Shoqata e e-commerce në Shqipëri është ideuar vetëm 2 vite më parë megjithatë ka bërë bashkë mjaft aktorë të industrisë së e-commerce në Shqipëri ç’ka tregon rëndësinë dhe nevojën e kësaj shoqate në treg. Në këtë intervistë diskutojmë me një ndër themeluesit të cilët kanë vendosur të bëhen pjesë e shoqatës, Shpëtim Dulaj, themelues i Albagame.
Shpëtimi na tregoi se Albagame vendosi të jetë pjesë e shoqatës Shqiptare të Tregtisë Elektronike (AECA) që në ditët e para të projekt-idesë me shumë entuziasëm. Synimi ishte të qenit pjesë e një komuniteti që përballet me të njëjtat sfida dhe problematika duke u dhënë mundësinë të ndanin përvoja dhe të gjenin zgjidhje.
“Tregtia elektronike është bërë një mjet i fuqishëm për ndërmarrjet për të arritur suksesin në treg. Përmirësimet që ajo sjell tek një biznes fillojnë që nga:
- Ulja e kostove operative. Pra nuk kërkon hapsira dhe nuk ka nevojë për shumë punonjës, siç mund të kërkojë një dyqan fizik tradicional.
- Shitja e produkteve pa kufizime gjeografike dhe pa kufizime kohore pasi një dyqan online është në shërbim 24/7.
- Deri tek arritja e çdo klienti me oferta të personalizuara, rritja e mundësive për të pasur një informacion të detajuar për numrin e madh të produkteve dhe shërbimeve që tregëtohen.
- Me tregtinë elektronike, konsumatorët mund të bëjnë blerje online lehtësisht nga komoditeti i shtëpisë së tyre.” – shpjegon ai.
Cilët janë aktorët e e-commerce në Shqipëri? Çfarë zhvillimesh teknologjike kanë arritur të sjellin në treg?
Aktorë në tregun tonë ka shumë dhe nuk dua të përmend disa dhe të harroj disa të tjerë. Për t’u veçuar janë pionerët e tregtisë online, Dyqanin Taxi sot Aladini. Dy djem të apasionuar dhe vizionar hodhën hapat dhe krijuan disa standarte në tregtinë online. Tashmë me zhvillimet e kohëve të fundit ne duhet, dhe është e rëndësishme që të punojmë bazuar në standarte të konkurrencës dhe të bërit biznes formal.
Zhvillimet kryesore që kanë arritur një pjesë e mirë e platformave të tregtisë elektronike në Shqipëri janë :
– Ritjen e sigurisë në sistemin e Pagesave Online. Pra shtimin e disa protokolleve, ose siç quhen teknologjia e enkriptimit për të dhënat e kartave.
– Standarte në përdorimin e të dhënave.
– Përmirësimin e marrëdhënive me konsumatorin, ku nëpërmjet disa moduleve është e mundur të analizohen dhe plotësohen kërkesat e klientit
– Përmirësim në dërgesë dhe logjistik
Çfarë impakti ka patur shoqata në treg? Cilat janë planet e së ardhmes? Cili ka qenë impakti në biznesin tuaj?
Shoqata Shqiptare e Tregtisë Elektronike (AECA) ka pasur një ndikim të ndjeshëm në tregun e tregtisë elektronike përmes iniciativave të saj të ndryshme. Një kontribut i rëndësishëm është ofrimi i trajnimeve të vlefshme për anëtarët me një pagesë simbolike. Duke ofruar këto trajnime, është synuar pajisja e anëtarëve me aftësitë dhe njohuritë themelore për të shfrytëzuar mundësitë e tregtisë elektronike.
Fokusi i AECA-s është krijimi i një komuniteti të fortë të bizneseve të tregtisë elektronike, bashkëpunimi dhe ndarja e njohurive mes anëtarëve të saj. Ky fokus rrit bashkëpunimin dhe ofron një platformë për bizneset për të shkëmbyer ide, ndarë praktikat më të mira dhe shqyrtuar partneritete potenciale brenda dhe jashtë vendit. Kjo jo vetëm ndihmon në rritjen e bizneseve individuale, por kontribuon gjithashtu në zhvillimin e përgjithshëm të tregtisë elektronike në Shqipëri.
Ndër shume plane, vlen për t’u permendur, dhe nga më të rëndësishmit i AECA-s, është lëshimi i një Certifikatë Sigurie (Trust Mark), ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të sigurisë dhe besimit në tregun e tregtisë elektronike. Kjo certifikat jo vetëm dallon bizneset serioze dhe të besueshme në internet nga ato joformale, por gjithashtu rrit besimin e konsumatorëve. Kjo nismë mund të ndihmojë në krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të besueshëm për blerësit në internet, duke përfituar në fund të fundit si bizneset ashtu edhe konsumatorët.
Së fundmi shoqata ka lançuar një pyetësor për bizneset online ku mund të përfitojnë një guidë të personalizuar dhe konsulencë falas me ekspertë të shoqatës. Sa e vlefshme është kjo në syrin tuaj? Cili është synimi i këtij shërbimi?
Mundësia për një konsultim falas me ekspertët e AECA-s është një burim i vlefshëm. Ajo lejon bizneset të përfitojnë nga njohuria dhe përvoja e shoqatës në fushën e tregtisë elektronike. Ky shërbim konsultimi mund të ofrojë njohuri, udhëzime dhe në fund zgjidhje që adresojnë shqetësime specifike apo pengesa të cilat përballen çdo ditë nga bizneset individuale.
Në fund për mendimin tim rrit vlerën e anëtarësisë tek AECA dhe kontribuon në rritjen dhe suksesin e përgjithshëm të bizneseve të tregtisë elektronike në Shqipëri.
Nëse do të bënit një thirrje per bizneset e-commerce në Shqipëri cila do të ishte?
Ndërtoni gjëra të thjeshta që përcjellin vlerë.
Punoni për besimin e klientit.
Mësoni nga gabimet.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.