TrustMark, një instrument efektiv për të rritur besueshmërinë e konsumatorëve tek Blerjet Online - Business Magazine Albania

TrustMark, një instrument efektiv për të rritur besueshmërinë e konsumatorëve tek Blerjet Online

TrustMark, një instrument efektiv për të rritur besueshmërinë e konsumatorëve tek Blerjet Online

Është  zhvilluar këtë javë mbledhja e parë e bordit drejtues të Albanian E-Commerce Association për vitin 2024. Mbledhja nisi duke nderuar  një prej themeluesve të AECA-s , z.Dritan Mezini, i cili humbi jetën së fundmi. “Do jetë ngahera me ne në cdo hap e përpjekje për të zhvilluar sektorin e e-commerce në Shqipëri” – shprehet Artan Gjergji, sekretar i përgjithshëm në AECA.

Në mbledhje u fol  rreth projekteve të mbyllura me sukses në vitin që lamë pas dhe ato që janë planifikuar për këtë vit.

👉 Fokusi për vitin 2024 do të jetë kryesisht në drejtim të:
Implementimit të TrustMark si një instrument për certifikimin e seriozitetit dhe standardizimit të operatorëve të shitjeve online në Shqipëri, si një mjet për të ndarë subjektet informale nga ato serioze dhe Rritur Besimin e Konsumatorëve tek Sektor i Ecommerce
Rritjen e Prezencës Tek Publiku të Shoqatës AECA nëpërmjet Aktiviteteve, Trajnimeve, Eventeve dhe Statistikave,
Rritjen e nivelit të Dialogut Publik Privat sidomos me Ministrinë e Financave për përfundimin me sukses të Plan Veprimit për Zhvillimin e Sektorit E-commerce në Shqipëri,
Pjesëmarrje aktive në aktivitetet dhe nismat rajonale për zhvillimin e industrisë në rajon nëpërmjet Anëtarësisë në BallkanEcommerce Association (BECA).

Për të pasur një pasqyrë më të qartë rreth qëllimeve të këtij viti  deri në detaje, kemi zhvilluar një intervistë me  Z. ARTAN GJERGJI, Sekretar i Përgjithshëm i AECA.

Nga projektet më të spikatura të Shoqatës Shqiptare për Tregtinë Elektronike (AECA) është fillimi i zbatimit të një TrustMark për bizneset e-commerce në vend. A mund të na jepni një informacion më të detajuar në lidhje me këtë projekt?
Siç jeni në dijeni, që prej themelimit të saj në vitin 2022, AECA po përpiqet shumë në treg të adresojë problemet kryesore që ka industria e shitjeve online në vend. Një ndër problematikat më të mëdha që ka ky sektor në vendin tonë, është padyshim informaliteti. Kjo për shkak se, përvecse krijon një konkurrencë të pandershme mes operatorëve të tregut, ndikon negativisht në reduktimin e të ardhurave tatimore në buxhetin e shtetit dhe cka është më e rëndësishmja, dëmton besimin e konsumatorëve tek blerjet online, pasi subjektet informale në pjesën më të madhe të rasteve abuzojnë më konsumatorët.
Të gjendur përballë kësaj situate, padyshim që nuk është e lehtë t’i shpallësh luftë informalitetit që “gëlon” sidomos nëpër rrjetet sociale. Për rrjedhojë me mbështetjen edhe të donatorëve të rëndësishëm si GIZ apo HELVETAS jemi përpjekur që të trajnojmë komunitetin e biznesit si dhe të arrijmë të identifikojmë mënyrat dhe instrumentat më efikase që na ndihmojnë të bëjmë diferencën në treg para konsumatorit si biznese serioze. Në anën tjetër, edhe filozofia që ndjekim ne tek Shoqata AECA, nuk është që t’i shpallim luftë informalitetit, por të sensibilizojmë operatorët e shumtë të shitjeve online që të orientohen nga errësira e informalitetit në dritën e seriozitetit dhe një marrëdhënieje korrekte e afatgjatë me konsumatorët.
Parë në këtë këndvështrim si dhe duke marrë për bazë praktikat më të mira ndërkombëtare, së bashku me mbështetjen financiare të GIZ në nivel rajonal, kemi arritur të fusim në zbatim një instrument që quhet TrustMark dhe që është thjesht një certifikatë besimi, një indikator që jep sinjale dhe tregon një nivel të konsiderueshëm garancie për konsumatorin. Kështu, e ngjashme me yjet e hoteleve, edhe TrustMark është një indikator në sytë e klientëve të tregtisë online që tregon se faqja e internetit ku po blejnë zbaton me rigorozitet praktikat më të mira të e-commerce dhe të mbrojtjes së konsumatorit. Kjo do të përbëjë një element mjaft të rëndësishëm ndihmues për konsumatorin për të orientuar sjelljen e tij drejt blerjeve vetëm në faqet e internetit apo në bizneset që janë në zotërim të kësaj Certifikate Besimi.

