Familja nga Zadrima mban gjallë traditën e kultivimit të krimbit të mëndafshit - Business Magazine Albania

Familja nga Zadrima mban gjallë traditën e kultivimit të krimbit të mëndafshit

Mimoza Pjetraj duke u kujdesur për ushqimin dhe kushtet e kultivimit të krimbit të mëndafshit në fermën e saj. Foto: Nensi Bogdani/BIRN.

Nga Reporter.al

Kultivimi i krimbit të mëndafshit është një traditë e hershme në Shqipëri, e cila po shkon drejt zhdukjes. Por një familje në fshatin Dajç të Zadrimës po e mban gjallë traditën përmes një ferme të vogël që kultivon krimbat që prodhojnë mëndafshin.

Mimoza Pjetraj bashkë me familjen e saj i përkushtohen kultivimit të krimbit të mëndafshit prej 13 vitesh, pas shkëputjes gjatë periudhës së komunizmit si dhe shkatërrimit të fabrikës së përpunimit të mëndafshit në Shkodër.

Krimbat e mëndafshit në fazën e parë të krijimit të fshikëzës së mëndafshit. Cikli i jetës së krimbave të mëndafshit zgjat rreth pesë javë. Foto: Nensi Bogdani/BIRN.

Mimoza thotë se para komunizmit, çdo familje në Zadrimë kultivonte krimbin e mëndafshit për përdorime vetjake, ndërsa sot ajo dhe familjarët e saj kanë mbetur të vetmit pothuajse në të tërë zonën.

 

“Është proces tepër i mundimshëm dhe kërkon tepër punë dhe përkushtim, prandaj dhe kemi mbetur të vetmit që e bëjmë. Janë më shumë se 10 veta që ndihmojnë në mbarëvajtjen e tërë ciklit të jetës së krimbit, deri tek prodhimi dhe përpunimi i mëndafshit,” tha artizania e Zadrimës për BIRN.

Cikli i jetës së krimbit të mëndafshit zgjat rreth pesë javë, derisa ai kthehet në “fshikëz”, siç quhet topthi i mëndafshit që më pas prodhon fijet e holla të tij. Ky krimb nuk jeton dot në gjendje të egër dhe kultivimi i tij është i mundur vetëm në kushte të kontrolluara.

“Kultivojmë rreth 10 kilogramë fshikëz gjatë një cikli të plotë në vit,” tregon Mimoza për BIRN, teksa mban në dorë topthat e vegjël të fshikëzave në formë ovale, që në pamje të parë përngjajnë me topat e pambukut.

“Është tre muaj punë që prej mbjelljes së farës, deri tek punimi përfundimtar i fijes së mëndafshit,” shtoi ajo.

Në përfundim të ciklit të jetës, krimbi ngordh dhe kthehet në fshikëz mëndafshi, Një fshikëz arrin të japë deri në 1 km fije mëndafshi. Foto: Nensi Bogdani/BIRN.

Ferma e kultivimit të krimbave të mëndafshit e familjes Pjetraj në Dajç të Zadrimës. Foto:Nensi Bogdani/BIRN.

Zanafilla e procesit nis prej një fare që kapet me gishtat e dorës, dhe përfundon në një dhomë ku rafte të tëra me katër deri në pesë kate mbushen me gjethe mani. “Krimbat e mëndafshit ushqehen me to,” tregon Mimoza, e cila i tha BIRN se farën e këtij krimbi e ruan akoma vetëm një zonjë në Tiranë.

Lexo: 4 Strategjitë e CEO që e kthyen një ide të shkëlqyer në një kompani 6 miliardë dollarësh

Mimoza vëren se për mbarëvajtjen e ciklit duhen ruajtur me shumë kujdes kushtet si lagështira e ajrit, temperatura e dhomës, si edhe freskia e gjetheve të manit me të cilat ushqehen krimbat.

“Nëse krimbi ha gjethe të lagura, ai ngordh. Këto muaj kemi patur shira dhe na është dashur ta thajmë çdo gjethe pasi e mbledhim dhe përpara se t’ua vendosim krimbave të ushqehen,” shtoi ajo.

Krimbat e mëndafshit në fazën e parë të krijimit të fshikëzës së mëndafshit. Foto: Nensi Bogdani/BIRN.

 

Krimbat e mëndafshit nuk jetojnë dot në kushte të egra. Ata kultivohen vetëm në kushte të kontrolluara dhe janë tepër delikatë. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.

Mimoza Pjetraj thotë se sa më shumë të kujdesen për kushtet e kultivimit, aq më shumë shkurtohet cikli i jetës dhe aq më shumë rezultate marrin. “Nëse kujdesi nuk është maksimal, atëherë cikli dhe prodhimi nuk janë të kënaqshëm”, thekson ajo.

Pas mbledhjet së fshikëzave fillon procesi i nxjerrjes së fijeve, ku nevojitet që fshikëzat të futen në ujë të zier për t’u shformuar në fijet e mëndafshta.

“Një fshikëz arrin të prodhojë deri në një kilometër fije mëndafshi,” thotë më tej artizania nga Zadrima.

Gjatë një cikli kultivimi, familja e Mimozës arrin të prodhojë deri në 10 kg fshikëz mëndafshi në total. Foto: Nensi Bogdani.

Mimoza dhe fëmijët e saj kanë gjithashtu si biznes familjar një punishte të vogël të punimeve artizanale me tezgjah, të quajtur “Colors of Zadrima”, fare pak metra larg fermës ku kultivojnë krimbin e mëndafshit. Ata e përdorin mëndafshin në punimet e tyre, duke prodhuar aksesorë të ndyshëm për veshjet tradicionale zadrimore.

Punimet e mëndafshit janë të kushtueshme, por kjo nuk i ndalon adhuruesit e këtij materiali për t’i blerë produktet e Mimozës.

“Një shall i punuar me mëndafsh kushton nga 250 deri në 500 mijë lekë të vjetra”, tregojnë artizanet e “Colors of Zadrima”, duke theksuar se i njëjti punim në kohën e komunizmit kushtonte pothuajse sa paga e një muaji.

Aktualisht, Mimoza dhe familja e saj presin të kujdesen edhe për një cikël të fundit të krimbit të mëndafshit, që pritet të përfundojë në fund të qershorit.

Fijet e mëndafshit të marra nga fshikëzat përdoren nga Mimoza dhe familja e saj për punimet artizanale në tezgjah, pranë punishtes së tyre. Foto: Nensi Bogdani/BIRN.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0