Digjitalizimi në administratën publike, nevojiten rregullore që sigurojnë standard - Business Magazine Albania

Digjitalizimi në administratën publike, nevojiten rregullore që sigurojnë standard

Shkruar nga Nadia Elbasani, Kontributore

Ndërsa shoqëritë bëhen gjithnjë e më të varura nga teknologjia, administrata publike nuk duhet të përbëjë përjashtim në përqafimin e revolucionit digjital. Sado janë bërë përpjekje që të ruhet me fanatizëm shërbimi fizik ndaj qytetarëve, digjitalizimi është hap i pashmangshëm drejt garantimit të efikasitetit, transparencës dhe kontrollit të cilësisë së shërbimeve të administratës publike.

Në këtë kuadër, duhet domosdoshmërisht të sigurohet që ky digjitalizim do të ruajë të dhënat e qytetarëve, në të kundërt, cilado anë pozitive e digjitalizimit të administratës publike kthehet në një bumerang që shkakton kaos dhe mosbesim në çdo hap të procesit të digjitalizimit. Teknologjia mund të jetë edhe një ndihmë edhe një fatkeqësi në këtë përpjekje, prandaj masat e duhura të sigurisë kibernetike janë thelbësore në garantimin e këtij procesi. Nevoja për një kornizë të plotë legjislative dhe rregullatore është parësore për të drejtuar përshtatjen e administratës ndaj teknologjive të reja.

Të dhënat në përgjithësi dhe ato të një popullate në veçanti, në botën e politikës apo të biznesit janë një aset i çmuar. Dështimi për t’i ruajtur, sikurse edhe legjislacioni i paplotë në këtë fushë, potencialisht mund të shkaktojnë zhgënjim publik dhe thyeje të besimit. Në momentin që vendoset për digjitalizim të plotë të veprimtarisë së administratës publike, duhet që pushteti legjislativ të plotësojë kuadrin ligjor dhe rregullator të kriptimit, kontrolleve të aksesit dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve.

Në kuadër të perspektivës europiane, edhe përsa i përket digjitalizimit, Shqipëria duhet të jetë në një nivel garancie të standardeve ndërkombëtare të mbrojtjes së të dhënave, të tilla si Rregullorja e Përgjithshme Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), për të garantuar sigurinë e të dhënave dhe për të krijuar besim te qytetarët. Aktualisht, po punohet për projektligjin e ri për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili ka qenë planifikuar të miratohet brenda këtij viti. Ky projektligj synon të përafrohet maksimalisht me GDPR, por kjo është një sfidë e vështirë, sidomos duke marrë parasysh mungesën e praktikave të mira në vendin tonë për këtë çështje.

Një kuadër i plotë legjislativ dhe rregullator është i domosdoshëm për të udhëhequr përshtatjen e qeverisë ndaj teknologjive të reja dhe për të garantuar besimin se procesi është në nivelin e duhur të ruajtjes së të dhënave. Rregulloret duhet të vendosin një ekuilibër midis nxitjes së inovacionit dhe mbrojtjes së interesave publike.

Për nje efikasitet të plotë të këtij procesi, qeveria shqiptare duhet të bashkëpunojë ndërkombëtarisht apo të marrë praktikat më të suksesshme për të vendosur rregullore të qëndrueshme për teknologjitë në zhvillim. Synimi është trajtimi i problematikave ligjore e  kërcënimeve të sigurisë kibernetike, shqetësimet për privatësinë e të dhënave dhe dëmet e mundshme për shoqërinë. Pra, kërkohet më tepër se thjesht transpozimi i një rregulloreje të Bashkimit Europian si pjesë e legjislacionit vendas.

Lexo: Fiskalizimi kërkon kujdes të shtuar dhe rregulla të forta në ruajtjen e të dhënave

Digjitalizimi sjell sfida të paprecedenta që legjislacioni duhet të parashikojë dhe përmbushë, në të kundërt i tërë procesi do të rezultojë në një humbje financiare dhe të privatësie së të dhënave. Trajtimi me përgjegjësi i të dhënave të popullsisë është një detyrim themelor në procesin e digjitalizimit. Është thelbësore t’i jepet përparësi sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave për të siguruar që transformimi digjital t’i shërbejë interesave më të mira të qytetarëve. Duke miratuar dhe zbatuar masa të forta të sigurisë kibernetike, qeveritë mund të sigurojnë që të dhënat e qytetarëve të mbeten të mbrojtura, duke nxitur besimin dhe duke rritur eficencën e shërbimeve të administratës publike.

 

 

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0