Banka Evropiane ngre “alarmin” për kriptot: Duhen rregulluar. Rrezikojmë krizë si të 2008-ës - Business Magazine Albania

Banka Evropiane ngre “alarmin” për kriptot: Duhen rregulluar. Rrezikojmë krizë si të 2008-ës

Zyrtarët e Bankës Qendrore Evropiane po përforcojnë thirrjet për një rregullim më të rreptë të kriptomonedhave, duke e krahasuar industrinë si një skenar i filmave të “Perëndimit të Egër” për pagesat.

Një përhapje e pakontrolluar e kriptove dhe monedhave të qëndrueshme (stablecoin) rrezikon kthimin në periudhat kur njerëzit tregtonin me kartëmonedha të emetuara privatisht të mbështetura nga aktive të dyshimta, tha anëtari i Këshillit Drejtues Francez, Francois Villeroy de Galhau, duke e quajtur situatën “një përgjigje e keqe për një sfidë të vërtetë”.

“Tregu i parregulluar i kriptomonedhave  do të nënkuptonte regres dhe kthim në fragmentim privat”, tha ai për Financial Times. “Kjo është gjëja e fundit që na nevojitet në botë tani.”

Komentet pasojnë një nga vlerësimet më të ashpra të BQE-së për botën e kriptove, dhënë një ditë më parë nga kolegu i Villeroy, Fabio Panetta. Anëtari i Bordit Ekzekutiv tha se kripto-asetet “po krijojnë një Perëndim të ri të egër” dhe e krahasoi dinamikën e tij me tregun e hipotekave që shkaktoi krizën financiare globale të vitit 2008.

Lexo edhe: “Superfuqi” për kriptomonedha. Në Indi të rinjtë preferojnë Bitcoin kundrejt arit dhe aksioneve “të mërzitshme”

Ndërsa pajtohej me krahasimin, Villeroy gjithashtu tërhoqi paralele me Mesjetën e Evropës.

“Ne kishim asete dhe monedha shumë të ndryshme në atë kohë me zona të kufizuara gjeografike,” tha ai. “Kjo nuk është mënyra se si unë e shoh procesin e sistemit global të pagesave.”

Rreth njëqind banka qendrore janë në faza të ndryshme të eksplorimit të përgjigjeve të tyre për risitë e kriptove, pasi u alarmuan nga popullariteti i aseteve dixhitale si Bitcoin që kërkojnë të anashkalojnë sistemet e centralizuara të pagesave.

BQE ka treguar se mund të nisë projektin për një euro dixhitale nga mesi i kësaj dekade, duke lejuar potencialisht konsumatorët të përdorin paranë elektronike që është një detyrim i drejtpërdrejtë i bankës qendrore, në vend të huadhënësve komercialë ose ofruesve të tjerë të shërbimeve të pagesave.

Villeroy tha se bankat qendrore duhet të rinovojnë veten dhe të kontribuojnë në rregullimin e kriptove. Panetta miratoi një qasje të ngjashme të hënën.

“Rritja e tregjeve të kripto-aseteve zbulon kërkesën në rritje të shoqërisë për asete dixhitale dhe pagesa të menjëhershme,” tha ai. Megjithatë, “tani është koha për të siguruar që kripto-asetet të përdoren vetëm brenda kufijve të qartë, të rregulluar dhe për qëllime që i shtojnë vlerë shoqërisë.”

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0