Çfarë vlerësoni më shumë: të vërtetën apo bindjet tuaja? Sepse këto dy fjalë nuk janë sinonime. Do të ishte e sigurt nëse do të supozonim se njerëzit që po lexojnë këtë artikull kanë mendime të ndryshme për shumë tema.
Politikat fiskale. Aborti. Prindërimi. Arsimimi. Ndryshimet klimatike. Racizmi. Feja. Kontrolli i armëve. Lidershipi i kompanisë apo i vendit tuaj. Dhe, me siguri, do të mendoni se mendimi juaj është i duhuri. Por ja cili është problemi: ju nuk e dini se për çfarë e keni gabim.
Jo vetëm që nuk e dini se për çfarë e keni gabim, por truri juaj është i ndërtuar për të kërkuar në mënyrë aktive informacione që konfirmonjnë besimet tuaja aktuale dhe për të injoruar, mohuar ose hedhur poshtë ҫdo gjë që bie ndesh me këto besime. Kjo nuk të bën njeri të keq. Të bën thjesht, njeri.
Nëse nuk jeni të gatshëm të lini mënjanë krenarinë tuaj dhe të pranoni se nuk keni monopolin e të vërtetës, do ta gjeni veten duke u mbështetur gjithnjë e më tej në cilindo kënd besimi ku keni investuar identitetin tuaj.
Pa dyshim që mund të keni hasur shumë njerëz vitet e fundit që u janë përkushtuar ‘të vërtetave’ për të cilat nuk kanë marrë as fare pak kohë për t’i verifikuar, duke jetuar me përgjigjet e pyetjeve që nuk i kanë bërë kurrë.
Laureati i ҫmimit Nobel, Daniel Kahneman, përmblodhi një nga gjetjet e tij thelbësore si “besimin tonë të tepruar në atë që besojmë se dimë, dhe paaftësinë e dukshme për të pranuar injorancën tonë dhe pasigurinë e botës në të cilën jetojmë”.
Përvoja e asaj që ne e konsiderojmë të drejtë vret kureshtjen dhe na verbon ndaj të dhënave që na dëshmojnë se e kemi gabim. Dhe kjo gjë shtron pyetjen:
Si mundemi ne – individualisht dhe kolektivisht, në ekipet, komunitetet, organizatat dhe shoqërinë tonë – të gjejmë përgjigje më të mira për problemet më urgjente me të cilat po përballemi?
- Vlerësoni të vërtetën më shumë sesa faktin nëse keni të drejtë apo jo
Kjo është më e lehtë për t’u thënë sesa për t’u bërë. Gjithashtu, nuk është edhe aq e rehatshme nga pikëpamja psikologjike. Dhe ka shumë gjasa që egoja juaj do të bërtasë arsyet se pse duhet të qëndroni të palëkundur ndaj çdo gjëje që i keni thënë vetes se është e vërtetë.
Ndoshta, për një kohë të gjatë. Ndoshta keni investuar të gjithë identitetin tuaj në këtë të vërtetë. Por, thjesht vendimi për të vlerësuar atë që është e vërtetë më tepër sesa atë që ushqen ndjenjën tuaj të të pasurit të drejtë është një hap shumë i rëndësishëm.
- Jepini përparësi kuriozitetit mbi sigurinë
Siguria vret mundësitë. Pra, pyesni veten “Si mund ta kem gabim?”
Vrasja tragjike e 19 fëmijëve dhe 2 mësuesve në një shkollë fillore në Teksas të SHBA ka ndezur edhe një herë debatin për kontrollin e armëve në Amerikë.
Ҫdokush ka mendimin e vet mbi këtë temë. Disa mbrojnë idenë e kontrollit të armëve, ndërsa të tjerë argumentojnë “të drejtën për të mbajtur armë”. Edhe për këtë temë ka shumë paragjykime konjitive dhe hapësira të errëta ku gjykimi i një personi verbohet.
Këta faktorë mund t’i bëjnë njerëzit që të jetojnë në mohim të fakteve të vërteta, të dëmtojnë dialogun kuptimplotë, të pengojnë progresin dhe të përjetësojnë pikërisht ato probleme që duam të zgjidhim.
- Dëgjoni për të mësuar
Jo për të rregulluar mendimin e të tjerëve. Jo për të fituar debatin. Por për të mësuar.
Megjithatë, pavarësisht nëse keni mendimin tuaj të palëkundur në lidhje me një çështje, herën tjetër që do të takoni dikë që ka një mendim ndryshe nga i juaji, provoni të thoni: “Nuk jam i sigurt se e kam përgjigjen për këtë temë, por do të doja të kuptoja se çfarë mendoni ju?”
Dhe pastaj, duhet të heshtni dhe të dëgjoni tjetrin.
Dëgjoni me kureshtje.
Dëgjoni me përulësi.
Dëgjoni me kokë dhe me zemër.
Mbi të gjitha, dëgjoni me gatishmërinë për të ndryshuar mendimin tuaj.
- Jini të gatshëm të ndryshoni mendim.
Më pas, nëse informacioni i ri që keni mësuar zgjeron lenten përmes së cilës keni parë një problem të caktuar, kini guximin të ndryshoni mendim dhe, për më tepër, për ta thënë këtë:
“Argumenti yt bën sens, nuk e kisha menduar më parë nga ky këndvështrim. Tani, i shoh gjërat ndryshe.”
Vetëm një njeri i madh mund të tërhiqet nga pikëpamjet idealiste, për të cilat më parë ka luftuar shumë që t’i mbrojë.
Vetëm një person akoma më i madh e pranon se ka gabuar. Njerëz si Bill Marriott, drejtuesi i hoteleve Marriott, i cili dikur ka thënë se të mësosh që të dëgjosh mirë dhe që të kesh përulësinë për ta pranuar kur e ke gabim, është një aspekt kritik i lidershipit.
Në botën e sotme komplekse, liderët që besojnë se kanë të drejtë janë të rrezikshëm.
Siguria e epërsisë së tyre intelektuale mbyt debatin intelektual, i pengon ata që të dëgjojnë, i verbon ndaj të dhënave që i vërtetojnë se e kanë gabim, dhe i fut në kurthin e një bote që ata e kanë krijuar vetë, por që nuk ekziston.
Asnjë prej nesh nuk është imun ndaj paragjykimit të konfirmimit. Të gjithë mund të biem në këtë grackë mendore. Kjo është arsyeja pse duhet të punoni me vetëdije për të kundërshtuar paragjykimet tuaja. Dhe kjo, le ta pranojmë, kërkon që ju të jeni një person më i madh sesa do të dëshironit që të ishit.
Bëhuni ky njeri i madh.
Sepse, është pothuajse e sigurt që jo gjithçka që mendoni është e vërtetë dhe se disa nga ato që mendoni janë, epo… të gabuara. Ose të paktën “pak” të gabuara.
Ju nuk e shihni botën ashtu siç ajo është, por ashtu siç ju jeni. Ju e shihni botën përmes përvojave të jetës dhe të njohurive tuaja. Dhe gjasat janë që dikush tjetër të ketë disa njohuri më tepër, të cilat ju nuk i keni.
Imagjinoni botën që mund të krijonim nëse secili prej nesh do të ishte i gatshëm ta linte mënjanë krenarinë dhe të përfshihej në biseda civile, me përulësi dhe me kurajë të vërtetë. / Forbes
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.