Një qytet holandez do të bëhet i pari në botë që do të ndalojë reklamat e mishit në hapësirat publike, në përpjekje për të reduktuar konsumin dhe emetimet e gazrave serrë.
Haarlem, i cili shtrihet në perëndim të Amsterdamit dhe ka një popullsi prej rreth 160,000 banorësh, do të ndalojë publikimet e reklamave të mishit nga viti 2024, pasi mishi u shtua në listën e produkteve që mendohet se kontribuojnë në krizën klimatike.
Reklamat nuk do të lejohen në autobusë, stenda autobusi dhe ekranet e Haarlem-it në hapësirat publike. Kjo ka nxitur ankesa nga prodhuesit e mishit se, “komuna po shkon shumë larg duke u thënë njerëzve se çfarë është më e mira për ta”.
Lexo edhe: OKB: Ndryshimet klimatike kërcënojnë të drejtat e njeriut dhe planetin
Studimet e fundit sugjerojnë se prodhimi global i ushqimit është përgjegjës për një të tretën e të gjitha emetimeve të ngrohjes së planetit, me përdorimin e kafshëve për mish që përbën dyfishin e ndotjes, krahasuar me prodhimin e ushqimeve me bazë bimore.
Pyjet që thithin dioksidin e karbonit priten për kullotjen e kafshëve, ndërsa plehrat që përdoren për rritjen e ushqimit të tyre janë të pasura me azot, i cili mund të kontribuojë në ndotjen e ajrit dhe ujit, ndryshimet klimatike dhe varfërimin e ozonit. Blegtoria prodhon gjithashtu sasi të mëdha metani, një gaz i fuqishëm serrë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto