Nuk ndalet tkurrja e popullsisë në vend. Të dhënat e Instat tregojnë se numri i popullsisë ka zbritur në 2. 79 milionë banorë, mbi 36 mijë më pak se një vit më parë duke përkeqësuar më tej treguesit demografikë të vendit.
Pamundësitë ekonomike dhe dëshira për një jetë më të mirë kanë bërë që mbi 42 mijë persona të braktisin vendin vitin e kaluar, gati dyfish më shumë se në vitin 2020, shifra mjaft shqetësuese për Shqipërinë që është zyrtarisht në krizë demografike.
Ulja e lindshmërisë dhe rritja e numrit të jetëve të humbura kryesisht ndikuar edhe nga pandemia bënë që vitin e kaluar shtesa natyrore të rezultojë negative me 3 200 vdekje më shumë se lindje. Në total, vitin që lamë pas humbën jetën mbi 30 mijë persona.
Por, rritje kanë shënuar edhe lëvizjet migratore brenda vendit, pasi popullsia e zonave rurale po qaset gjithnjë e më shumë drejt qendrave urbane , si Tirana, Durrësi e Fieri që mbajnë edhe peshën më të madhe të popullsisë së vendit, mbi gjysmën e saj.
Kjo, për shkak të mundësive më të mëdha që këto rajone ofrojnë si në punësim e shërbime duke bërë që të mbajnë po ashtu edhe peshën më të madhe në ekonominë e vendit.
Përgjatë vitit 2021, statistikat tregojnë se nga 12 qarqe vetëm njëri prej tyre ka regjistruar rritje të popullsisë dhe është pikërisht kryeqyteti, teksa 11 qarqet e tjera popullsia ka shënuar tkurrje. Uljen më të madhe të numrit të banorëve e kanë regjistruar qarku i Gjirokastrës, Beratit dhe Dibrës.
Krahas tkurrjes, popullsia e Shqipërisë po plaket me ritme të shpejta, pasi mosha mesatare ka arritur në 38.2 vjeç, nga 37.6 vjeç që ishte.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.