që janë tashmë të angazhuar në industrinë globale të zhvillimit të video-lojrave. Ndërkohë që vendet si Serbia dhe Kroacia kanë bërë hapa të konsiderueshëm në zhvillimin e industrisë në vendet e tyre, vendet e tjera në Ballkan janë ende në hapat e tyre të parë. Bashkëpunimi ndër komunitete të ndryshme synon të ndihmojë në shkëmbimin e eksperiencave, zhvillimin e ndërsjelltë të kapaciteteve dhe mbështetjen e studiove të reja të zhvillimit të video-lojrave në qasjen e tregut global të industrisë.

Takimi i fundit i organizuar nga SGA (Serbian Games Association) dhe Montegames (Komuniteti i zhvilluesve të video-lojrave në Mal te Zi), bëri bashkë përfaqësues të komuniteteve në Ballkan për të konsoliduar gatishmërinë e tyre për të zhvilluar dy nisma tepër të rëndësishme: “Playing Narratives” dhe Shift2Games”.

  • Çfarë ju inspiroi në krijimin e nismave si inkubatori “Playing Narratives” dhe lokalizimi i platformës “Shift2Games” për Ballkanin Perëndimor?

Albanian Gaming Community ka punuar vazhdimisht për ndërgjegjësimin në nivel institucional si dhe për prurjen e programeve të ndryshme për rritjen e kapaciteteve të të rinjve.
Playing Narratives është një program 8 mujor inkubimi për ideimin e video-lojrave, ajo që në industri quhet ‘Game Design’. Kjo nuk përfshin vetëm dizajnin grafik të video lojrave, por ndihmon pjesëmarrësit për tu aftësuar në të gjithë komponentët në dizenjimin e idesë të një video-loje, nga narrativa, muzika, mekanikat e lojës, dizajni i karaktereve etj. Ky program është pilotuar nga SGA me mbështetjen e Programit Reconomy, për 4 vite rrjesht, dhe ka bërë të mundur tërheqjen e shumë të rinjve në komunitet si dhe përfshirjen e tyre në industrinë globale. 

Shift2Games është një platformë e dedikuar aftësimit të të rinjve në industrinë e video-lojrave. Lokalizimi i kësaj platforme do të bëhet për të gjitha gjuhët e folura nga komunitetet në Ballkan, për të bërë të mundur ndarjen dhe aksesin e informacionit në sa më shumë të rinj. Duke patur parasysh që komunitetet e të rinjve në këtë industri janë përgjithsisht të shtyre nga pasioni dhe mungesa e institucioneve edukuese rreth industrisë në rajon, platforma do të jetë një mundësi tepër e mirë për të udhëzuar këta të rinj mbi aftësitë që nevojiten për t’ju qasur industrisë, burime të ndryshme të informacionit si dhe mundësi punësimi të ndryshme në industri. 

  • Si e parashikoni ndikimin e këtyre nismave në komunitetin e gaming-ut në Shqipëri?

Komuniteti në Shqipëri ka një potencial tepër të madh për zhvillim. Angazhimi që është vënë re vitin e fundit tregon se edhe pse në mungesë të institucioneve edukuese apo dhe mundësive të punësimit në masë brenda Shqipërisë, këta të rinj janë vetë aftësuar për të ndërtuar video-lojra. Ajo që është e nevojshme është udhëzimi i tyre drejt ndërtimit të një karriere në industri. Të dyja nismat, synojnë të ndihmojnë pikërisht mbi këtë. E para, ‘Playing Narratives’ do të bëjë të mundur prezantimin e industrisë tek të rinj të cilët jo domosdoshmërisht janë zhvillues, por vijnë nga profile të ndryshme të industrive kreative. Muzikantë, shkrimtarë, arkitektë, apo dhe krijues digjitalë do të mund të njihen me proceset e ideimit dhe dizajnin të një video-loje si dhe të trajnohen për të përshtatur aftësitë e tyre për industrinë.
Nga ana tjetër, nëpërmjet platformes Shift2Games të përshtatur në gjuhën shqipe, këta të rinj do të kenë të mundur të marrin informacion konkret mbi industrinë, mundësive të punësimit në rajon dhe përgatitjen e tyre për aplikimin në këto vende pune.