Lexo edhe: Një vështrim për rritjen e tregtisë elektronike në Shqipëri

Kush do ta emetojë këtë Certifikatë Besimi ?
TrustMark do të jetë një atribut i Shoqatës AECA dhe ne jemi në hapat e fundit të përcaktimit të modaliteteve për të filluar edhe testimin e bizneseve të para që janë Anëtare të shoqatës. Të gjithë ata që do plotësojnë kriteret dhe standardet e caktuara, do të pajisen nga AECA me këtë TrusMark, dhe mund ta publikojnë atë si një logo apo badge në faqet e tyre zyrtare të internetit. Certifikata ka elementët e mjaftueshëm të sigurisë dhe do të jetë pothuajse e pamundur të fallsifikohet apo të abuzohet me të.
Procesi i testimit (screening), për të vlerësuar nëse një subjekt e meriton apo jo ta zotërojë një instrument të tillë, do të realizohet nga AECA bazuar në disa kritere të mirëpërcaktuara më parë dhe transparente për bizneset ecommerce. Gjithashtu, zotërimi i kësaj certifikate besimi do të ketë në vijimësi edhe një proces monitorimi periodik, me qëllim mos-abuzimin nga subjektet që
e kanë kaluar me sukses fazën e parë të testimit, por që më vonë mund të cedojnë nga cilësia
dhe serioziteti.
Përdorimi në masë dhe me rigorozitet i TrustMark do të ndihmojë Anëtarët e Shoqatës AECA që të bëjnë diferencën ndaj subjekteve të tjera që operojnë në informalitet, dhe do t’u japë atyre mundësinë që të distancohen nga abuzimet e mashtrimet që bëhen në treg. Ky element do të rrisë ndjeshëm besueshmërinë e qytetarëve dhe konsumatorëve drejt faqeve të internetit që shesin online dhe që kanë të publikuara certifikatën e besimit, pasi aty do të ndihen më të mbrojtur nga abuzimet e mundshme. Në çdo rast, konsumatorëve do t’u lihet një dritare ankimimi si një element shtesë që do të ndihmojë AECA-n që të monitorojë më me efikasitet ecurinë e aktivitetit tregtar të subjektetve të pajisura me TrustMark. Kjo do të pengojë seriozisht keqpërdorimin apo abuzimin e bizneseve me një instrument të tillë dhe do të rrisë besueshmërinë ndaj tij.
Cilat kritere përfshin TrustMark për të vlerësuar seriozitetin e një operatori të shitjeve
online?
Me mbështetjen financiare të GIZ, kriteret dhe metodologjia e TrustMark janë përcaktuar nga ekspertë të huaj të cilët kanë gërshetuar praktikat më të mira ndërkombëtare me kudrin ligjor e rregullativ të vendeve në rajon. Projekti i mbështetur nga GIZ është pjesë e një axhende për fuqizimin e shoqatave të sektorit ecommerce në Ballkanin Perëndimor, si një nga shtyllat më të rëndësishme të CEFTA për nxitjen e tregtisë në nivel rajonal. Pjesë e këtij projekti është krijimi i një shoqate rajonale me emrin Balkan E-Commerce Alliance (BECA) si dhe krijimi i standardeve bashkëkohore të të bërit biznes në botën elektronike.
Në rastin rajonal, kriteret janë të përgjithshme ndërkohë që sipas legjislacionit të vendit ku do implementohen kriteret e testimit të TrustMark, ka edhe elementë shtesë. Në rastin e Shqpërisë, AECA së bashku me ekspertët e huaj ka identifikuar rreth 16 kritere të rëndësishme që duhet t’i ketë cdo biznes që shet online në mënyrë që të garantojë siguri për konsumatorin dhe të krijojë një marrëdhënie të qëndrueshme afatgjatë bazuar mbi besimin.

Këto 16 kritere janë elementë që janë në përputhje me kuadrin ligjor e rregullativ në vend, por që në praktikën e sotme pak ose aspak gjejnë zbatueshmëri. Këto 16 kritere të vlerësimit për pajisjen nga AECA
të një tregtari online me TrustMark bazohen në 6 fusha kryesore si më poshtë shpjeguar:
– Informacioni në lidhje me Identitetin e Tregtarit Online,
– Transparenca dhe Infromacioni në lidhje me Produktet/Shërbimet e Tregtuara Online,
– Informacioni në lidhje me Shpërndarjen dhe Mënyrat e Pagesës,
– Heqja dorë e Klientit nga Transaksioni dhe Anullimi i Porosisë,
– Politikat e Sigurisë, Privacisë dhe Mbrojtjes së të Dhënave,
– Kodi i Etikës së Tregtarit Online.

