Programi i Komunikimit “TalkUP”, që zhvillohet nga Qendra Kallz, ka përmbyllur aktivitetin e tij me të rinjtë e Kukësit. Të rinjtë, kryesisht gjimnazistë nga shkolla e mesme “Havzi Nela”, u bënë pjesë e ndërveprimit, reflektimit, lojërave zhvilluese dhe komunikimit me Zoom me të rinj nga qyteti i tyre, që tashmë jetojnë larg.
Programi synon të ulë barrierat e komunikimit dhe të rrisë mundësinë e të rinjve për të patur rezultate më të mira në shkollë, në marrëdhëniet shoqërore, por edhe ato familjare.
Rigersi, një nga pjesëmarrësit tha se, “nga ky trajnim mësova shumë për komunikimin, për llojet e ndryshme të komunikimit dhe pasojat që ato sjellin. Më e rëndësishmja, mësova të krijoj marrëdhënie me njerëz të ndryshëm dhe se si fjala arrin ta përforcojë këtë marrëdhënie”.
“Trajnimi ishte mjaft i dobishëm për mua. Më nxiti të reflektoj dhe të përzgjedh formën e duhur të komunikimit në momente të vështira. Nëse do të zhvillohej sërish, unë do ta ndiqja prapë, tha Martini, një tjetër pjesëmarrës.
Pjesë e këtij trajnimi u bënë 40 të rinj.
TalkUP është një program që mbështetet nga sipërmarrje ose individë dhe përmban brenda tij nismën “Të rinjtë për të rinjtë”, duke mundësuar kështu fuqizimin e të rinjve në shkolla, falë mbështetjes së të rinjve të integruar tashmë në tregun e punës dhe me një karrierë të ndërtuar. Në këtë rast, mbështetësit ishin Ndriçim Hasa, Islam Kovaçi dhe Zekri Picari, të cilët jetojnë e punojnë në SHBA prej disa vitesh.
Në një nga seancat e trajnimit, adoleshendët zhvilluan një takim online me ta. Djemtë sollën përvojën e tyre të punës në n jë treg të huaj dhe i ndihmoi apo edhe i pengoi në disa raste qasja e tyre me komunikimin e zgjedhur. Edhe pse në terrene të ndryshme, ata folën për mundësinë e rritjes, edukimit dhe punës në vendet që mund të përzgjedhim, duke theksuar vlerën e paccmuar të vendlindjes, një pikë që bashkoi dy brezat e të rinjve. Programi pati edhe mbështetjen e Bashkisë Kukës, pasi trajnimet u zhvilluan në mjediset e Pallatit të Kulturës së qytetit.
Një studim i UNICEF, zhvilluar gjatë pandemisë, tregoi se kjo periudhë ka dëmtuar shumë të rinjtë, duke krijuar një presion të rënduar psikologjik tek ta. Krahas shqetësimeve të tyre të moshës, ndryshimeve fizike, pandemia shtoi pasiguritë dhe presionin e ardhur nga familja dhe shkolla.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.