Sejko prezanton në Komisionin e Ekonomisë platformën e tij për mandatin e dytë si Guvernator - Business Magazine Albania

Sejko prezanton në Komisionin e Ekonomisë platformën e tij për mandatin e dytë si Guvernator

Sejko

Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko paraqiti platformën e tij në seancën dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë, si kandidat i propozuar nga Presidenti për mandatin e dytë si Guvernator i BSH.

Gjatë prezantimit të vizionit të tij si guvernator dhe prioriteteve vuri theksin tek politika monetare dhe stabiliteti i çmimeve.

Sfida kryesore në afatshkurtër sipas tij, është adresimi i presioneve inflacioniste që vijnë nga rritja e çmimeve në tregjet botërore. “Në gjykimin tim, respektimi i mandatit ligjor të stabilitetit të çmimeve është një objektiv i panegociueshëm. Përmbushja me sukses e këtij mandati do të kërkojë hartimin e një politike monetare të kujdesshme dhe largpamëse. Në të njëjtën kohë, paralelisht me objektivin primar të saj, kjo politikë duhet të faktorizojë nevojën e mbështetjes së rimëkëmbjes ekonomike dhe të harmonizohet me procesin e konsolidimit fiskal, në interes të rritjes së qëndrueshmërisë fiskale dhe financiare të vendit. Në veçanti, bindja ime është se harmonizimi i kujdesshëm i politikave monetare dhe fiskale prodhon rezultatet më të mira ekonomike, si në terma të rritjes ashtu dhe të stabilitetit”, theksoi Sejko.

Përsa u përket objektivave afatgjatë, ai tha se, “kuadri operacional i politikës monetare duhet të plotësohet me instrumente kontingjente, si ato të adoptuara nga bankat e mëdha qendrore. Ky objektiv ka si parakusht përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve financiare. Megjithatë, horizonti i ardhshëm shtatëvjeçar ofron një dimension kohor të mjaftueshëm për përmbushjen e tij”.

Prioriteti i dytë i tij lidhet me më mbikëqyrjen dhe rregullimin bankar, në funksion të forcimit të mëtejshëm të stabilitetit financiar të vendit. Sipas tij, “oferta e kredisë bankare nuk duhet të jetë pengesë për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit, por procesi i kreditimit duhet të respektojë gjithnjë parametrat e nevojshëm të kujdesit, për ruajtjen e shëndetit të bankave dhe të vlerës së kursimeve të depozituara në to. Duhet adoptimi i plotë i të gjithë praktikave dhe standardeve relevante të Bazel II dhe Bazel III, konvergimi i mëtejshëm më standardet evropiane dhe marrja e certifikimeve të mëtejshme në fushën e mbikëqyrjes nga Banka Qendrore Europiane. Këto certifikime do të ulin kostot dhe do të rrisin eficiencën e operimit të sektorit tonë bankar. Synojmë vijimin e punës për reduktimin e përdorimit të monedhës së huaj në vend, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit të aktorëve publikë dhe privatë për rreziqet që ajo sjell, si dhe duke synuar forcimin e përgjigjes së institucioneve shqiptare,” tha Sejko.

Lexo: Guvernatori Sejko gjatë mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH: Pritet që vala aktuale e rritjes së çmimeve të jetë kalimtare

Prioriteti i tretë, sipas tij, është nxitja e formalizimit dhe rritja e edukimit dhe e përfshirjes financiare.

“Shkalla relativisht e lartë e informalitetit në ekonominë shqiptare sjell pasoja serioze negative, nëpërmjet cënimit të konkurrencës, frenimit të produktivitetit, rritjes së pasigurisë në marrëdhëniet tregtare e financiare, si dhe reduktimit të të ardhurave publike. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë duhet të vijojë të punojë për rritjen e formalizimit të ekonomisë”, tha ai. Sipas tij, ky proces duhet mbështetur nëpërmjet qasjes rregullatore ndaj aktiviteteve të paformalizuara, nëpërmjet plotësimit të infrastrukturës financiare, e cila redukton kostot për aktivitet formale, si dhe nëpërmjet bashkërendimit të punës me nismat e sektorit publik.

Në fushën e edukimit financiar, Banka e Shqipërisë duhet të luajë një rol kyç në hartimin dhe zbatimin e strategjive kombëtare që promovojnë rritjen e kulturës financiare në vend. Kjo kulturë duhet parë si një element esencial për rritjen e mirëqenies afatgjatë të shoqërisë. Po ashtu, Banka e Shqipërisë duhet të vijojë të punojë për rritjen e përfshirjes financiare të popullsisë. Një pikënisje e këtij procesi është modernizimi i sistemit të pagesave dhe rritja e shkallës së përdorimit të pagesave elektronike, e më tej shfrytëzimi i kësaj porte për aksesin në shërbime financiare e shërbime pagesash që rrjedhimisht ndikojnë dhe zhvillimin ekonomik të vendit,” u shpreh Guvernatori.

Reformat strukturore marrin po ashtu vëmendje të rëndësishme sipas z.Sejko. “Këto reforma duhet të nxisin produktivitetin, të zhbllokojnë potencialet e rritjes, si dhe të krijojnë premisa për një shpërndarje më të drejtë të fruteve të saj në shoqëri”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0