Lexo edhe:Albagame, “galeria” e lojërave, pjesë e shoqatës së e-commerce në Shqipëri

Çfarë përfitimesh mund të sjellë anëtarësia në BECA për sektorin e ecommerce në Shqipëri?
Krijimi i Aleancës Ballkanike për Tregtinë Elektronike (BECA) ka në thelb, jo vetëm mbështetjen e shoqatave të kësaj industrie në vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe harmonizimin e praktikave dhe eksperiencave më të mira, duke nxitur rritjen e volumeve të tregtisë elektronike brenda vendeve përkatëse dhe përtej kufinjve rajonalë. Si pjesë e pandashme e Iniciativës CEFTA, krijimi i BECA me mbështetjen e GIZ, synon të rrisë konkurrencën në nivel rajonal të bizneseve që shesin online, rritjen e volumeve të tregtimit, standardizimin e procedurave dhe maturimin e tyre përpara përfshirjes në tregun e madh europian ku konkurrenca do të jetë shumë herë më e madhe.
Si synoni të përdorni këtë anëtarsim në BECA për të kontribuar në zhvillimin e sektorit në
Shqipëri dhe në rajon?
Si pjesë e BECA të gjitha shoqatat e biznesit ecommerce në rajon janë aktive dhe të barabarta në ndërvperim. Për rrjedhojë edhe përfitimet priten të jenë të mëdha duke filluar që nga trajnimet, ndarja e eksperiencave, krijimi i eventeve rajonale, bashkëveprimi dhe koordinimi për adresimin e problematikave ndërkufitare mes shteteve, problematikat e bizneseve që tregtojnë në nivel rajonal, e deri tek paraprirja e një ndërveprimi politik në nivel rajonal përmes instrumentit të Dialogut Publik-Privat, apo aplikimit të projekteve të përbashkëta me financim direkt nga fondet e Bashkimit Europian. Deri në momentet që flasim, edhe pse me nje jetëgjatësi relativisht të vogël (BECA është krijuar para më pak se 1 viti), ne jemi duke zbatuar diku më shumë e diku më pak, pothuaj të gjithë komponentët e sipërpërmendur.

Kështu psh. AECA është shembull pararojë si i vetmi vend në rajon që ka arritur të avancojë në Dialogun Publik-Privat me Qeverinë Shqptare duke bashkuar forcat për hartimin e një Plan Veprimi për Zhvllimin e Industrisë E-Commerce në Shqipëri. Në anën tjetër, AECA është e përfshirë në projekte trajnimesh të përbashkëta me fonde nga USAID me homologët serbë si dhe në projekte të financuara nga BE më homologët maqedonas. Në fokusin tonë si AECA për vitin 2024 është përfshirja në një rol më aktiv të komunitetit ecommerce të Kosovës në nismat rajonale, edhe pse nuk është e lehtë pasi ky vend nuk ka ende një shoqatë të mirëfilltë të dedikuar për sektorin e tregtisë elektronike. Jemi optimistë se me eksperiencën tonë do arrijmë që të rrisim nivelin e bashkëpunimit me ecommercet shqiptare që operojnë në Kosovë e më gjerë në rajon.
Si mendoni të rrisni akoma më shumë prezencën e Shoqatës AECA tek konsumatorët?
Ky objektiv është kryefjala e cdo aktiviteti apo nisme të përdtishme që ka Shoqata AECA, duke filluar që tek kontaktet e përditshme me aktorë e sipërmarrës aktivë të sektorit të shitjeve online në Shqipëri, e deri tek projektet e përbashkëta që po zbatohen. Pavarësisht mundësive modeste financiare që zotëron AECA, pasi sektori i ecommerce përbëhet nga subjekte micro ose të vogla, ne po përpiqemi të jemi mjaft aktivë dhe transparentë në rrjetet sociale me artikuj, statistika, pyetësore dhe cdo lloj informacioni të nevojshëm që tregon trendet më të fundit të zhvillimit të ecommerceve në rajon dhe në botë.
Për vitin 2024 do të kemi një fokus të vecantë tek trajnimet, rrija e kapaciteteve të punonjësve në sektorin e ecommerce, fillimin nga implementimi të instrumentit të TrustMark, përmbylljen me sukses dhe miratimin nga Qeveria të Plan Veprimit për Zhvilimin e Sektorit si dhe intensifikimin e Dialogut Publik-Privat me institucione të tjera të rëndësishme për sektorin si AKEP, Banka e Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave etj.

E fundit, por jo nga rëndësia, AECA do vijojë më të njëjtin ritëm aktivitetin e saj në eventet rajonale që synojnë promovimin, standardizimin dhe zhvillimin e sektorit të shitjeve online.

Qëndroni të përditësuar  duke lexuar këtu për njoftime të tjera nga AECA

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0