Në Pallatin e Kongreseve u themelua Shoqata e Agroturizmit Shqiptar, ku 71 biznese që ditën e parë u bënë pjesë e saj. Këta njerëz u bënë bashkë për të ndihmuar në zhvillimin e këtij burimi të madh, jo vetëm ekonomik, por të gjithanshëm dhe gjithpërfshirës, me vizion të ri për emancipimin e shoqërisë rurale. Projekti është mbështetur nga GIZ-i gjerman dhe përmes një procesi transparent janë zgjedhur anëtarët e Këshillit Ekzekutiv dhe kryetari.
Shoqata, e themeluar në një moment tepër të vështirë, lind si një avokati e ruajtjes së vlerave të pafund, ekonomike, shoqërore dhe mjedisore që ruan ‘të fshehura’ ky sektor ende i paorientuar si duhet për atë çka i takon. Agroturizmi, përfshin këdo që dëshiron të ndjehet i vlerësuar për atë që mendon se di të bëjë më mirë.
Kjo veprimtari, në hapësirën jashtë qendrave administrative, do të ndihmojë fuqishëm me ndihmesën e të gjithëve që të mos i lihet spontanitetit dhe anarshisë kaotike, e cila mund të dëmtojë të ardhmen, por të orientohet dhe zhvillohet në vektorin e koncepteve më bashkëkohore.
Lexo: Ministria e Bujqësisë hap thirrjen. Grante për të investuar në agroturizëm
Elona Bejo, Jonida Hëna, Altin Prenga, Rigers Kaçorri dhe Fatmiri nga Agriturizem Hylli Drites janë 5 anëtarët e Këshillit Ekzekutiv, me në krye Flori Ukën, i cili është dhe kryetari i kësaj shoqate.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.