Angazhimi i parë i Shqipërisë si kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të jetë thirrja e këtij organizmi në 2 qershor për të diskutuar mbi “forcimin e llogaridhënies dhe shkeljet e të drejtës ndërkombëtare”.
“Drejtësia dhe paqja ecin krah për krah dhe Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim. Jemi të privilegjuar që u japim zë bindjeve tona e do ta drejtojmë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të gjithë vullnetin e pasionin tonë për ato çka besojmë fort”, ka qenë komenti i kryeministrit Edi Rama.
Por Shqipëria, thotë Radio Europa e Lirë, e merr kryesimin e Këshillit në njërën prej periudhave më të vështira gjeopolitike. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, kriza e refugjatëve e shkaktuar nga lufta, kërcënimet e vazhdueshme ruse ndaj aleatëve të NATO-s, zgjerimi i mëtejshëm i Aleancës ushtarake pro-perëndimore, sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë dhe varësia evropiane ndaj gazit rus, të gjitha këto cështje e kanë dominuar krejtësisht axhendën ndërkombëtare muajt e fundit.
Lexo edhe: OKB paralajmëron: Globi drejt katastrofës, ngrohja globale kërcënon jetët e njerëzve
“Lufta e Rusisë në Ukrainë e ka sfiduar sigurinë europiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla. Ne nuk mundemi e nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë. Është urgjente të veprojmë, tani, për viktimat e panumërta të konflikteve të pakuptimta”, citon REL të thotë Rama.
Shqipëria i merr frerët e Këshillit të Sigurimit nga sot, hera e parë për vendin tonë që i besohet një rol i tillë në këtë organizatë ndërkombëtare, pasi u përzgjodh këtë vit si anëtare e përkohshme e tij.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.