  • Pse është e rëndësishme që krijuesit nga fusha të ndryshme të përfshihen në zhvillimin e lojërave narrative?

Të rinjtë e talentuar në industritë kreative në Shqipëri hasin shpesh pengesa të mëdha në monetizimin e artit të tyre. Për ta është e vështirë që të kapin tregun global duke aplikuar aftësitë e tyre brenda sektorëve të ndryshëm tradicional të idustrisë kreative. Ndërkohë industria e ndërtimit të video-lojrave, duke qenë dhe një nga industritë më të mëdha në botë, si dhe duke qenë totalisht e decentralizuar, ofron mundësi për këdo që të mund të ndërtojë karrierën e tyre në të. Trendet rritëse të industrisë gjithashtu janë dhe ndër më të lartat krahasimisht me industritë e tjera dhe ndërlidhja e video-lojrave me industritë e tjera gjithmonë e më tepër po bëhet e pashmangshme. Kjo do të bëjë të mundur që këta të rinj të kenë gjithmonë e më shumë mundësi punësimi dhe qasje në tregun global.

Lexo edhe:It’s all Fun and Games… and Business!

  • Çfarë lloj mbështetjeje ose burimesh do të ofrojë inkubatori “Playing Narratives” për pjesëmarrësit?

Playing Narratives do të jetë një program disa mujor ku ekipe të ndryshme do të trajnohen në mënyrë intensive nga ekspertë të fushës lokale dhe rajonale mbi të gjithë komponentët dhe proceset e ndërtimit të video-lojërave. Programi do të bëjë bashkë të rinj nga fusha të ndryshme si muzika, dizajni apo shkrimi kreativ për të punuar së bashku për të prezantuar në fund të programit një ide prototip të një video-loje. Gjithashtu, përgjatë inkubimit ata do të kenë mundësi të njihen me komunitetet e tjera rajonale si dhe të bëhen pjesë e një rrjeti më të gjerë pjesmarrësish duke qenë se programi ka shtrirje rajonale. 

  • Si do të përshtatet platforma Shift2Games me nevojat e komunitetit të gaming-ut në Shqipëri?

Duke patur parasysh që komuniteti në Shqipëri është ende në hapat e para të angazhimit, platforma Shift2Games, do të luajë një rol të rëndësishëm ndërgjegjësimi. Në të do të ketë informacion të detajuar për këdo të apasionuar që do të bëjë hapat e parë në industri, rreth mjeteve dhe aftësive që i duhen, si mund të angazhohet dhe potencialisht të informohet për mundësi punësimi në rajon. Momentalisht ka një numër të limituar studiosh që zhvillojnë video-lojëra në Shqipëri, por platforma do të jetë një hapësirë digjitale për të promovuar këto studio si dhe nisma të ndryshme të ndërmarra për industrinë.

  • Duke parë drejt së ardhmes, çfarë përpjekjesh të tjera bashkëpunimi ose projekte mund të presim nga komunitetet e gaming-ut në Ballkan?

Platforma Shift2Games pritet të lançohet në të gjitha gjuhët e folura në Ballkan brenda fundit të vitit. Ndërkohë që Playing Narratives është planifikuar të implementohet në 2025-ën.
Albanian Gaming Community është vazhdimisht në kërkimin e bashkëpunimeve të ndryshme si në nivel institucional ashtu dhe rajonal me komunitetet e ndryshme. Ka një plan të gjerë për muajt në vazhdim ku do të zhvillohen një sërë takimesh brenda komunitetit me tematika të ndryshme, workshop-e teknike mbi mjetet e ndryshme të zhvillimit dhe dizajnimit të lojrave etj. Ndërkohë në nivel institucional, Albanian Gaming Community ka për qëllim që të konsolidojë urat e komunikimit me institucionet relevante në Shqipëri si dhe të ndihmojë në promovimin e studiove të reja dhe zhvilluesve individë të video-lojrave. 

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0