Veriflot: Si një startup shqiptar po transformon tregun e sigurimeve me teknologji inovative - Business Magazine Albania

Veriflot: Si një startup shqiptar po transformon tregun e sigurimeve me teknologji inovative

Veriflot: Si një startup shqiptar po transformon tregun e sigurimeve me teknologji inovative

Veriflot, një nga kompanitë më të reja dhe inovative në Shqipëri, po transformon tregun e platformave software që prej themelimit të saj në vitin 2018. Duke zhvilluar produkte të avancuara teknologjike si Easyflot, një software për GPS Tracking dhe Menaxhimin e Flotës, Veriflot ka arritur të konkurrojë suksesshëm në tregje të mëdha si Shqipëria, SHBA dhe Italia. Për të mësuar më shumë rreth zhvillimeve të fundit dhe planeve të ardhshme të kompanisë, ne intervistuam Ditmar Zhegun, Menaxher Operacional pranë Veriflot,  cili na tregoi për platformën e re inovative Veriflot Assist që synon të revolucionalizojë mënyrën se si qytetarët dhe kompanitë ndërveprojnë me sigurimet.

1.Na tregoni pak për historikun e startup-it tuaj. Si lindi ideja dhe cilat ishin hapat fillestarë që ndërmorët për të krijuar këtë biznes?

Veriflot është një kompani e themeluar në vitin 2018 dhe fokusohet në zhvillimin e platformave  software. Jemi ndër të paktat kompani shqiptare që zhvillon 100% produktin dhe e rishet vetë.  Platforma më e suksesshme e zhvilluar nga ne është Easyflot, një software për GPS Tracking dhe  Menaxhimin e Flotës, e vetmja platformë e këtij lloji e zhvilluar plotësisht nga një ekip shqiptar.  Platforma Easyflot aktualisht po shitet në Shqipëri, SHBA dhe Itali. 

Ideja e Veriflot Assist lindi nga eksperienca jonë me klientët tanë në fushën e GPS Tracking.  Rreth 90% e dëmeve të vogla (gërvishtje, thyerje fenerësh, etj.) zgjidhen nga palët në mënyrë  private pa plotësuar Raportin Europian të Aksidenteve. Edhe në rastet kur plotësohet raporti  europian, për mungesë dokumentacioni, palët nuk dëmshpërblehen nga kompanitë e  sigurimeve. Për shembull, fotot e aksidentit dhe skicat janë të domosdoshme, por për mungesë  informacioni nga palët, fotot nuk bëhen në vendngjarje dhe si pasojë kompensimi i dëmit nuk  kryhet. Duke zhvilluar një platformë e cila ndjek të gjithë procesin në mënyrë digjitale, palët  nuk humbasin asgjë. Qëllimi ynë final është të bëjmë integrime API me kompanitë e sigurimeve  në mënyrë që sistemet të komunikojnë automatikisht dhe në kohë reale kompania e sigurimeve  të marrë formularin e plotësuar.

2.Cilat janë arritjet më të mëdha të deritanishme të startup-it tuaj?

Veriflot Assist do të zhvillohet shumë shpejt. Ky grant do i japë një tjetër dimension të gjithë  konceptit, pasi do të kemi mjaftueshëm buxhet edhe për marketing. Kështu, konsumatori final  do të informohet më shpejt mbi ekzistencën e platformës.

3.Si e shihni zhvillimin e startup-it tuaj në 3-5 vitet e ardhshme?

Ideja e Veriflot Assist lindi nga vetë kërkesa e tregut dhe jam i bindur që brenda vitit përdorimi i  tij do të jetë masiv, jo vetëm për të dokumentuar aksidente por edhe për t’u informuar mbi  tregun e sigurimeve në përgjithësi dhe të drejtat që çdo qytetar disponon për t’u dëmshpërblyer  nga kompanitë e sigurimit. Në 3-5 vitet e ardhshme, e shikoj platformën si kanalin e vetëm ku  çdo qytetar do të gjejë zgjidhje për sa i përket policave të sigurimit, jo vetëm sigurimeve të  detyruara me ligj por edhe atyre vullnetare.

4.Si e vlerësoni mbështetjen e qeverisë dhe institucioneve të tjera për startup-et në vendin tonë?

Çdo ide ka nevojë për promovim dhe grantet natyrisht janë forma e duhur. Në fund të fundit,  asnjë ide nuk mund të vihet në jetë pa fonde. E vlerësoj shumë mbështetjen e qeverisë pasi është  një shtysë në stimulimin e ideve të reja, por gjithashtu jam i mendimit që ka nevojë për më  shumë përpjekje. Do të doja shumë që bizneset teknologjike të trajtohen ndryshe në aspektin  fiskal. Dua të përmend rastin e Estonisë, ku norma e tatimit për fitimet e reinvestuara është 0%.  Kjo politikë është veçanërisht e dobishme për startup-et dhe kompanitë e software që shpesh  kanë nevojë të reinvestojnë fitimet e tyre në zhvillimin e produkteve dhe zgjerimin e  operacioneve të tyre.

5.A keni ndonjë partneritet apo bashkëpunim që ka qenë kyç për zhvillimin e startup-it tuaj?

Klientët aktualë të Veriflot janë kompani me flota automjetesh të konsiderueshme dhe mendoj  se eksperienca me këto kompani ka qenë vendimtare për të krijuar konceptin si pasojë e vetë  nevojës që këto kompani kanë. Por jo vetëm kompanitë, edhe eksperienca e shumë individëve  forcon idenë për të zhvilluar këtë produkt. 

6.Cila është vizioni juaj për të ardhmen e startup-it tuaj dhe si dëshironi që të kujtohet startup-i juaj në industrinë ku operoni?

Siç e përmenda më sipër, në një perspektivë 3-vjeçare, e shikoj Veriflot Assist si kanalin e  vetëm ku çdo kush ka mundësi jo vetëm të raportojë aksidente por edhe të informohet mbi çdo  produkt në fushën e sigurimeve, qofshin ato të detyrueshme me ligj ose vullnetare. Do të ishte  shumë interesante që kompani sigurimi të huaja të kenë mundësinë e shitjes së sigurimeve  vullnetare. Ligji e lejon blerjen e policave vullnetare nga operatorë të huaj, por çuditërisht deri  më tani tregu nuk ka mjaftueshëm akses.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0